Nënkryetari i PD-së Edi Paloka, në një intervistë për emisionin “Kjo javë” në “News 24” të gazetares Nisida Tufa, duke folur për fshehjen e mundshme të numrit të të vdekurve për shkak të koronavirusit, tregoi historinë e tij personale.

Paloka tha se xhaxhai dhe kushërira e tij kishin ndërruar jetë nga Covid-19, mirëpo institucionet shtetërore nuk e kanë raportuar se shkak ishte pikërisht virusi.

Mua më ka ndodhur fatkeqësi, pasi kam humbur person të afërt nga pandemia. Unë rastin nuk e kam përdorur politikisht. Vajza e tezës sime nuk rezulton e vdekur nga virusi. Në kartelë përshkruhet çdo gjë, vetëm koronavirusi nuk përmendet. Vajza e tezes sime, që është pedagoge Irena Bogdani, u mjekua për Covid dhe humbi jetën në Spitalin Infektiv prej Covid-19.

Kur e bëjnë këtë gjë me një personalitet, pasi ishte pedagoge, imagjinoni çfarë ndodh me qytetarët e thjeshtë. Kam humbur edhe xhaxhanë, edhe ai pasi kaloi koronavirusin. Nuk rezulton asnjë statistikë që ka humbur jetën nga Covid-19. Nuk raportohen të gjitha rastet e vdekura nga koronavirusi, se nuk duan të përhapin panik”, tha Paloka.

Edi Paloka theksoi se qeverisë i takon të marrë përgjegjësi për pandeminë, ndërsa shtoi se qeverisja ka dështuar në shumë pika.

Opozita po jep zgjidhje si duhet ta zgjidhim problemin. Kjo ëhstë një opozitë që mendon vërtetë për njerëzit. Ne nuk kemi akuzuar kurrë mjekët, madje kemi kërkuar që qeveria të vlerësojë bluzat e bardha, të shpërblehen e t’ju krijohen kushtet. Mjekët kanë një stres shumë të madh dhe duhet t’i mbështesim.

Këtu tek ne futja në intubim është fatalitet, ndërsa jashtë ka aparaturë që bën oksigjenimin e gjakut jashtë trupit të personit, kushton vetëm 30 mijë euro e nuk ka asnjë në Shqipëri, e ndërsa paratë shkojnë për PPP. Qeveria të marrë përsipër përgjegjësitë e pandemisë”, u shpreh Paloka.

(d.xh/ balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb