Jo të gjithë hakerët janë të këqij. Të mirët quhen “White hat hackers” dhe shfrytëzojnë aftësitë e tyre për të përmirësuar sigurinë e kompjuterëve.

Ata që zbaviten me këtë profesion quhen “grey-hat hackers”. Po të këqijtë?. Ata quhen “black-hat hackers.” Dhe dëmet që mund të shkaktojnë janë të pallogaritshme e historia e ka provuar këtë.

Kjo është historia e disa prej hakerëve më të famshëm të cilët fituan reputacion duke bërë veprime të jashtëligjshme.

  1. Kevin Mitnick

Departamenti Amerikan i Shtetit e konsideron si “kriminelin kibernetik më të kërkuar në historinë e SHBA-ve.” Historia e Kevin Mitnick është spektakolare saqë një film i është dedikuar me titull “Track Down.”

Çfarë bëri?

Pasi përfundoi për një vit në burg sepse kishte hakuar rrjetin e Digital Equipment Corporation, u lirua me kusht.

Por gjatë kësaj periudhe ai nisi një fushatë 2.5 vjeçare hakimesh duke thyer sigurinë kombëtare dhe vjedhur sekrete korporative.

Ku gjendet sot?

Mitnick u kap dhe u dënua me 5 vite burg. Pas kreu dënimin ai u bë këshilltar i sigurisë kibernetike. Sot drejton kompaninë Minick Security Consulting.

  1. Jonathan James

Historia e James i njohur ndryshme me pseudonimin “c0mrade,” është tragjike. Ai e filloi hakimin në moshë të re duke hakuar disa rrjete qeveritare dhe komerciale përpara se të dërgohej në burg në moshë të vogël.

Çfarë bëri?

James hakoi rrjetin e NASA dhe vodhi kodin burimor me vlerë 1.7 milion dollarë për kohën për të mësuar sesi funksiononte Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar. NASA u detyrua të fikte serverët për tre javë derisa të identifikonin hakimin që i kushtoi edhe 41,000 dollarë të tjerë.

Ku gjendet sot?

Në 2007-ën disa kompani të profilit të lartë ranë pre e një sulmi. Edhe pse James mohoi çdo akuzë, ai ishte i dyshuari kryesor dhe u hetua. Në 2008-ën në kushte të vështira psikologjike kreu vetëvrasje me frikën se do të dënohej për krime që nuk i kishte bërë.

  1. Albert Gonzales

Gonzales e nisi si lideri i një grupi hakerësh të quajtur ShadowCrew. Përveçse vidhnin numrat e kartave të kreditit për ti shitur ato, Shadow Crew fabrikoi pasaporta të rreme, karta të rreme shëndeti dhe certifikata.

Çfarë bëri?

Gonzales e nisi famën e tij pasi vodhi të dhënat e 170 milion kartave të kreditit përgjatë 2 viteve. Më pas hakoi databazën e TJX Companies dhe Heartland Payment Systems për të vjedhur kartat e kreditit që ishin ruajtur tek dy kompanitë.

Ku gjendet sot?

Gonzales u dënua me 20 vite burgim dhe pritet të lirohet në 2025-ën.

  1. Kevin Poulsen

Kevin Poulsen i njohur ndryshe si “Dark Dante” fitoi famën duke hakuar linjat telefonike. Në një pikë ai hakoi linjat telefonike të një kanali radio duke shpallur vetveten fitues të një lotarie dhe një Porsche të re. Sipas mediave ai ishte Hanibali i krimit kompjuterik.

Çfarë bëri?

Poulsen u vu në listën e më të kërkuarve të FBI-së kur hakoi disa sisteme federale. Ai u arrestua në një supermarket dhe u dënua me 51 muaj burg dhe 56,000 dollarë gjobë.

Ku gjendet sot?

Poulsen ndryshoi sjelljen e tij pas lirimit në 1995. Ai filloi të punonte si një gazetar dhe sot është autor në Wired. Në 2006-ën ai ndihmoi në identifikimin e 744 mashtruesve në MySpace.

  1. Gary McKinnon

Gary McKinnon i njohur ndryshe në internet si “Solo” thuhet se ka koordinuar hakimin më të madh kompjuterik të ushtrisë në histori.

Çfarë bëri?

Gjatë një periudhe 13 mujore nga Shkurti i 2001 deri në Mars të 2002, McKinnon ilegalisht aksesoi 97 kompjuterë të Forcave të Armatosura dhe NASA-s.

Ai tha se kishte kërkuar vetëm informacion rreth UFO-ve por sipas autoriteteve Amerikane ka fshirë një numër të dhënash kritike me vlerë 700,000 dollarë.

Ku gjendet sot?

Me prejardhje Skoceze dhe qytetar Britanik, prej vitesh kërkohej ekstradimi i tij në SHBA. Tereza Mej ka bllokuar ekstradimin e tij me arsyetimin se është i sëmurë.

  1. Robert Tappan Morris

Morris mësoi nga babai i tij Robert Morris kur ishte një shkencëtar kompjuterik pranë Bell Labs dhe më vonë në NSA. Morris është krijuesi i krimbit të parë kompjuterik.

Çfarë bëri?

Në 1988 ai krijoi Krimbin Morris kur ishte student në Universitetin Cornell. Programi ishte dizajnuar për të matur madhësinë e internetit por kishte një problem: kompjuterët infektoheshin disa herë dhe çdo infektim shkaktonte ngadalësimin e kompjuterëve. Mbi 6000 të tillë u bënë të papërdorshëm.

Ku gjendet sot?

Në 1989 Morris u shpall fajtor për mashtrim kompjuterik. Ai mori 3 vite liri me kusht, 400 orë punë komunitare dhe 10,050 dollarë gjobë.

Më vonë ai themeloi Y Combinator dhe sot është profesor në Institutin Teknologjik të Masaçusets.

  1. Loyd Blankenship

Blankeship i njohur si “The Mentor” është haker aktiv që prej 1970-ës. Ai ka qenë anëtar i disa grupeve të hakimit ku më i njohuri Legion of Doom.

Çfarë bëri?

Blankenship shkroi një ese të quajtur “Mentor’s Last Word” për të cilën u arrestua në 1986-ën. Eseja u pa si një mësim i kulturës së hakimit.

Ku gjendet sot?

Blankenship u punësua nga Steve Jackson Games në 1989 për të punuar në GURPS Cyberpunk. Shërbimi sekret Amerikan i kontrolloi shtëpinë në 1990 dhe i konfiskoi një tjetër libër.

Sot ai ka dhënë dorëheqjen nga hakimi dhe është shef i kërkimit dhe dizajnit të produktit pranë McAfee.

  1. Julian Assange

Assange e filloi hakimin në moshën 16 vjeçare me emrin e koduar “Mendax.” Gjatë katër viteve ai hakoi rrjete të ndryshme qeveritare, korporative dhe arsimore përfshirë Pentagonin, NASA, Lockheed Martin, Citibank dhe Stanford University.

Çfarë bëri?

Ai krijoi Wikileaks në 2006-ën si një platformë publikimi për dokumente të klasifikuara. SHBA nisën një hetim në 2010-ën ndaj tij dhe e akuzojnë për spiunazh.

Ku gjendet sot?

Assange ka marrë shtetësinë e Ekuadorit dhe qëndron në ambasadën e këtij vendi në Londër me frikën se mund të ekstradohet në SHBA.

  1. Guccifer 2.0

Kush është Guccifer 2.0 askush se di. Mund të jetë një person apo një grup. Emri vjen nga hakeri Rumun i njohur si Guccifer i cili kishte sulmuar disa herë rrjete qeveritare dhe politikanë Amerikanë.

Çfarë bëri?

Gjatë zgjedhjeve presidenciale Amerikane në 2016-ën hakoi Partinë Demokratike. Mijëra dokumente u publikuan në Wikileaks. Shumë besojnë se pas Guccifer 2.0 fshihet inteligjenca Ruse, por ky i fundit thotë se është Rumun.

Ku gjendet sot?

Guccifer 2.0 u zhduk menjëherë pas zgjedhjeve dhe u shfaq në Janar të 2017-ës për të thënë që nuk kishte lidhje me inteligjencën Ruse.

  1. Anonymous

Anonymous mund të jetë grupi i hakerave më i njohur i të gjitha kohërave. Një grup i decentralizuar hakerash, ata nuk kanë një anëtarësi e as hierarki. Kushdo mund të veprojë në emër të Anonymous.

Çfarë bëri?

Në 2003 Anonymous u akuzua për disa hakime si Amazon, PayPal, Sony, Westboro Baptis Church, pjesë të rrjetit të zi, qeverive të Australisë, Indisë, Sirisë, SHBA etj.

Ku gjenden sot?

Anonymous vijon haktivizmin edhe sot. Që nga 2011-ta dy grupe kanë rrjedhur nga Anonymous: LulzSec dhe AntiSec, raporton PCWorld Albanian.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb