“Roli i Rinisë Shqiptare dhe Zhvillimi i Qëndrueshëm si Mekanizëm Ndërhyrës” ishin kryefjala e konferencës për rininë, e organizuar nga Fondcioni “Qemal Stafa” dhe Fondacioni “Friedrich Ebert”.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi u shpreh se në këtë konferencë shumë të frytshme, u zhvillua një diskutim i hapur nga aktorë të ndryshëm, mbi rininë dhe rolin e saj kyç në zhvillimin e vendit.

Në fjalën e saj, Kushi u shpreh se objektiv madhor i qeverisë mbetet që kapitalin njerëzor që ka Shqipëria ta orientojë në zhvillimin e vendit, ku një pjesë të madhe të rëndësisë e zënë pa diskutim të rinjtë shqiptarë.

“Plani i Veprimit për Rininë 2015-2020, Ligji ‘për Rininë’ i miratuar në 2019, Programi Kombëtar i Praktikave të Punës, punësimi i studentëve ekselentë në administratën publike apo edhe nisma më e fundit ‘Gati për Shqipërinë’, janë disa prej iniciativave konkrete të ndërmarra kohët e fundit.” – nënvizoi Kushi në statusin e saj në rrjetin social.

Ajo gjithashtu, në postimin e saj ka informuar se vetëm para pak ditësh ka filluar edhe puna për hartimin e Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2026 për vizionin dhe zhvillimin e politikave rinore.

Në mbyllje të fjalës së saj, Kushi theksoi rëndësinë e madhe që ka rikthimi i të rinjve për të dhënë kontributin e tyre në Shqipëri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb