Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka folur pas dështimit të 26-të për konstituimin e Kuvendit. Haxhiu nuk e përjashtoi mundësinë që në situatën politike aktuale, zgjedhjet lokale dhe ato të përgjithshme të mbahen njëkohësisht.

“Sot kemi një ftesë nga presidentja Osmani për t’u takuar në orën 14:00, ku do të diskutojmë për datën e mundshme të zgjedhjeve lokale. Ne do të marrim pjesë në këtë takim. Është e rëndësishme që partitë politike të dëgjojnë dhe të shprehin propozimet e tyre për datën e zgjedhjeve lokale. Por nuk përjashtohet mundësia që të mbahen të dyja zgjedhjet njëherësh,” tha Haxhiu.

Ajo theksoi se LVV nuk është kundër këtij opsioni, por nuk është qëndrimi kryesor i tyre.

“Por nëse konstituimi i Kuvendit vazhdon të bllokohet, atëherë zgjedhjet janë zgjidhja e vetme. E dimë që pa një Kuvend të konstituuar nuk mund të shkojmë në zgjedhje, por kjo mund të arrihet përmes një marrëveshjeje të re politike,” tha Haxhiu. Ajo, që është edhe kandidate për kryetare të Parlamentit, shtoi se qëllimi i partive të tjera është të pengojnë formimin e Qeverisë Kurti 3.

“Ne kemi thënë gjithmonë se qëllimi i tyre është të pamundësojnë Qeverinë Kurti 3 dhe, edhe pse nuk e thonë hapur, ata përdorin mënyra të tjera dhe sulme të shumta për ta arritur këtë. Nuk është çështje personale, për ne është e rëndësishme që Kuvendi të konstituohet dhe të krijohet rruga për formimin e Qeverisë Kurti 3,” theksoi Haxhiu.

Ajo përfundoi duke theksuar se është shumë e rëndësishme të vazhdojnë takimet, diskutimet dhe të ketë gatishmëri për të dalë nga kjo krizë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb