115-vjetori i lindjes së shkrimtarit Mitrush Kuteli është përkujtuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Lexiomit, në qytetin e tij në Porgradec, në një takim ku u vunë në dukje vlerat letrare e njerëzore.

Drejtoresha Alda Bardhyli tha se “Kuteli ka një kontribut të jashtëzakonshëm në pasurimin e dhe përsosjen e gjuhës shqipe. Në këtë 115 vjetor, Kuteli nuk vjen vetëm si shkrimtar i madh por edhe si një figurë e cila ka ende shumë nevojë për t’u hulumtuar dhe për t’u thelluar nga studimet shqiptare”.

Dhimitër Pasko që njihet si Mitrush Kuteli pos veprave në prozë e poezi që e shënjuan krijimtarinë e tij si Tregimet e Moçme apo E madhe gjema e Mëkatit, ai solli në shqip edhe vepra të huaja nga Gogol, Pushkin a Gorki. Nga Bukureshti ku studioi, ai solli në Shqipërinë e kohës një tjetër frymë, që u bë laku i tij.

Poetja Moza Ahmeti u ndal në atë që ai përfaqëson, kur tha se “Kuteli është edhe personazh. Jeta e tij është e jashtëzakonshme. Lexova diçka shumë tragjike që e kishin varrosur për së gjalli një herë dhe më pas e kanë nxjerrë përgjatë kohës që ishte çuar për të punuar në tharjen e kënetës. Mendoni pak të jesh në ekstremet kulturore të Selanikut dhe shkollat më të larta dhe më pas të vish të vuash represione kaq të rënda fizike e shpirtërore”.

Aktori Mevlan Shanaj, kujtoi se “ai vetë ishte diskret, i rrethuar me një dyshim biografik, i tërhequr, i masakruar, i fshehur”.
Kryeqytetet Bukureshti dhe Tirana i dhanë formë emrit të Kutelit dhe karrierës së tij si shkrimtar e bankier, por letërsia e barti gjithnjë me vete Pogradecin, njerëzit e qytetin si zanafillë të tij.

Poetja Natasha Lako, tha se “unë i takoj një brezi që jam rritur me krijimtarinë e Mitrushit. E vërtetë që ka qenë më i mënjanuar, por jo në familjen time. Ndoshta në familjen time, nuk kishte arritur ai i famshmi revolucion kulturor”.

Piktori Anastas Kostandini solli në vëmendje kujtimet e fëmijërisë, kur i lexonte stërgjyshes së tij 90-vjeccare në vitet 60-të, librat e Kutelit. “Ai ishte një pjesë autentike e absolute e këtij vendi. Që të vegjël jemi rritur me tregimet e tij dhe unë ia lexoja mbaj mend, stërgjyshes sime. Dhe ajo qeshte duke identifikuar personazhet. Ai ka shkruar një sagë të jashtëzakonshme të kësaj periferie shqiptare që rezultoi të ishte magjike”.

Poliglot, konsulent e drejtor në Bankë, instalimi i regjimit komunist dhe kundërshtimi që i bëri marrëveshjes me jugosllavët e çoi në burg dhe në kampin e Vloçishtit. Ai ndërroi jetë në moshën 60-vjeçare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: