Kur bëhet fjalë për rrogat e futbollistëve, patjetër që kjo ndikohet nga kampionati ku ata luajnë, ekipi ku aktivizohen dhe paraqitja që japin në fushë. Gjithmonë në mediat e huaja flitet për rrogat e yjeve të futbollit botëror, por nëse afrohemi pak dhe vëzhgojmë lojtarët e Shqipërisë, sërish jemi kureshtarë se sa fitojnë në një sezon kuqezinjtë me klubet e tyre respektivë.

Portali “Salary Sport” tashmë është i njohur për listimin e rrogave bruto të futbollistëve në botë dhe ka publikuar rrogat e sezonit 2022-2023. Ndërkohë shifra është dhënë në paund dhe nuk llogaritet taksimi i rrogës sipas shtetit.

Këtu ka një ndryshim midis shteteve, pasi në Spanjë taksimi ndahet sipas rajoneve dhe shkon nga 45% e rrogës deri në 50%. Ndërkohë në Itali është progresive dhe nëse kalohet 75 mijë euro në sezon, taksimi është në masën 41%.
Për ata që luajnë në Angli, neto marrin 50% të rrogës, ndërkohë që për këtë pjesë në ishull së fundmi do të ketë reformë.

RENDITJA SIPAS RROGAVE
Nga vëzhgimi i bërë rezulton që sulmuesi Armando Broja, me kontratën e re të firmosur për Çelsin, ka marrë kreun duke kapur shifrën e 4 milionë paundësh në këtë vit, duke lënë pas mbrojtësin Elseid Hysaj me 3.2 mln paund, që është një ndër më të paguarit te Lacio.

Pas tij vjen homologu i repartit që luan për skuadrën e të njëjtit qytet, por me ngjyrat verdhekuqe, Marash Kumbulla që merr 2.8 dhe vendin e katërt e zë Tomas Strakosha, portieri që firmosi këtë verë me Brentfordin në Premier Ligë.

Poshtë tij sërish renditet një portier si Etrit Berisha, që Torino e paguan 1.7 mln paund dhe më pas mbrojtësi Ismajli me 1.6.

Një rritje të konsiderueshme të të ardhurave ka bërë edhe Xhakomo Vrioni që deri vjet paguhej rreth 115 mijë euro, por me transferimin përtej oqeanit në kampionatin amerikan, e ka çuar rrogën në 1.5 mln paund në vit.

Më poshtë vijnë Berat Gjimshiti i Atalantës dhe fantazisti i Empolit Nedim Bajrami. Dhjetëshen e parë e mbyll Kristjan Asllani që ka një rritje të frikshme të pagës, kjo normale për faktin e kalimit te Interi. 20-vjeçari paguhej rreth 100 mijë paund në sezon dhe këtu flasim pa taksim, ndërkohë tani te zikaltërit ka një pagë prej 1.24 mln paund. Panorama Sport

Tabela E Rrogave
Tabela E Rrogave

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb