PRISHTINE- Me nismën e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe mbështetjen e dhënë nga 40 deputetë nënshkrues të kësaj nisme, Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme rreth dëbimit të gjashtë shtetasve turq, ngjarje e cila ka ndodhur më 29 mars.

Për këtë operacion, drejtuesit e tri institucioneve më të larta të vendit, Presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit, kishin deklaruar se nuk kanë pasur informacione.

Shefi i grupit parlamentar i kësaj partie, Avdulllah Hoti, ka ngritur pikëpyetjen se si pesë nga gjashtë të arrestuarit, të cilët ishin punonjës të shkollave “Mehmet Akif”, kanë mundur të paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare të vendit, ashtu siç e ka arsyetuar Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), arrestimin dhe dëbimin e këtyre shtetasve turq. Siç ka theksuar ai, me këtë rast janë shkelur procedurat ligjore dhe të drejtat e qytetarëve turq të deportuar.

“Ne të gjithë u shtangëm më 29 mars, e harruam 22 dhjetorin e vitit të kaluar, nga lajmi se gjashtë shtetas turq ishin kidnapuar dhunshëm në pikë të ditës, para nxënësve, kolegëve e familjarëve të tyre. Në vend që të intervistoheshin nga organet kompetente në Prishtinë, ata u deportuan me urgjencë në Turqi”, tha Hoti.

“Të shtangur kishin mbetur kryeministri dhe kryetari i Kuvendit, por jo Pesidenti”, tha Hoti, duke e hedhur faji në pikërisht në adresën e Presidentit Hashim Thaçi.

Duke e cilësuar gjendjen si dramatike, por me pasoja të pariparueshme për të deportuarit dhe familjet e tyre, LDK propozoi megjithatë që Kuvendi të nxjerrë një rezolutë.

Përmes saj kërkohet që drejtori i Policisë, Kryeprokurori i Shtetit, drejtori i Agjencisë për Inteligjencë, ministri i Brendshëm, ministri i Jashtëm, ministri i Drejtësisë, autoriteti i aviacionit bashkë me ministrin e Infrastrukturës, brenda tri ditëve të raportojnë me shkrim në komisionin përkatës parlamentar për përgjegjësinë që kanë pasur dhe procedurat që kanë ndjekur në këtë rast. LDK kërkoi të formohet një Komision hetimor parlamentar për të zbardhur këtë rast, i cili u tha se ka cenuar rëndë të drejtat elementare njerëzore.

“Përgjegjësit e këtij skandali të japin llogari bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi”, thuhet në qëndrimet e LDK-së.

Ndërkohë, në debatet pasuese, Memli Krasniqi, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës tha se ngjarjet e javës së kaluar që ndërlidhen me operacionin e deportimit të gjashtë shtetasve turq, kanë shqetësuar opinionin dhe institucionet e Kosovës.

Ai ka theksuar se askush nuk mund të rrijë indiferent ndaj mënyrës se si është zhvilluar aksioni i arrestimit dhe deportimit të këtyre qytetarëve nga Turqia. Por, Krasniqi nuk është pajtuar që tani Kuvendi të hedh barrën e fajësisë mbi një individ apo institucion përpara se rasti të mos jetë sqaruar deri në fund.

Në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Glauk Konjufca ka thënë se arrestimi shtetasve turq që kanë pasur leje qëndrimi në Kosovë ka shpërfaqur të gjitha defektet e pushtetit në Kosovë. Arrestimi dhe deportimi i gjashtë shtetasve turq sipas tij do të ketë edhe pasojat për vet Kosovën.

Debati vazhdon, ndërsa theksi i diskutimeve u përqendrua në mosrespektimin e ligjit, procedurave dhe mungesën e koordinimit institucional ditën e dëbimit të shtetasve turq nga Kosova.

Pritet që në fund të seancës, Kuvendi të votojë për apo kundër rezolutës së propozuar nga LDK-ja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb