Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të mos shqyrtuar mosngritjen e Komisionit Hetimor të Investimeve strategjike.

Në një mesazh në rrjetet sociale, Bardhi akuzon gjykatën për ndryshim të objektit të kërkesës së 1/5 të deputetëve demokratë, ndërsa e cilësoi vendimin një lajthitje për llogari të oligarkëve.

REAGIMI I BARDHIT
Guximi i Gjykatës Kushtetuese për të ndryshuar objektin e kërkesës së 1/5 së deputetëve mund të shpjegohet vetëm me errësimin e syve nga oligarkët e investimeve strategjike. Është akt i paprecedent vendimi i sotëm i GJK që nuk shprehet për kërkesën e paraqitur, por supozon për ekzistencën e një kërkese që nuk është paraqitur.
Në GJK nuk është paraqitur asnjë kërkesë për zgjidhje të mosmarrëveshjes së kompetencave mes pakicës dhe shumicës. 1/5 e deputetëve kanë të drejtë të kërkojnë interpretimin përfundimtar të Kushtetutës dhe kanë paraqitur këtë kërkesë.
Të ndryshosh objektin e kërkesës dhe të shprehesh për një kërkesë që nuk është paraqitur është lajthitje. Kush i detyrojë anëtarët e GJK të lajthisin për llogari të oligarkëve?!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb