Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi mori pjesë në Samitin Global të Arsimit në Londër, organizuar në datat 28-29 korrik 2021.

Në ditën e parë të këtij samiti u organizua një pritje nga Lartësia e Saj Princesha Anne e Mbretërisë së Bashkuar, ku pikërisht u përcollën mesazhet e rëndësishme për gjithëpërfshirjen dhe arsimimin cilësor të çdo fëmije.

Në ditën e dytë, përfaqësuesit e shteteve pjesëmarrëse diskutuan dhe shkëmbyen me njëri-tjetrin përvojat dhe praktikat e tyre në sistemin arsimor.

“E nderuar të merrja pjesë në Samitin Global të Arsimit në Londër, ku vëmendja e përfaqësuesve më të lartë nga e gjithë bota u përqëndrua tek arsimimi cilësor për çdo fëmijë, sepse kjo është mënyra më e mirë për t’u ringritur të gjithë së bashku më të fortë pas pandemisë”.-shprehet Kushi.

Ndërkohë, në kuadër të Partneritetit Global për Arsimin, u arrit ngritja e një fondi prej 4 miliardë dollarësh për 5 vitet e ardhshme, me fokus arritjen e Objektivit 4 për Zhvillim të Qëndrueshëm, adresimin e efekteve të COVID-19 në arsim, zhdukjen e pabarazisë dhe garantimin e gjithëpërfshirjes për çdo fëmijë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: