Kryeministri Edi Rama është treguar i prerë me deputetët socialistë, të pranishëm në komisionet parlamentare, teksa ju ka kërkuar të përmbahen në debate me kundërshtarët politikë.

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, Rama iu tërhoqi vëmendje deputetëve të tij, teksa ju tha se nuk duhet të degradojnë debatin në “kush je ti e kush jam unë”.

“Së fundi, një vërejtje, të gjithë duhet të përmbahen e të përmbajnë njëri-tjetrin në komisionet parlamentare për të mos lejuar që puna në sy të publikut me orë të tëra dhe përballë provokatorësh e agjitatorësh të mirëstërvitur, por së fundi edhe pak të lajthitur, për shkak të shpërthimit të bravave e vareve, të degradojë në “kush je ti, e kush jam unë”. Ka pasur dy apo tre raste, të cilat kanë qenë për të ardhur keq, të cilat nuk na ndihmojnë fare që ta përmirësojmë sadopak pozicionin e politikës në sytë e njerëzve”, tha Rama.

Më tej, kryeministri i kërkoi kreut të grupit parlamentar, Taulant Balla, që të organizojë një cikël dëgjesash me ministrat, duke filluar nga java e parë e shkurtit.

Nga java e parë e shkurtit, kreu i grupit të organizojë një cikël dëgjesash me ministrat, me dyer të mbyllura ku ministrat t’i përgjigjen deputetëve për të gjitha pyetjet, shqetësimet, kërkesat ankesat, dhe deputetët të dëgjojnë planet për këtë vit e të njihen me hapat që janë planifikuar të hidhen
Axhenda e objektivave dhe punës së çdo ministri të jetë e qartë për komisionet përkatëse. duke qene se mund të ketë deputetë të tjerë, që mund të kenë interes të ballafaqohen me një ministër, mund të marrin pjesë, pra dëgjesat mund të mbahen këtu, dhe të jenë lehtësisht të pranishëm”, u shpreh kryeministri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb