TIRANË

Përmes një postimi në facebook, akademiku Artan Fuga ndalet sërish sot në gjuhën e dhunës në fushatën elektorale, për të cilën dje shkroi se tashmë ka nisur.

Ndërsa rendit një sërë argumentash pse shërben ajo në fushatë, Fuga shkruan se dhuna verbale në çdo rast i shërben qeverisë, në çdo rast mazhorancës, në çdo vend dhe kohë, dhe dëmton rëndë, por shumë rëndë opozitën.

Postimi i plotë:

Kush përfiton nga gjuha e dhunës në fushatën elektorale.
Gjuha e dhunës në fushatën elektorale, nga pikëpamja e sociologjisë funksionaliste, dhe e teorive pragmatiste në shkencat e komunikimit, shërben për:

1. Tërhequr vëmendjen nga problemt e vërteta sociale dhe ekonomike të shoqërisë duke e zëvendësuar me sherre të pakuptimta individuale.
2. Ndihmon që në vend të kërkohet analiza e politikave të deritanishme të harrohen ato duke u zëvendësuar me gjoja debate me fjalë sharëse pa asnjë interes.
3. Kontribuon që zëra intelektualë dhe ekspertë qytetarë të mos marrin pjesë në debate sepse këta kanë ndrojtje se i njollosin me sharje që ata nuk i durojnë dot.
4. Mbulon paaftësinë e administratorëve të lartë politikë dhe drejtuesve politikë që të përballojnë me ekspertizë problemet që i interesojnë publikut, por i zëvendësojnë këto me retorikë gjoja të fortë.

5. Ndihmon që media dhe gazetarët të mos jenë cerebralë dhe gjakftohtë, por të jepen pas frazave të shkurtra pa kupim që në fakt tërheqin klikime.
6. Prodhon një klimë frike dhe tërheqje për qytetarët, të cilët mblidhen në vetvete duke menduar se politika nuk është për ata.
7. Bën që të gjitha palët të duken njësoj në sytë e elektoratit sepse ky i fundit mendon se të gjithë një gjuhë përdorin dhe se të gjithë një m. janë.
8. Mobilizon militantët, të cilët edhe pse nuk dinë se çfarë të bëjnë organizohen përballë imazhit agresiv të kundërshtarit të tyre. Pra, realizon inkuadrimin e militantëve të lëshuar në dëshpërim.
9. Bën që kandidatët për deputetë të mos vlerësohen nga elektorati për performancat e tyre politike, por thjesht për sensin retorik të dhunshëm.
10. Ul pjesëmarrjen në zgjedhje duke ie bërë rezultatin pasojë e votës vetëm e një minorance militantësh.

Për këtë arësye theksoj me përgjegjësi profesionale se ndonëse nuk mund të them se kush e nxit dhunën (dhuna në fakt nuk ka fillim, është dukuri interaktive), dhuna verbale në çdo rast i shërben qeverisë, në çdo rast mazhorancës, në çdo vend dhe kohë, dhe dëmton rëndë, por shumë rëndë opozitën.
Kaq sa për sot!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb