I ftuar në studion e emisionit ‘Kjo Javë’, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi komentoi zhvillimet në këtë forcë politike, si edhe ‘Foltoren’ e ish kryeministrit Berisha.

Duke folur mbi deputetët e grupit parlamentar që i janë bashkuar Berishës në ‘Foltore’, Bardhi thotë se është e drejtë e secilit të ketë mendim ndryshe në parti.

“Është e drejta e secilit prej tyre. Ju keni parë që askush që mendon ndryshe, s’ka shpifur kush ndaj tyre. Kemi një marrëdhënie korrekte. Është gjëja më normale në PD që dy individë mendojnë ndryshe. Nuk ka asgjë anormale, që disa të mendojnë ndyshe nga shumica e kryesisë apo këshillit kombëtar.”- u shpreh Bardhi ndërsa bëri përgjegjës ish kryeministrin Berisha për situatën në PD.

“Individi është sebepi i kësaj që po ndodh. Deri në 9 shtator, nuk kishte asnjë problem. Keni dëgjuar ndonjë të fliste për kreun e PD që ishte autokrat, kishte mbyllur partinë, asnjë nuk ka ngritur një shqetësim të tillë. Më 9 shtator u shfaqën që kishte shumë probleme PD, Basha u shpall armik, lidershipi i PD që nuk mendon si Berisha shpallet armik, apo peng të Ramës. Akuza që as Berisha nuk i mendon vetë. Lëvizja e berishës për të dëmtuar PD, për të përcarë PD është oksigjen për Ramën. Njeriu më komod me situatën në PD prej Berishës është Edi Rama.” u shpreh Bardhi.

Sa i takon nismës së ish kryeministrit Berisha për të mbledhur kuvendin kombëtar të PD, më 11 dhjetor, Bardhi tha se Sali Berisha nuk është pronar i PD, dhe më 11 dhjetor, mund të ketë miting, por jo kuvend të PD.

“Z Berisha është i lirë të mendojë e të thotë cfarë mendon, repsekt maksimal. PD vepron mbi bazën e institucioneve. Berisha s’mund të zëvendësojë as kuvendin kombëtar, as këshillin e as kryetarin.
Z.Berisha është lider historik i PD, respekt absolut për këtë për punën e tij, por nuk është pronar i PD. Pronar janë anëtarët e PD dhe zëri i tyre duhet të dëgjohet, ndaj është thirrur Kuvendi i 18 dhjetorit.
Nuk ka kuvend më 11 dhjetor, ka një miting. Cdo deputet përfshi Berishën ka aftësinë të mbledhë në një sallë anëtarë e mbështetës të PD, nuk është problemi sa fort e mbush sallën Berisha. Respekt absolut ndaj cdo demokrati që nuk është shkëputur asnjëherë nga PD.

Janë anëtarë të PD, do vijojnë të jenë, kanë dhënë djersë e gjak për PD, sakrificën e tyre, s’ka për ta hedhur kush në kosh për hallin personal të Berishës. Interes i tyre është fitorja e PD-së.” vijoi Bardhi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: