Kush ndërhyri në polici në sistemin TIMS për të gjurmuar Hekuran Billën. A ishin autorët në dijeni të lëvizjeve të Hekuran Billës dhe a u ndihmuan ata nga informatorë brenda policisë për të rënë në gjurmë të lëvizjeve të tij brenda dhe jashtë vendit?

Hekuran Billa ishte pronar i disa bizneseve në fushën e tregtisë së automjeteve.

Përpara se të vritej, ai kishte vetëm 5 ditë që ishte kthyer nga Belgjika, ku kishte planifikuar të hapte në Tiranë edhe një biznes të makinave më qira, inaugurim të cilin nuk arriti ta kryente kurrë. Kjo, pasi plumbat i morën jetën.

Për herë të parë ‘Në Shënjestër’ në Neës24 zbulon aspekte të errëta të dosjes, se si Billa mund të jetë tradhtuar nga brenda strukturave ligjzbatuese shtetërore, të cilat mund ta kenë shitur te vrasësit. Shkresa të njëpasnjëshme të prokurorisë, na tregojnë për një dorë ende të pazbuluar, e cila është futur në sistemin TIMS, dhe ka kontrolluar lëvizjet e tij dhe jo njëherë, por disa herë në periudha të ndryshme kohore dhe këtë e ka bërë duke hyrë në sistemin TIMS të punonjësve të ndryshëm të policisë, pa u vënë re nga këta të fundit ose të paktën, kështu kanë thënë ata për grupin hetimor.

Skandali thellohet edhe me tej, kur për të dhënat në TIMS të Hekuran Billës, kanë kërkuar edhe punonjës të shërbimit sekret.

Me shkresën nr.11080/k Protokoll datë 03.06.2020 i kemi kërkuar informacion Drejtorisë Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Teknologjisë Informacionit për personat që kanë loguar në sistemin TIMS me të dhënat e shtetasit Hekuran Aqif Billa.

Me shkresën nr.60/1-k prot, datë 07.07.2020, kemi marrë përgjigje bashkëlidhur saj listën e personave punonjës të Policisë së Shtetit.

Interesant është fakti se kërkimi në sistemin TIMS, për lëvizjet jashtë vendit të Hekuran Billës, është bërë në disa drejtori policie të ndryshme, të shpërndara në Shqipëri që të le të dyshosh që, ose rrjeti i informatorëve brenda policisë ka qenë i gjerë, ose dikush lart që ka pasur akses në sistem ka ndërhyrë në programin e punonjësve të policisë ku u gjetën gjurmët e kërkimit, të cilët gjatë pyetjeve mohuan të kishin bërë kërkime të tilla.

K.GJ, punonjës policie në Drejtorinë Vendore të Policisë Kufitare në Shkodër, i është marrë procesverbal deklarimi ku mohoi që të kishte bërë kërkime në TIMS për emrin Hekuran Billa.

“Për klikimin e bërë nga adresa ime, në sistemin TIMS, më datën 21.01.2020 ora 20:23, mund të ndodhë që gjatë shërbimit t’i kem thënë ndonjërit prej kolegëve që të klikojë ndonjë person apo automjet në adresën time, por në asnjë rast nuk i kam thënë ndonjërit prej kolegëve të mi që të klikojnë gjeneralitetet e shtetasit Hekuran Billa me adresën time në sistemin TIMS”.

I njëjti procesverbal deklarimi i është marrë edhe M.SH, oficer i patrullës së përgjithshme pranë komisariatit Lushnjë, ku edhe mohoi të kishte ndërhyrë në sistemin TIMS me emrin Hekuran Billa apo të njihte autorët e dyshuar të krimit.

Madje në dëshminë e tij oficeri i policisë tha se as nuk dinte ta përdorte sistemin TIMS

M.SH., Oficer i Patrullës

“Shtetasit Viktor Marku, Ndrek Marku dhe Sebastiano Mali nuk i njoh.

Nuk kam komunikuar në telefon me këta persona dhe nuk më lidh asgjë me ta. Shtetasin Hekuran Billa, nuk e kam njohur dhe nuk e kam takuar kurrë.

Ndërsa për klikimin që është bërë në sistemin TIMS, me datën 15.11.2019, ora 23:50 nga adresa ime, me gjeneralitetet e shtetasit Hekuran Billa, sqaroj se nuk kam klikuar ndonjëherë në sistemin TIMS dhe nuk di ta përdor atë.

Nuk e di se kush mund të ketë klikuar me adresën time në sistemin TIMS”.

Të njëjtin mohim bëri edhe L.K oficer në pikën kufitare të Muriqanit në Shkodër.

Oficeri L.K, pika kufitare Muriqan

“Shtetasit Viktor Marku, Ndrek Marku dhe Sebastiano Mali dhe familjarë të tij nuk i njoh dhe nuk kam asnjë lidhje me këta shtetas.

Shtetasin Hekuran Billa, nuk e kam njohur dhe nuk e kam takuar kurrë.

Lidhur mbi klikimin në sistemin TIMS me adresën time për shtetasin Hekuran Billa, me datën 20.02.2020, ora 21: 54, sqaroj se këtë shtetas nuk e njoh.

Dhe nuk mbaj mend që të kem klikuar në sistemin TIMS, me gjeneralitetet e tij.

Sqaroj po kështu se nuk kam dijeni se shtetasi Hekuran Billa ka vrarë jashtë shtetit vëllain e shtetasit Viktor Marku”.

I vetmi oficer policie që ka pranuar njohjen me vëllezërit Marku, por që mohoi të kishte kërkuar me emrin e Hekuran Billës në sistemin TIMS, është GJ.M, i punësuar në drejtorinë e Kufirit në Shkodër.

GJ.M., Drejtoria e Kufirit në Shkodër

“E njoh shtetasin Viktor Marku nga Dukagjini, pasi vetë jam nga fshati Oblik në Shkodër, ndërsa aktualisht jetoj në Shkodër, në lagjen Tepe.

Edhe shtetasin Ndrek Marku e njoh pasi është vëllai i Viktor Markut.

Kam pasur numrin e telefonit të Ndrek Markut, pasi kam lozur futboll disa herë me këtë shtetas, por kjo ka ndodhur para shumë kohësh, ndoshta më shumë se para një viti. Nuk më kujtohet numri i telefonit të Ndrekës.

Shtetasin Hekuran Billa nuk e kam njohur dhe nuk e kam takuar kurrë.

Lidhur mbi klikimin e kryer në sistemin TIMS, me të dhënat e shtetasit Hekuran Billa më datë 22.02.2020 ora 11:58, ora 10:12, ora 11:59, nuk më kujtohet përse mund të kem klikuar në sistemin TIMS me të dhënat e këtij shtetasi”.

Një tjetër punonjës policie i pyetur në lidhje me sistemin TIMS dhe kërkimin që kishte kryer për të paktën tre herë me emrin Hekuran Billa, është edhe Rr. D, specialist në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

Rr. D., Drejtoria Vendore Tiranë

“Për sa i përket klikimeve të bëra nga adresa ime në sistemin TIMS, me gjeneralitetet e shtetasit Hekuran Billa, sqaroj se më datën 04.12.2019 kam qenë me shërbim dhe mund të ma kenë dhënë patrullat për ta verifikuar.

Ndërsa për klikimet e datave 18.11.2019 dhe atë të datës 19.10.2020, nuk kam qenë në shërbim.

Për personat që dalin me probleme ka një praktikë punë të veçantë, ndërsa për personat që dalin pa probleme ata nuk regjistrohen në asnjë vend pasi nuk është në praktikën e punës që bëjmë”.

Ndërkohë që të njëjtin fakt e mohoi edhe B.M, punonjës policie pranë trupës së shërbimit në seksionin e ruajtjes së objekteve të rëndësisë së veçantë.

B.M., punonjës policie Tiranë

“Lidhur mbi klikimin që kam bërë në sistemin TIMS, më datën 19.01.2020, ora 01:07, sqaroj se në atë kohë kam qenë me detyrë ndihmës specialist i policimit në komunitet dhe kam mbuluar zonën e ish-Bllokut.

Nuk më kujtohet që unë të kem klikuar në sistemin TIMS, me të dhënat e shtetasit Hekuran Billa. Por një gjë të tillë mund ta kem bërë vetëm për arsye pune”.

I vetmi nga punonjësit e policisë që pranoi se kishte kryer klikime në sistemin TIMS, për emrin e Hekuran Billës, është G.B., me detyrë specialist për hetimin e krimeve në Komisariatin Nr. 6 në Tiranë.

G.B., Oficer Policie Tiranë

“Kam klikuar në sistemin TIMS me të dhënat e shtetasit Hekuran Billa pasi më parë më kishte ardhur fleta e lirimit nga burgu e këtij shtetasi dhe kam filluar praktikën për ta evidentuar si person me precedentë kriminal, kjo sipas udhëzimit të Ministrit të Brendshëm.

Këtë shtetas e kam regjistruar si person me precedentë kriminal, më datën 25.04.2019, pasi është përpiluar dokumentacioni përkatës dhe kam saktësuar adresën e banimit të tij. Kam paraqitur fletën e lirimit për shtetasin Hekuran Billa”.

Një tjetër oficer policie që u pyet në lidhje me sistemin TIMS, ishte edhe F.K.

F.K., oficer policie

“Lidhur mbi arsyet e klikimit në sistemin TIMS, me gjeneralitetet e shtetasit Hekuran Billa më datën 19.01.2020 ora 04:06, sqaroj se kam qenë oficer roje në Komisariatin e Policisë Nr.2 Tiranë.

Atë natë mund të kem qenë shërbim turni i tretë dhe ndonjë patrullë mund të ma ketë dhënë për verifikim këtë shtetas dhe e kam verifikuar në sistemin TIMS. Nëse personi nuk ka ndonjë problem përgjigjen e kthejmë me telefon dhe nuk përpilojmë ndonjë dokumentacion”.

Ajo që të bën përshtypje në të gjithë procesverbalet e mbajtura nga grupi hetimor, është se të gjitha klikimet në sistemin TIMS, për emrin e Hekuran Billës, janë bërë gjatë orëve të mbrëmjes, madje në të shumtën e herëve edhe në orët e para të mëngjesit.

Madje ka raste në të njëjtën mbrëmje nga efektivë të ndryshëm policie.

Por Hekuran Billa, siç publikohet në dosjen hetimore, ishte në vëzhgim edhe nga Shërbimi Informativ Shtetëror që kishte bërë verifikimet e veta në sistemin TIMS për këtë shtetas.

Grupi hetimor

“Me shkresën nr .1095/1 prot, datë 04.12.2020, i kemi kërkuar informacion Shërbimit Informativ Shtetëror për arsyen përse kanë klikuar në sistemin TIMS, punonjësit e SHISH, me gjeneralitetet e shtetasit Hekuran Aqif Billa.

Me shkresën nr. 5319/1 prot., datë 21.12.2020 kemi marrë përgjigje ku thuhet se klikimet për këtë shtetas nga punonjësit e SHISH janë kryer për arsye pune”.

Por ende edhe sot kur kanë kaluar 18 muaj nga vrasja, prokuroria nuk ka arritur ende të zbardhë kush e vrau Hekuran Billën.

Përse zyrtarët e policisë kërkonin të dhënat e tij në sistemin TIMS?

A janë hetuar lidhjet e punonjësve të policisë me autorët e dyshuar të vrasjes?

Fakte që mund të hedhin dritë mbi krimin e rëndë, që rrezikon të mbetet një tjetër dosje pa autor, në mos e pluhurosur në sirtarët e drejtësisë, si shumë të tjera në radhë.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb