Pamundësia për të përballuar qiratë e larta të shtëpive, i detyron shumë studentë nga rrethet të strehohen në konviktet e Qytetit Studenti. Por, kushtet vazhdojnë të mbeten të mjerueshme për rreth 5 mijë të rinj që kanë zgjedhur si strehën e tyre dhomat plot lagështirë e pa hapësirë të mjaftueshme për të jetuar.

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Arbjona Çibukaj, studente në vitin e dytë e njëkohësisht aktiviste e lëvizjes “Për Universitetin” tregon se kushtet higjienike lënë për të dëshiruar, pasi në tualete nuk ka as letra higjienike dhe as larës duarsh. Ajo shton se detyrohen të paguajnë 450 mijë lekë të vjetra për një vit për mjerimin me të cilin bashkëjetojnë çdo ditë. Çibukaj bën me dije se kanë organizuar disa aksione simbolike për t’i dhënë një zgjidhje situatës, por deri më tani ankesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët e madje u ndeshën edhe me arrogancën e administruesve të konvikteve.

Prej sa kohësh jetoni në konviktin e Qytetit Studenti?
Unë jam në vitin e dytë bachelor dhe prej dy vitesh jetoj në Qytet Studenti. Arsyet pse zgjodha të jetoja aty janë pak a shumë të njëjtat që shtyjnë çdo student tjetër t’i drejtohet Qytetit Studenti, pra kushtet ekonomike. Shtëpitë me qira janë të papërballueshme. Duke qenë se Qyteti Studenti është afër me një pjesë të mirë të fakulteteve, kjo është një tjetër shtysë që shumica zgjedhin atë vend, sepse do të duhet të luftosh edhe për të zgjidhur problemin famëkeq të abonesë në të kundërt.

Sa është pagesa për një vit?
Pagesa vjetore është 45000 lekë, por kushtet e jetesës nuk e justifikojnë shumën. Një dhomë 20 metra katrorë, e cila ndahet me person tjetër paguhet 13’500 lekë. Ne dukje të parë, tarifa e konviktit mund të na duket më e ulët se qiraja e shtëpisë, por po të bësh një përllogaritje të vogël bazuar në metër katror rezulton se Qyteti Studenti është më i shtrenjtë se shtëpitë me qira.

Si paraqiten kushtet, a janë të përshtatshme për të jetuar?
Për kushtet e konvikteve është folur shpesh dhe si përfundim janë ende në gjendje të mjerueshme. Dhoma të vogla ku jetojnë tre persona, hapësira nuk është e mjaftueshme as për të lëvizur lirshëm jo më për të tjerat. Përveç krevatit dhe dyshekëve me susta të dala, nuk gjejmë asgjë tjetër në dhomë. Çdo mjet tjetër të nevojshëm e sigurojmë nga buxheti ynë.
Intervisten e plote mund ta lexoni ne: Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: