Edvini* u rikthye të martën në tavolinën e tij të punës me një palë doreza plastike në duar dhe maskën e vendosur në fytyrë. I riu, operator i kompanisë “Transcom” në lagjen nr.1 të Durrësit dhe një ndër mijëra punonjësit e sektorit të njohur si Call Center është i shqetësuar nga situata e koronavirusit, po aq sa i detyruar për t’u paraqitur në punë.

“Nuk na penalizojnë po të mos shkojmë, por nuk paguhemi. Jam i detyruar të shkoj në punë se na duhen lekët se shteti nuk na subvensionon,” tha ai për BIRN.

Evdini qëndron para kompjuterit me kufje në vesh, duke ofruar shërbime për klientët në Itali-vendi më i goditur në Europë nga virusi i ri COVID-19.

Ai thotë se detyrimet e reja për zbatimin e kushteve të higjienës janë ndarë përgjysmë mes punonjësve dhe kompanisë.

“Maskën dhe dorezat i kemi blerë vetë, kompania ka vendosur vetëm dezinfektant duarsh në hyrje dhe për të pastruar tavolinën e punës,” tha ai. “Distancën e sigurisë e kanë respektuar, duke na vendosur një operator po dhe një jo në tavolinat e punës,” shton ai.

Më 9 mars, Shqipëria u fut zyrtarisht në hartën e vendeve të prekura nga koronavirusi COVID-19 dhe prej asaj dite janë identifikuar 59 persona të prekur, nga të cilët dy humbën jetën në spitalin Infektiv.

Qeveria ka ndërmarrë masa të rrepta për parandalimin e përhapjes së virusit, ndërsa puna u paralizua në qindra biznese të vendit –një pjesë e të cilave rrezikojnë falimentin.

Të hënën, kompanitë e sektorit call center dhe ato të industrisë fason u lejuan që t’i rikthehen punës –me kusht që të zbatojnë masa shtesë për mbrojtjen e shëndetit të punonjësve të tyre.

Të dy sektorët numërojnë së bashku gati 100 mijë të punësuar në Shqipëri – që sipas sindikatave dhe organizatave për mbrojtjen e të drejtave në punë – rrezikojnë të ekspozohen më shumë se të tjerët ndaj koronavirusit.

Përfaqësuesit e të drejtave të punëtorëve denoncojnë gjithashtu mungesën e masave mbrojtëse nga kompanitë si dhe detyrimin e punonjësve për t’iu rikthyer punës përmes shtrëngimit me pagën. Në anën tjetër, kompanitë janë të paqarta për masat dhe i kërkojnë qeverisë që të miratojë sa më parë protokollet e veprimit si dhe masa lehtësuese për bizneset.

Pasiguria e punëtorëve

Punonjesit Fasoneri
Punonjesit Fasoneri

Policia e Durrësit njoftoi të martën se kishte gjobitur me 700 mijë lekë një call center në lagjen nr.1, pasi gjatë një kontrolli kishte konstatuar se punonjësit nuk ishin të pajisur me masa mbrojtëse, ndërsa dy Call Center të tjerë u referuan në Prokurori për shkelje të detyrimeve të përcaktuara në Aktin Normativ të Qeverisë.

BIRN mësoi se kompania e gjobitur është “Transcom Worldwilde Albania” ku punon Edvini dhe mbi 500 punonjës të tjerë. Të kontaktuar nga BIRN përmes telefonit, përfaqësues të kompanisë nuk pranuan të komentonin.

Edvini tregon se gjobitja nuk e ndali punën në ambientet e kompanisë, por i shtyu drejtuesit e saj që të premtonin pajisjen me maska dhe doreza të punonjësve.

“Vetëm pas gjobitjes na njoftuan se do na sjellin maska e doreza dhe ata që janë larg, mund të punojnë nga shtëpia,” tha operatori.

Ndryshe nga sektori Call Center, industria e fasonerisë i është rikthyer pjesërisht punës, pasi një pjesë e subjekteve nuk kanë marrë ende vendim se çdo të bëjnë më tej. Punonjësit e kompanive të hapura të fasonerisë u kthyen gjithashtu në punë me zemër të ngrirë.

“Sot nisëm punën, por me shumë frikë. Ne jemi ndërmarrje e vogël, me 50 punëtorë dhe prodhojmë zbukurime që i eksportojmë në Itali,” tha Afërdita*, punëtore e një kompanie fason në zonën e Fllakës në Durrës.

Afërdita nuk u ankua për masat e marra nga kompania, ndërsa tha se ajo u kishte vënë në dispozicion autobus, maska dhe doreza.
Përfaqësues të sindikatave dhe shoqatave për mbrojtjen e të drejtave në punë i thanë BIRN se masat e higjienës dhe kushtet e sigurisë në kohë epidemie nuk zbatohen në mënyrë të standardizuar në të gjitha kompanitë, duke i ekspozuar punonjësit ndaj rrezikut. Ata shtojnë gjithashtu se punëtorët janë detyruar që të dalin nga izolimi, ose në të kundërt nuk paguhen.

Tonin Preçi, kryetar i sindikatës “Solidariteti” me fokus në sektorin Call Center thotë se disa kompani kanë marrë masa kundër COVID 19, ndërsa të tjerat jo.

“Kompanitë e mëdha kanë marrë masa mbrojtëse për punëtorët. Kompanitë e mesme i detyrojnë punonjësit që të vijnë me maska dhe doreza, por nuk ua ofrojnë vetë. Kompanitë e vogla, as nuk i kërkojnë dhe as nuk i ofrojnë,” tha Preçi për BIRN.

Altin Gjeçi, kryetar i Forumit për të Drejtat e Punës thotë se ndonëse punonjësit nuk janë penalizuar me largim nga puna, ata janë detyruar që të shkojnë nëpër fabrika ose në të kundërt nuk paguhen.

Gjeçi tha se kompanitë nuk po zbatojnë detyrimin për t’i dhënë leje njërit prind apo punonjësve me prindër të sëmurë, ndërsa ka ndër ata që i kërcënojnë punëtorët se nuk do t’i paguajnë fare nëse qëndrojnë në shtëpi.

“Duhet përmendur rasti i një fasonerie në zonën e Fllakës në Durrës, ku punonjësit ishin detyruar të shkonin në punë, pasi pronari i kishte kërcënuar se nuk do u kalonte rrogën e muajit shkurt nëse nuk paraqiteshin,” tha Gjeçi.

Biznesi pret udhëzime

Korona Policia 512x400
Korona Policia 512×400

Njësoj si të gjithë shqiptarët, edhe kompanitë e biznesit po përpiqen të përshtaten me regjimin e rreptë që imponon emergjenca nga pandemia e COVID-19. Një pjesë e kompanive Call Center në Durrës po përpiqen të transferojnë një përqindje të punës në shtëpitë e operatorëve –ndërkohë që biznesi fason e ka të pamundur ta bëjë një gjë të tillë.

Të dy sektorët ankohen megjithatë për mungesën e protokolleve të veprimit për aktivitetet që do të hapen dhe i kërkojnë qeverisë që t’i miratojë ato sa më parë.

Ines Muçostepa, kryetare e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë i tha BIRN se disa prej kompanive që vazhdojnë aktivitetin kanë marrë masa mbrojtëse, duke blerë maska, doreza dhe dezinfektantë për punonjësit e tyre.

Megjithatë, ajo pranoi se biznesi i call center po përballet me vështirësi për ta transferuar një pjesë të aktivitetit nga shtëpia.

“Mund të transferohet deri në 30 % të punës në shtëpi, por ka disa vështirësi, që nisin me transferimin e kompjuterëve nga kompania tek punonjësit, lidhjen e tyre me internetin apo nevojën e mbështetjes me specialist për Teknologjinë e Informacionit [IT],” tha Muçostepa.

Gjergji Gjika, kryetar i Dhomës së Fasonerisë në Shqipëri pohon se biznesi fason që punëson sipas tij 76 mijë të punësuar po përballet me vështirësi edhe më të mëdha për të rifilluar punën.

“Në shumicën e subjekteve punohet familjarisht dhe janë të gjithë të rriskuar, nga punëtori deri tek pronarët e familjarët e tyre,” tha Gjika për BIRN. “Jeta do të vazhdojë, por parimi ynë është jeta e njeriut mbi të gjitha,” shtoi ai.

Ndërsa kryeministri Edi Rama ka listuar një listë të gjatë me gjoba të kripura për shkelësit e masave kundër koronavirusit, biznesi pret udhëzime të qarta për masat që duhet të marrë për mbrojtjen e shëndetit të punonjësve.

Muçostepa i tha BIRN se Bashkimi i Dhomave të Tregtisë i ka kërkuar qeverisë që të hartojë një Protokoll Veprimi për mënyrën se si duhet të operojnë ndëmarrjet që do hapen në mbrojtje të punonjësve të tyre.

Nevoja për këtë Protokoll ngrihet edhe nga përfaqësuesit e punëtorëve të fasonerive, që nisin nga ndërmarrje me 50 punëtorë dhe shkojnë deri tek ato me mbi 1500 punëtorë. P

“Së pari duhen përcaktuar masat teknike për mbrojtjen e punonjësve në punë, e më pas të realizohet kontrolli dhe zbatimi i tyre nga subjektet fason,” thotë Altin Gjeçi nga Forumi për të Drejtat e Punës.

Gjika i Dhomës së Fasonerisë thotë se të paktën gjysma e kompanive me të cilat ka pasur kontakt kanë marrë masa mbrojtëse për punonjësit.

“I kanë pajisur punëtorët me maska, doreza dhe kanë dezinfektuar ambientet. Distancat e sigurisë janë pjesë e masave dhe në ambiente si mensat, po konsumohet ushqimi me turne dhe jo të gjithë se bashku në një orar,” tha Gjika.

Me faliment te pragu
Kryeministri Edi Rama ka premtuar një paketë të garancisë financiare për biznesin, por askush nuk e di ende se çdo të përmbajë ajo. Pyetjeve të shumta për lehtësirat e mundshme, Rama u është përgjigjur me thirrjen për të bërë durim.

Kryeministri ka premtuar gjithashtu kompensimin e pagave të munguara ndaj punonjësve që qëndrojnë në shtëpi si pasojë e mbylljes së biznesve ku ata punojnë.
Premtimet konsiderohen gjerësisht të pamjaftueshme nga përfaqësuesit e biznesit.

“Një porosi që të realizohet, kërkon 1-3 muaj punë. Ne kemi kontrata me afate dhe nëse nuk i përmbahemi, rrezikojmë që klientët tanë të ikin dhe të mos kthehen më, duke humbur kështu palën porositëse”, tha Gjika për BIRN.

Një situatë të ngjashme paraqet edhe sektori “Call Center” që punon me dy shërbime; ai për klientin dhe ai i marketingut për shitjen e produketeve apo ofrimin e shërbimeve.

“Në disa prej vendeve që janë lidhur kontrata, shërbimi i klientit konsiderohet si interes publik dhe nuk mund të ndërpritet. Nga ana tjetër, kjo do të largonte klientët e kompanive duke i lënë ata pa punë,” shpjegon Muçostepa.

Gjika tregon se rinisja e punës nuk ka qenë me kapacitet të plotë të fuqisë punëtore, pasi disa nga frika kanë zgjedhur të mos paraqiten. Ai shton se biznesi fason po përballet kështu me një krizë të tretë, pas asaj të rënies së kursit valutor të këmbimit të euros dhe ikjes së fuqisë punëtore jashtë vendit, që ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhurat e fasonëve. /Reporter.al/

*Emrat e punonjësve të Call Center dhe industrisë fason janë ndryshuar pas kërkesës së tyre për të folur në kushtet e anonimatit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb