Gjykata Kushtetuese me vendimin e shpallur mbrëmjen e së mërkurës, rrëzoi Kuvendin e Shqipërisë për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Gazetarja Klodiana Lala, raporton për “BalkanWeb”, se 6 nga anëtarët e Kushtetueses votuan që Presidenti të mos shkarkohet, e nga ana tjetër, një anëtar i saj ka votuar pro shkarkimit. Kujtojmë që Kuvendi, votoi me 104 vota pro shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, me arsyetimin se ka shkelur rëndë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, duke ndikuar në fushatën për zgjedhjet parlamentare e duke debatuar ashpër me ambasadorët ndërkombëtarë.

Mirëpo, Kushtetuesja doli në përfundimin se pretendimet e ngritura nga Parlamenti nuk cilësohen në shkeljet flagrante të Kushtetutës, aq sa për të shkuar në shkarkimin e Presidentit. Në seancat e fundit në këtë gjykatë për këtë çështje, Presidenca, nëpërmjet përfaqësuesve të saj, e ka cilësuar si ilegjitime mënyrën se si është mbledhur Kuvendi për këtë shkarkim, duke pretenduar se janë falsifikuar aktet. Këtë pretendim, Kushtetuesja e rrëzoi duke theksuar se Kuvendi ka ndjekur të gjitha hapat e nevojshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb