Në një kohë kur e gjithë bota vijon të përballet me sfidën e ringritjes ekonomike në kushtet e një regresi të shkaktuar nga pandemia, për disa vende duket se sytë janë kthyer veçanërisht në sektorin e turizimit.
Ndërsa Shqipëria synon të shndërrohet në një destinacion atraktiv për turistët e huaj, teksa garon me vende si Kroacia, Mali i Zi apo Greqia shumë pranë saj, duket se fatkeqësisht është lënë jashtë vëmendjes një aspekt tepër potencial i turizimit në vend, ai shëndetësor.

Bazuar në përvojën e vendeve të tjera, po aq sa edhe në përvojen time personale të më shumë se 10 viteve në turizmin dentar, si inicuesi i këtij sektori në Shqipëri kam bindjen se turizmi dentar gëzon të gjitha atributet për të qenë një nga gjeneruesit e rëndësishëm të të ardhurave të turizimit në vend.
Le të shohim disa fakte:

Statistikat tregojnë se mesatarisht një turist shpenzon në Tiranë 1.5 ditë qëndrimi, ndërsa një person që vjen për turizëm dentar kalon 22 ditë, që janë 3 fishi i kohës së një turisti të zakonshëm. Nëse një turist i zakonshëm shpenzon mesatarisht 300 euro në qëndrimin e tij, dikush që vjen për turizëm dentar shpenzon 6-7 mijë euro, pa llogaritur shpenzimet e akomodimit dhe ushqimit.

Sipas një artikulli të publikuar në CNN dhe që citonte burime zyrtare vendase, gjatë vitit 2020 India parashikoi të rriste me 200% të ardhurat nga turizmi mjekësor që priten të kapin një vlerë prej 9 miliardë dollarësh.

Ndërkohë, sipas shifrave të bëra publike, deri në vitin 2018 turizimi mjekësor qarkullonte reth 100 miliardë dollarë në vit dhe prek rreth 10 milionë pacientë.

Nga ana tjetër janë të paktën 200.000 italianë që udhëtojnë jashtë vendit për turizëm mjekësor dhe shërbime të tilla si trajtime dentare, estetike, apo trapiante flokësh, duke shpenzuar çdo vit 3-4 miliardë euro.

Përballë kësaj situate globale qëndron Shqipëria, ku fatkeqësisht edhe shifrat e lidhura me këtë sektor janë të paqarta e të cunguara dhe as në faqen e INSTAT nuk figurojnë të dhëna të sakta për të huajt që hyjnë në Shqipëri për qëllime shëndetësore.

A është normale që pyetja në aeroport e turistëve të përdoret si kriter i vetëm për klasifikimin e arsyeve të hyrjes së tyre në vend? Ndërkohë që deklarimet e bizneseve në tatime, do të mjaftonin për të dhënë një panoramë më të qartë lidhur me këtë trend.

Referuar turizimit shëndetësor dhe më specifikisht atij dentar, desha të ndalem në disa elementë kyç, që do të përbënin thelbin e rregullave të një loje të ndershme e shumë efikase për një vend si yni.
Në një popullsi prej 5.8 milionë banorësh, Roma numëron pak a shumë 4500 dentistë që do të thotë 1 dentist për 1288 banorë.

Ndërkohë vetëm në Tiranë, në një popullsi afersisht prej 850 mijë banorësh numërohen 2800 dentistë, që do të thotë 1 dentist për 300 banorë.

Lindja e universiteteve private dhe liberalizimi i profesionit solli një mbingopje të tregut me stomatologë dhe punonjës të shërbimeve dentare, jashtë logjikës së tregut bazuar në parimin kërkesë-ofertë.
Është e trishtueshme të them, se për mua si sipërmarrës është disa herë më e vështirë të rekrutoj një kamarier se sa një dentist. Qoftë për mungesën e personave të kualifikuar në rastin e parë ashtu edhe për mungesën e personave të interesuar.

E ndërsa u kujdesëm për të formuar dentistë e laborantë dentarë, ndoshta shumë më tepër nga sa nevojiteshin kemi çuar në ngritjen e një numri të madh të klinikave dentare, një pjesë e të cilave për të mbijetuar detyrohen të ulin çmimin në “kurriz” të cilësisë. Nga ana tjetër, në pamundësi për të gjetur tregun e punës në Shqipëri, këta dentistë do të shihnin emigracionin si një rrugë. Por kujdes! Ndryshe nga mjekët, ata nuk mund të ushtrojnë profesionin e tyre në asnjë vend të BE-së, pasi struktura e mbyllur e këtyre vendeve dhe mosnjohja e diplomës së tyre atje do ta bënte të pamundur këtë alternativë.

Unë e cilësoj një bombë sociale këtë kategori dhe e vetmja mënyrë për ta shpëtuar, është stimulimi i turizmit dentar, pasi tregu i brendshëm është tashmë qartësisht i pamjaftueshëm.
Kur flas për turizëm dentar flas për struktura të mirëfillta të turizimit shëndetësor, që nisin qysh me pritjen e turistëve në aeroport, akomodimin në hotele cilësore dhe me strandarde, sigurimin e guidave në kohën e lirë dhe natyrisht ofrimin e shërbimeve dentare (nga më të thjeshtat tek më të specializuarat) në nivele dhe cilësi të njëjtë me atë të vendeve të BE-së.

Një shërbim i tillë nuk është utopi për Shqipërinë e sotme. Është realitet, të paktën në biznesin që drejtoj prej vitit 2009 e ku janë të punësuar më shumë se 100 persona. Sigurisht për të mbërritur në një nivel të tillë është dashur investim.

Janë miliona euro të shpenzuara, jo vetëm për imazhin e dentistëve në Shqipëri, por edhe për imazhin e vetë Shqipërisë, veçanërisht në tregun italian e më gjerë. Është punë e ditë pas dite, që media të tillë si CNN, Corriere della sera, Forbes apo “Marie Claire” të flasin për ne. Nuk është aspak rastësi të jemi në faqet e këtyre mediave botërore, por fryt i një investimi dhe pune cilësore, që ka folur qartë përgjatë këtyre viteve.

Por druaj se sot, ky imazh i ndërtuar me shumë mund ka nisur të lëkundet për shkak të disa klinikave, të vogla a të mëdha qofshin, që të ardhurat e tyre përpiqen t’i nxjerrin mbi emrin e dentistëve shqiptarë. Nuk është aspak e drejtë dhe për më keq është e rrezikshme, që klinika të caktuara, pa kapacitete, pa një strategji dhe pa një investim të mirëmenduar në turizmin dentar, përpiqen të marrin gati një pjesë të “tortës” që të tjerët gatuan në vite. Ajo që është edhe më shqetësuese në këtë histori, nuk është fakti që po gjejnë rrugën më të shkurtër për të thithur atë kategori pacientësh italianë tashmë të bindur dhe të përgatitur për të ardhur në Shqipëri, por thjesht po ulin çmimin deri në 50% më pak se vlera e tregut dhe po degradojnë cilësinë duke vënë në rrezik imazhin e shërbimit dentar në Shqipëri.

Logjikisht, nisur nga përvoja ime më shumë se 10-vjeçare, ka vetëm dy mënyra për të shkuar në çmime 50% më pak:
1. Ose të ulësh në maksimum cilësinë e materialeve që përdoren.
2. Ose të evadosh kundrejt shtetit dhe sistemit fiskal.
Në të kundërt, me një cilësi të mirë shërbimi, duke llogaritur të gjitha shpenzimet, taksat, detyrimet, 15% në tatimin mbi të ardhurat, kostot për guidat, pagat e stafit etj, çmime të tilla do të ishin të pamundura ose do të çonin në faliment cilindo.

Unë besoj dhe vazhdoj të mendoj, se pacientët e huaj janë pa dyshim shpëtimi për dentistët shqiptarë dhe dua të theksoj fort mbi këtë argument, por dëshira e mirë nuk mjafton. Është koha që sytë të hidhen në tregje të reja, në vende të tjera të Europës që janë potencial për ne, dhe cilido që kërkon të bëhet pjesë e kësaj industrie, të investojë për të krijuar brendin dhe identitetin e tij, nëse do dojë të qëndrojë gjatë në këtë fushë.

A mund të arrihet kjo? Sigurisht që po. Shteti mund dhe duhet të ndërhyjë si rregullator, jo vetëm i një sektori publik, sikurse janë shërbimet dentare, por si rregullator në një industri, që sikurse disa herë e thashë me lart ka gjithë potencialin për të qenë faktor në ekonominë e vendit.
Natyrisht, pa detyruar, pa imponuar, por duke vendosur rregulla loje.

Së pari protokollet, aplikimi i të cilave do të çonte në standardizimin e çmimeve. Nëse protokollet e trajtimit dentar do të ndiqeshin me përpikmëri, ju siguroj që asnjë klinikë nuk do të kishte mundësi të ofronte një çmim 50% më pak se një tjetër.

Së dyti, deklarimi i të ardhurave. Nëse të gjitha klinikat e futura nëpër lagje e pallate do të deklaronin çdo shërbim dhe të ardhur, ju garantoj se asnjë prej tyre nuk do të kishte mundësi të luante me çmimet, që për fat të keq nuk kanë as tavan e as dysheme.

Së treti, strukturat shtetërore duhet dhe kanë të gjithë tagrin ta shohin me prioritet këtë industri që po lind duke krijuar lehtësi apo suport në drejtim të taksave, ashu si dhe në sektorë të tjerë të turizmit.

Së katërti, është koha që këto struktura edhe të rankohen, (ashtu sikurse dhe hotelet rankohen) bazuar në cilësinë dhe shërbimet që ofrojnë.

Nëse “Gremi Clinic” punëson sot 7 guida, apo 8 koordinatorë për t’u dhënë shërbim maksimal pacientëve jo vetëm brenda klinikës, por edhe në shëtitjet për të njohur Shqipërinë, a nuk do të ishte e udhës që ne të kishim një tjetër nivel rankimi nga një strukturë që nuk posedon fjala vjen, asnjë shoqërues? Nëse ne kujdesemi për pacientët, që nga ardhja e tyre në aeroport e deri në përcjelljen e tyre, a nuk meritojmë të kemi një tjetër nivel kategorizimi me një klinikë që thjesht kryen trajtimet dentare dhe mbyll gjithçka aty? Nëse kërkojmë dhe kemi mundësi të zgjedhim një hotel me 5 yje, le t’u japim mundësi pacientëve të njohin edhe yjet e klinikave ku marrin shërbim.

Të gjitha këto referime, duke imponuar një çmim të caktuar mbështetur në cilësi, do të garantonin mbajtjen në këmbë të turizimit dentar dhe dinjitet për stafin e këtyre strukturave: guida, koordinatorë, staf teknik, mjekë.

Kur flas për dinjitet e kam fjalën për 35 orë punë dhe 2 ditë pushimi në javë, 4 javë leje në vit, pagesa të kënaqshme, vazhdimësi, kontrata të rregullta dhe nayrisht të drejta për më shumë se 100 punonjës.
Të gjitha këto referime besoj se do të nxirrnin jashtë funksioni çdo laborator dentar që punon në mënyrë informale, pa plotësuar kushtet higjieno-sanitare dhe do të krijonin një tjetër dimension pune për ata qindra laborantë që ashtu si dentistët u formuan gjatë viteve të fundit, pa konsideruar nevojat e tregut.
Me keqardhje vërej një tjetër fakt, që për mua e bën emergjente nevojen e një ndërhyrjeje dhe të një sistemi rregullator:

Kur në vitin 2009 e pashë turizimin shëndetësor si një sektor ku vlente të investohej, në treg ishin hungarezët me Budapestin, kroatët me 5 struktura të mëdha dhe Rumunët me Bukureshtin, ku këto shërbime sapo kishin lindur.
Vendosa çmime 30% më të ulëta se Hungaria që ishte pjesë e BE, 15% më pak se kroatët dhe pak a shumë në nivele të njëjta me rumunët. Ndërkohë, Serbia dhe Moldavia ende nuk e kishin nisur këtë udhëtim.

Dhe ky vendim kishte disa arsye: Pozitën gjeografike të Shqipërisë, fakti që turizmi dentar ishte një start-up për ne, niveli i jetesës, por dhe imazhi i Shqipërisë në sytë e italianëve, që atëherë ishin tregu ynë kryesor.
Që nga ajo kohë, çmimet kanë shkuar respektivisht duke u rritur në secilin vend, çka bëri që të ruhej i njëjti standard, ndërkohë që në treg futen edhe serbët me çmime të afërta me tonat dhe moldavët me 60% më pak se ne.

Sot, struktura të caktuara kanë çuar kostot në 10% më pak se moldavët, një çmim që për shkak të pozitës gjeografike të Shqipërisë, cilësisë së shëbimit dhe taksave nuk mund të jetë i tillë, e që dëmton imazhin e ndërtuar në vite dhe nxit konkurencën e pandershme brenda tregut, ndërsa konkurenca jonë duhej të ishte me vendet e rajonit. Kam parasysh kroatët që lëvizin në tregun e tyre të brendshëm, jo më shumë se 6%.

Në një kohë e në një vend, ku ndër të tjera një pjesë e materialeve dentare hyjnë e dalin me çanta dore si të ishin veshje pa doganë duke anashkaluar edhe depot dentare, një sistem rregullator mes portokolleve dhe fiskalizimit, nuk do të bënte tjetër veçse do të nxiste zhvillimin e ndershëm të një sektori që është shumë më tepër se sa thjesht industri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: