Zëvendëskryeministri Erion Braçe tha sot se shalqiri i Divjakës dhe Lushnjës është gati për eksport, ndërsa denoncoi hyrjen e shalqirit në Shqipëri nga një vend fqinj që, sipas tij, nuk është si prodhimi vendas.

Braçe theksoi se shalqiri ynë i parë është i një cilësie të lartë dhe konsumatorët të konsumojnë prodhimet shqiptare.

“Ky është shalqini ynë i parë. Kush mbolli e kultivoi shalqi në serra, tani po vjel. Të premten, kërkova e mora në treg shalqi. Nuk ishte i yni, as i hershmi, ishte i importit, ardhur nga një vend fqinj me ne, këtu afër. Ishte i kuq dhe i papjekur, pa shije as sheqeri, i fortë e me fara të bardha. Po ua them troç. As i afrohej shalqirit të prodhuar nga bujqit në Divjakë, Lushnjë. Shalqini ynë është ky. Ai më i sulmuari, më i shari e më i çuari dëm nga vetë media apo palaço vendas”, shprehet ai.

Braçe theksoi se “besoj, java tjetër na nxjerr në eksport për të vijuar fort me të”.

“Ndërkohë, ka nga këta të pasurit e Tiranës, bashkë me gastorë që kurrë nuk e bënë një vepër që, habiten pse unë shkoj në një treg, pse unë merrem me qepë e patate, pse unë merrem me çmimet e tyre. Natyrisht, kush nuk i numëron paratë por i peshon, kush i paditur për pasojë as kupton, as që i hyn në sy puna e bujkut, mundimi e sakrifica e tij për të prodhuar që të hanë këta, madje me çmime qesharake, të shesin këta nga resortet e tyre me çmime marramendëse”, tha Braçe.

“Natyrisht, unë do vijoj të merrem me bujqit, punën e tyre, produktet e çmimet e tyre; Është jeta e tyre dhe ekonomia jonë. A po, sa merreni me mua, bëni pazar e hani shalqi vendi”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb