Gazetaret Aranita Brahaj dhe Esmeralda Keta komentuan në emisionin “Në Shënjestër” të gazetares Klodiana Lala, në News24, mënyrën e dhënies së tenderave të rindërtimit.

Brahaj, që është aktualisht drejtuese e “Open Data Albania”, tha se procedura e dhënies së këtyre tenderave nuk garantonte asnjë lloj gare dhe konkurrence. Sipas saj, këto tendera janë dhënë me procedurë të kufizuar, ndaj dhe nuk kanë marrë pjesë kompanitë e huaja.

Edhe gazetarja Keta tha se rindërtimi po ecën me ritme shumë të ngadalta dhe nuk mbyllet këtë verë, ndërsa shtoi se është dramatike se si banorët i presin shtëpitë, duke shtuar çdo ditë aty për të parë sa kanë ecur punimet.

Aranita Brahaj: Procedura nuk garantonte asnjë lloj gare, asnjë lloj konkurrence. Mund të përdorej deri 3 muaj kjo procedurë për të rindërtuar në emergjencë, por duke qenë se ky program tani ju përket shumicës së bashkive, nuk mund të bëhen tendera me një procedurë të kufizuar.

Nëse shohim renditjen e kompanive, kjo renditje tregon se nuk kemi kompani të huaja në garë. Pse nuk morën pjesë kompani të huaja? Nuk morën pasi panë se për herë të parë po përdoren procedura të kufizuara në tendera, gjë që nuk është e drejtë. Kemi që në vitin 2009 që përdorim procesin elektronik, pse në këtë rast nuk u përdor ajo?

Kur ligji nuk i jep mundësi garës së hapur, hapi dy është që ligji është bërë për qëllime klienteliste. Prandaj, nuk befasohem që historia, lidhjet e kompanive që ju përmendet emri janë mjaft interesave për t’u investiguar. Klientët e mëdhenj kanë marrë bazën më të madhe. Kemi një kompani që del dy-tre herë.

Esmeralda Keta: Rindërtimi në terren është shumë larg nga ai që shfaqet në faqet e kryeministrit. Rindërtimi po ecën shumë ngadalë. Në Vorë, ende nuk janë bërë efektive kontratat, sepse nuk janë zgjidhur problemet e pronësisë dhe gjëja më dramatike është se banorët janë kaq të etur për këtë proces, sa njohin dhe çdo gropë, ku ka nisur ndërtimi.

Në Shijak, dramatike dhe që më preku ishte se banorët, që jetojnë me qira, vinin çdo ditë në formë pelegrinazhi për të parë si po ecnin punimet. Me mendjen e tyre ata e kanë ndarë edhe ku do ta marrin shtëpinë, megjithëse do të bëhet çdo gjë me short. Pra, rindërtimi nuk mbyllet këtë verë. Për të mos folur për Tiranën, që ende nuk ka nisur procesi.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb