TIRANË

“Unë, bashkëshortja ime, familja ime, familja e bashkëshortes, në rreth të parë, në rreth të dytë e të pafundëm nuk ka asnjë lidhje gjaku me të”. Kështu ka deklaruar zëvendës kryeministri Erion Braçe sot, një ditë pasi gjykata vendosi të lërë në burg ish-kreun e Kadastrës në Durrës Liridon Pula ndërsa ai akuzoi prokurorin Arjan Ndoj duke i dalë në mbrojtje ish-zyrtarit.

Braçe tha se deklarata e ish-deputetit të PD Enkelejd Alibeaj është një shpifje dhe se do përballet në gjykatë.

“Talebani që artikuloi këtë dje dhe ngriti mbi këtë shpifje një episod të tërë korrupsioni do të vijë ta provojë në gjykatë dhe ky do të jetë fillimi për të dhe rracën e tij të talebanëve politikë në përballjen për çdo gjë të bërë në këtë vend. Drejtuesin e ASHK as e kam futur unë në sistem dhe as e kam komanduar unë. Nuk ka asnjë akt që dëshmon të kundërtën. Drejtuesi i ASHK-së në qendër mund të dëshmojë. Librat në ASHK janë të hapur”, tha Braçe.

Më tej zëvendës kryeministri tregoi se është takuar vetëm dy herë me drejtuesin e ASHK dhe ka folur një herë në telefon ku i është bërë e ditur se shantazhohej prej një muaji. Për këtë gjë, Braçe deklaroi se ka njoftuar Prokurorinë dhe kryeministrin Edi Rama.

“Drejtuesin e ASHK në Durrës e kam takuar vetëm 2 herë gjatë gjithë jetës. Në muajin maj dhe në muajin qershor. Njëherë në ASHK-në e Durrësit dhe herën e dytë këtu poshtë në katin e parë, gjatë një raportimi të përmuajshëm. Kamerat e të dyja institucioneve mund ta dëshmojnë fare mirë këtë gjë. Me të kam folur vetëm një herë në telefon, të shtunën e javës që shkoi ku pas një statusi të një talebani politik, i gjithë i rremë i kam kërkuar shpjegime dhe mora përgjigje prej tij se ajo ngjarje nuk kishte ekzistuar kurrë. Në atë bisedë, të vetmen telefonike kam marrë të gjithë dëshminë e shantazhit një mujor ndaj tij, me emra e mbiemra me episode konkrete. Pas asaj dëshmie kam njoftuar drejtuesin e KLP, të Prokurorisë, kryeministrin e kreun e komisionit të ligjeve”, deklaroi Braçe.

Referuar akuzave nga opozita për presion ndaj drejtësisë dhe prokurorit Ndoj, Braçe tha se nuk ka pasur asnjë kontakt as me prokurorin e as gjykatësin.

“Nuk kam pasur asnjë kontakt me këtë prokuror, e kam njohur vetëm gjatë këtyre ditëve. Nuk kam pasur asnjë kontakt kur u regjistrua procedimi, as gjatë hetimit dhe as dje kur lexoi akuzën dhe justifikoi para gjykatës arrestin. Dje gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk kam pasur asnjë kontakt me të. Përgjatë një muaji nuk kam qenë në dijeni përveç se të shtunën që shkoi. Nuk e kam njohur dhe s’kam komunikuar kurrë me këtë njeri. Gjykatësin e gjyqit të djeshëm nuk e njoh fare dhe që nga dje nuk dua as ta njoh fare. Nuk kam folur deri dje, vetëm kam heshtur. Kam folur dje pas vendimit më shumë për atë që di unë.

Të vihesh në dijeni të akteve kriminale dhe të durosh gjithë krimin e konsumuar hapur kundër lirisë së tjetrit, ky është presioni? E vërteta patjetër që është e fortë por jo presion”, deklaroi Braçe.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb