Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të mërkurën se tërheqja e trupave të aleancës nga Afganistani do të jetë e “kushtëzuar”.

Gjatë një takimi virtual me udhëheqësit e NATO-s, zoti Stoltenberg tha se talebanët duhet të “përmbushin kushtet” duke ulur dhunën dhe duke i dhënë fund mbështetjes për “grupet ndërkombëtare terroriste si al Qaida.”

Ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare në NATO po takohen virtualisht në një konferencë dy-ditore për të diskutuar një seri çështjesh me të cilat përballet aleanca. Diskutime të hollësishme do të zhvillohen të enjten rreth statusit të 2,500 trupave amerikane dhe 7,000 forcave të tjera të koalicionit në Afganistan.

Talebanët paralajmëruan NATO-n përmes një deklarate të shtunën kundër “vazhdimit të lutës” për të cilën thanë ata se, nuk i sherben interesave të asnjërës palë të përfshirë në konfliktin 20-vjeçar.

“Kushdo që kërkon zgjatjen e luftërave dhe pushtimit do të mbahet përgjegjës për to sikurse për dy dekadat e mëparshme”,thuhej në deklaratë.

Para takimit të së mërkurës, Ministrja e Mbrojtjes së Gjermanisë Annegret Kramp-Karrenbauer paralajmëroi se bisedimet e paqes nuk kanë përparuar aq sa të mundësojnë tërheqjen e trupave të NATO-s.

“Kjo nënkupton se duhet të përgatitemi për ndryshimin e situatës së sigurisë dhe një kërcënim në rritje për trupat ndërkombëtare dhe ushtarët tanë”, tha ajo përmes një deklarate.

Ish-Presidenti Donald Trump ra dakord me talebanët vitin e kaluar që trupat amerikane të largoheshin nga Afganistani deri majin e vitit 2021 në shkëmbim të kushteve ku përfshihej ndërprerja e lidhjeve me al-Qaidën dhe fillimi i bisedimeve të paqes me qeverinë afgane.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se administrata e tij do ta rishikojë marrëveshjen, ndërsa Pentagoni akuzon talebanët se kanë dështuar të përmbushin angazhimet për të zvogëluar dhunën./voa

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb