TIRANE– Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani ka komentuar mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD si dhe miratimin e statutit të ri. I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, Ristani tha se është kurorëzuar një punë disa mujore. Sa i përket zërave kritikë brenda PD, Ristani u shpreh se ata që i duan të mirën PD duhet të ishin bërë pjesë e procesit dhe nuk duhet të bëjnë kritika për show. Sipas Ristanit, disa kritikë kanë qenë pjesë e stafeve të kundërshtarit.

“Unë do thoja se ne kurorëzuam një punë disa mujore. Ka një interes të madh për rregullat e brendshme të PD. Ka pasur disa kritika, por ne kemi ndjekur një proces gjithëpërfshirës. Ky proces ka marrë mendimin e gjithë PD dhe ka pasur një grup pune që ka mbledhur të gjithë faktorët dhe ka bërë pjesë të gjitha mendimet. Kritika nuk duhet të bëhet kritikë për kritikë. Po të kishin dashur të mirën e PD duhet të ishin bërë pjesë e procesit dhe nuk duhet të bëjnë show. Në punimet e Kuvendit ne i dhamë mundësi të gjithëve dhe e mira ishte që ta bënim më përpara. Ka edhe njerëz të tjerë që kanë qenë pjesë e stafeve të kundërshtarit dhe vijnë dhe bëjnë kritika për show. Ne kemi pasur një proces gjithëpërfshirës. Ne kemi një komision që do vlerësojë kandidaturat për deputetë. Statuti i PD është i mirëpritur dhe i hapur”- tha Ristani.

Ndërkohë duke iu përgjigjur pyetjes nëse PD do nisë protestat dhe aksionit që do ndërmarrë, Ristani tha se lufta opozitare është e gjerë dhe në disa plane. Ai u shpreh se PD do marrë pjesë në seancat e Kuvendit dhe nuk do e bojkotojë.

“Lufta opozitare është e gjerë dhe shumë planëshe. Nga ana tjetër edhe puna e PD është në shumë plane sepse do merremi edhe me veten tonë. Do fillojmë zgjedhjet nga strukturat bazë. Nesër ne do përgatisim udhëzimin për të parë zgjedhjet në strukturat drejtuese të PD. Do riformatojmë seksionet në PD. Ne nuk duam të humbim seancat parlamentare pasi ka nevojë që tribuna e parlamentit nuk mund të lëshohet dhe ne duhet të na ndjekin që njerëzit të marrin vesh çfarë bëhet”-tha Rsitani.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së u shpreh se nuk do dëshironte që Eduard Selami të fishkëllehej gjatë kohës që po kritikonte Bashën në Kuvendin e PD.

“Nuk doja që Selami të fishkëllehet dhe kjo nuk ka të bëjë me atë që iu bë Ben Blushit dikur, sepse PD s’ka lidhje me bandat. Selami do ishte mirë që nëse do të kontribuojë në PD të merrte pjesë në proces dhe të debatonte. Elezi luajti pak me ndjeshmërinë e demokratëve kur përmendi Azem Hajdarin”- tha Ristani.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: