Më shumë se nëntë muaj pas pushtimit rus, në prag të Krishtlindjes, botohet një libër që mbledh të gjitha fjalimet e deritanishme të Papa Françeskut për paqen. Nën titullin “Një enciklikë për paqen në Ukrainë”, libri paraqet disa nga fjalimet më të famshme të kreut të Vatikanit.

“Zoti është Zot i paqes, dashurisë dhe shpresës”, shkroi Papa argjentinas.

Në fjalët e Papa Franceskut është e pamundur të mos vihet re një kritikë ndaj qëndrimit të patriarkut rus Kirill, i cili që nga shkurti i kaluar e ka justifikuar luftën në Ukrainë më shumë se një herë, duke argumentuar se “është e drejtë të luftosh” për të mos pranuar mëkatin si model jete.

Kreu i Kishës Ortodokse Ruse ka deklaruar më parë në një predikim se ushtarët rusë që vdesin në luftime në Ukrainë do të fitojnë Parajsën.

Papa Françesku është pozicionuar me vendosmëri kundër këtij leximi teologjiko-politik dhe e ka përsëritur atë në parathënien e librit të ri, duke shkruar se “tmerret e luftës , të çdo lufte, ofendojnë emrin më të shenjtë të Zotit” dhe e ofendojnë atë “aq më shumë nëse me emrin e tij abuzohet për të justifikuar këtë masakër të papërshkrueshme”.

Në një intervistë për Corriere della Sera, Papa Francesku kishte zbuluar se gjatë një bisede video me patriarkun rus Kirill, një ditë pas shpërthimit të luftës, ai e kishte paralajmëruar ashpër. Fjalët e thëna e kishin tërbuar Patriarkun e Moskës dhe bënë që takimi i parashikuar në Kazakistan të anulohej.

Në parathënie, Françesku përmendi një paraardhës “të pakëndshëm” të tij, Atë Piu XII, i cili pikërisht në prag të shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore duhej të deklaronte se “asgjë nuk humbet me paqen, gjithçka mund të humbet me luftë”.

Ndërkohë, në 8 dhjetor, Papa ka shpallur një lutje për paqe, për Ukrainën e torturuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb