TIRANË

Kreu i PR-së Fatmir Mediu deklaroi sot në seancën e parë të këtij sesioni se parlamenti duhet t’i kthehet funksionit të tij kushtetues, jo të jetë apendiks pa vlerë i qeverisë.

Mediu vuri theksin te sfidat e deputetëve duke nisur nga reforma zgjedhore, te ajo territoriale.

“Sfidat e këtij parlamenti, sfidat politike, qeverisëse, integruese dhe ato të sigurisë janë jashtëzakonisht të mëdha përballë gjithsecilit nga ne. Shqipëria po jeton kohë shumë të vështira, të cilat nuk janë vetëm ekonomike. Kushtetuta dhe ligji sot kanë humbur vlerën. Pushteti dhe politika është kthyer në qëllim më vete, prandaj si parlamentarë duhet të shikojmë se cilat janë detyrimet tona. Kemi si detyrim urgjent si parlamentarë që vijmë nga vota e qytetarëve shqiptarë, garantimin e një reforme zgjedhore, e cila të sigurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ku deputetët apo këshilltarët nuk zgjidhen nga partitë politike, por nga qytetarët nëpërmjet një gare. Po ashtu garantimin dhe mundësinë për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur të të gjithë shqiptarëve në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë. Një sfidë tjetër e rëndësishme është reforma territoriale, e cila duhet të ketë synim, garantimin e zhvillimit të vendit në të gjithë territorin e saj. Pushteti lokal dhe financat duhet të jenë pranë qytetarëve, ata të vendosën dhe jo qytetet në duart e kryetarëve për interesa elektorale.
Parlamenti duhet t’i kthehet funksionit të tij kushtetues, jo të jetë apendiks pa vlerë i qeverisë.
Korrupsioni dhe krimi janë kthyer në sistem dhe dominojnë jetën publike. Shqipëria renditet në vendet më të larta për korrupsion dhe ndër vendet më të varfra. Kemi një krizë të rëndë dhe të madhe atë të besimit të shqiptarëve”, deklaroi Mediu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb