Pas konfliktit: Piro Bare forcohet, kompania e Ilir Karçinit del nga tregu. Dy ndërmarrje, Prima Gas SHA dhe Mare Oil SHA konkurrente të A&V Gas kanë dalë nga tregu i importit dhe shitjes me shumicë, sipas Autoritetit të Konkurrencës…

Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të hapë sërish hetim paraprak në tregun e importit, shitjes me shumicë dhe pakicë të gazit të lëngshëm të naftës, për shkak të problematikave që paraqet ky treg. Ky treg ka qenë shpesh në vëmendje të Autoritetit, që ka realizuar në tregun e shërbimit të ngarkim-shkarkimit të GLN-së dhe në tregjet e lidhur me të, disa procedura hetimore: hetimin e thelluar në bazë të Vendimit nr. 147, datë 23.06.2010 “Për hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e shërbimit të ngarkim-shkarkimit dhe depozitimit të GLN-së”, Vendimit nr. 201, datë 20.09.2011 dhe vendimit nr. 277, datë 03.04.2013, në të njëjtin treg përkatës.

Sipas Autoritetit, tregu i importit dhe shitjes me shumicë të GLN-së paraqet karakteristikat e një tregu me përqendrim te lartë, ku ndërmarrja A&V Gas SH.A zotëron rreth 58% të tregut për vitin 2014 dhe ndërmarrja më e afërt me të, Kevin Gas SH.A, ka rreth 18% të tij. Ndërmarrja A&V Gas SH.A ka një pozitë dominuese të konsoliduar për një periudhë kohe prej 4 vitesh në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të GLN-së.

Nga monitorimi rezulton se mund të jemi përballë kufizimeve të konkurrencës, ku është konstatuar që ndërmarrja me pozitë dominuese ka shitur në dy periudha afatshkurtra me çmime më të ulëta se kosto mesatare totale (ATC), si edhe dy ndërmarrjet Prima Gas SHA dhe Mare Oil SHA konkurrente të ndërmarrjes me pozitë dominuese kanë dalë nga tregu i importit dhe shitjes me shumicë.

Si rrjedhojë, Autoriteti i Konkurrencës, vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e importit dhe shitjes me shumicë e pakicë të GLN-së për periudhën kohore 2012-Prill 2015;

Konflikti
Aksioneri I Prima Gas Ilir Karcini u arrestua në fillim të vitit 2014 pasi kishte dhënë porosi për vrasjen e konkurrentit Piro Bare, aksioneri i A&V Gas SH.A.
Piro Bare vijon të jetë aksioneri i vetëm i A&V Gas, sipas të dhënave të fundit nga QKR.
Ndërsa Karçini nuk arriti ta shpëtojë kompaninë e tij edhe pse vendosi si administrator të shoqen, ndërsa vijoi të kishte 100% pronësinë e aksioneve. Aksionet e kompanisë janë sekuestruar në shkurt të këtij viti.

Kompania tjetër që ka dalë nga tregu Mare Oil SHA është krijuar në vitin 2002 dhe ka si aksioner të vetëm Kasem Bako. Edhe aktivet e saj janë sekuestruar në maj 2015 nga Shoqëria Përmbarimore “STRATI BAILIFF’S SERVICES.

(Monitor/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: