NGA: KLODIANA LALA*
Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë njërit prej të dënuarve për tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec, të cilit i është cenuar e drejta për akses në Gjykatën e Lartë. Bëhet fjalë për Hysni Çoçkën, i cili pasi përfundoi dënimin e dhënë nga drejtësia për ngjarjen tragjike të tetë viteve më parë, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të tri vendimeve gjyqësore ndaj tij, atë të shkallës së parë, vendimin e Gjykatës së Apelit të Tiranës dhe vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, për mospranimin e rekursit. Gjykata Kushtetuese, pasi ka shqyrtuar kërkesën e Çoçkës, i cili është gjetur fajtor për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, kryer nga kuadri komandues, ka konstatuar se, ndërsa ndodhej në burg, i është mohuar e drejta për të pasur akses në Gjykatën e Lartë. Ja si e arsyeton Kushtetuesja.

Pretendimet e kërkuesit
Kërkuesi Hysni Çoçka është hetuar dhe gjykuar në gjendje të lirë për akuzën e kryerjes së veprës penale ushtarake “Shpërdorimi i detyrës”, kryer nga kuadri komandues, në bashkëpunim. Në përfundim të gjykimit të çështjes, në ngarkim të tij dhe 29 të gjykuarve të tjerë, Gjykata e Tiranës e ka dënuar Hysni Çoçkën me 3 vite burg dhe ndalimin e së drejtës për të ushtruar një detyrë shtetërore, për një periudhë prej 1 viti. Dënimi është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit, ndërsa Gjykata e Lartë ka vendosur ta mbyllë çështjen “Gërdeci” që në dhomën e këshillimit. Çoçka i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se i është cenuar e drejta për një proces të rregullt ligjor.

Ai ka pretenduar se i është cenuar parimi i barazisë së armëve, pasi gjykatat nuk kanë lejuar marrjen e provave të kërkuara, të cilat kanë qenë thelbësore për procesin, si dhe nuk kanë lejuar riekspertimin tekniko-ushtarak. Mandej ka pretenduar se është cenuar parimi i arsyetimit të vendimeve gjyqësore. Vendimet janë të paarsyetuara dhe alogjike lidhur me përjashtimin e provave të paraqitura gjatë gjykimit. Gjykatat janë kontradiktore në arsyetimin e vendimeve të tyre, duke mbajtur qëndrime të dyfishta dhe duke përdorur dy standarde për të njëjtin arsyetim. Ato kanë dhënë arsyetime të ndryshme lidhur me argumentet për përgjegjësinë penale të të pandehurit. Dhe së fundmi, ai këmbëngul se i është cenuar e drejta e aksesit në Gjykatën e Lartë. Kundërshtimet e prokurorisë Prokuroria e Përgjithshme ka pretenduar se Hysni Çoçka nuk ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë. Në këto kushte, edhe prokurori në rekursin e tij nuk është shprehur lidhur me kërkuesin dhe disa të gjykuar të tjerë, sepse në lidhje me ta ka qenë dakord me vendimin e Gjykatës së Apelit.

Arsyetimi i gjykatës
Gjykata Kushtetuese në fillim i është referuar përmbajtjes së vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë nr.00-2013-1013, datë 19.07.2013, ku ka vërejtur se në të janë pasqyruar palët në proces, disponimet e gjykatave më të ulëta, subjektet që kanë paraqitur rekurs si dhe shkaqet e parashtruara në rekurset respektive, por nuk rezulton nëse kërkuesi ka paraqitur rekurs kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë. Ndërkohë, kërkuesi ka paraqitur para gjykatës një dokument, i cili titullohet “Rekurs shtesë”, i datës 11.03.2013, dhe mban vulën e Gjykatës së Lartë nr.H-18 prot., datë 11.03.2013. Për këtë arsye, gjykata u është drejtuar gjykatave të tria shkallëve të gjykimit për kërkim informacioni. Sipas shkresës nr.5199/1, datë 30.04.2015 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, nga kontrolli i ushtruar në librat e regjistrimit të rekurseve dhe dosjes penale nr.381, datë 12.03.2012 nuk figuron të ketë rekurs dhe shtesë rekursi të paraqitur nga shtetasi Hysni Çoçka.

Sipas shkresës nr.1972, datë 14.05.2015 të Gjykatës së Apelit Tiranë, pranë kësaj gjykate nuk është depozituar rekurs apo shtesë rekursi nga kërkuesi, kurse sipas shkresës nr.210/1, datë 19.05.2015 të kancelarit të Gjykatës së Lartë, shtesa e rekursit penal e protokolluar pranë Gjykatës së Lartë me nr.H-18 prot., datë 11.03.2013, i është kthyer të dënuarit Hysni Çoçka në institucionin ku ai ishte duke vuajtur dënimin, duke e vënë në dijeni se rekursi duhet të depozitohet në gjykatën që ka dhënë vendimin. Gjykata, bazuar në materialet e dosjes gjyqësore, vëren, gjithashtu, se kërkuesi ka depozituar në Gjykatën e Lartë edhe kërkesën nr.H-10 prot., datë 15.02.2013, me objekt pezullimin e ekzekutimit të vendimeve nr.138, datë 13.02.2013 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe nr.381, datë 12.03.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Me urdhrin nr.22, datë 07.05.2013 të kryetarit të Gjykatës së Lartë është vendosur rrëzimi i kërkesës për pezullim dhe në përmbajtje të këtij urdhri rezulton i pasqyruar fakti i depozitimit të rekursit penal nga kërkuesi.

Për efekt të provueshmërisë së fakteve, të cilat janë përcaktuese për marrjen e një vendimi të drejtë nga ana e gjykatës, ajo mund të bazohet në çdo lloj mjeti të lejuar nga ligji procedural. Në këtë kuptim, gjykata vlerëson se vetëm fakti i pasqyrimit të ekzistencës së rekursit në urdhrin e kryetarit të Gjykatës së Lartë, është i mjaftueshëm për të arritur në përfundimin se kërkuesi ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë. Mohimi i së drejtës së aksesit në Gjykatën e Lartë për këtë të pandehur, është cilësuar antikushtetuese dhe cenim i një procesi të rregullt ligjor. Kushtetuesja vlerëson se i takon Gjykatës së Lartë të marrë në shqyrtim pretendimet e ngritura në rekursin e paraqitur nga kërkuesi Hysni Çoçka.

“E drejta e ankimit, ashtu si edhe ajo e aksesit në gjykatë nuk mund t’i cenohen kërkuesit për shkaqe që rrjedhin nga mangësitë ose gabimet në veprimtaritë e vetë organeve shtetërore. Në rastin konkret, edhe pse kërkuesi ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda afatit ligjor 30-ditor të parashikuar në nenin 435/1 të KPP-së, për shkak të defekteve në sistem dhe në veprimtarinë e administratës së Gjykatës së Lartë atij i është mohuar e drejta e aksesit si pasojë e mosshqyrtimit të tij së bashku me rekurset e të pandehurve të tjerë në dosjen penale nr.381, datë 12.03.2012. Në përfundim, gjykata konstaton cenimin e së drejtës së aksesit në Gjykatën e Lartë, si një nga elementet e së drejtës për një proces të rregullt ligjor”.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: