Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi ishte pjesë e “Takimit të Mësuesve në Diasporë”, ku morën pjesë gjithashtu Ministri i Shtetit për Diasporën Z. Pandeli Majko, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës Znj. Arbërie Nagavci, mësues të shumtë nga diaspora dhe përfaqësues të institucioneve të arsimit dhe të punëve të jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës.

Kryefjalë e këtij takimi ishin ruajtja e gjuhës shqipe, kulturës, traditave dhe identitetit tonë kombëtar tek diaspora, si dhe sfidat e nevojat e ndryshme që paraqiten për arsimin në diasporë.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Ministrja Kushi e konsideroi diasporën një aset dhe gjithmonë e gatshme për të kontribuar në fushën e arsimit:

“Diaspora është një aset, gjithmonë të gatshëm për të kontribuar në fushën e arsimit. Ruajtja e gjuhës shqipe, ndërgjegjësimi i prindërve shqiptarë mbi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës e zakoneve janë në qendër të vëmendjes sonë, sepse identiteti kombëtar që ruan diaspora është qëllim i madh i yni”, tha ministrja Kushi.

Ndër të tjera, ajo nënvizoi se “Ne e shohim diasporën shqiptare si një vlerë të shtuar kombëtare, fëmijët jashtë trojeve shqiptare si një pasuri të madhe, ndërsa mësuesit kanë një vlerë të çmuar për sa i përket mbajtjes gjallë të gjuhës dhe traditave shqiptare”.

Në këtë kuadër, u shpreh ajo, “ne do të vijojmë të punojmë dhe bashkëpunojmë me përkushtim maksimal, për të qenë sa më efikas në punën tonë në fushën e arsimimit për brezat e rinj shqiptarë që po rriten përtej kufijve”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb