ELBASAN

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi, Kreu i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla, përfaqësues të Zyrës Vendore Arsimore dhe Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Elbasan panë nga afër procesin e vaksinimit të mësuesve të Elbasanit.

Ata ishin pranë ambienteve të shkollës 9-vjeçare “Jorgji Dilo” të këtij qyteti, të cilat janë kthyer në hapësira për vaksinimin e mësuesve.

Ministrja Kushi, duke i cilësuar mësuesit si heronjtë tanë të sakrificës, të cilët, që nga dita e parë e pandemisë nuk e kanë ndalur punën e përkushtimin në shërbim të nxënësve e procesit mësimor, shprehet se është: “E lumtur që procesi është futur në rrugë të mbarë dhe shpresëplotë që do të kontribuojë në një rikthim të shpejtë në normalitetin që duam”.

  • foto galeri
  • foto galeri

Ndërsa drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit, Taulant Balla tha se në të gjithë qarkun e Elbasanit vaksinimi i mësuesve po ecën me ritme të shpejta dhe brenda një kohe të shkurtër do të imunizohen të gjithë mësuesit, në mënyrë që mësimi të zhvillohet në kushte normale.

Sa i përket pezullimit të vaksinës AstraZeneca në disa shtete, Balla tha se nëse do të verifikohen do të rezultojnë lajme të rreme.

“AstraZeneca po përdoret gjerësisht në Britaninë e Madhe, ku vetë kryeministri u vaksinua. E certifikuar nga institucionet ndërkombëtare kjo vaksinë nuk le vend për dyshime për cilësinë dhe efikasitetin e saj”, deklaroi Balla.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb