Kuvendi ka miratuar sot pas një seancë prej rreth 10 orësh tre projektligje dhe katër projektvendime.

Kuvendi kaloi me 95 vota pro, 1 kundër ligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.113/2020, “Për shtetësinë”, që u prezantua nga ministri i Brendshëm, z. Taulant Balla, i cili u shpreh se ndryshimet e propozuara krijojnë mundësinë për përthithjen e talenteve të reja, të cilët nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç, kur Republika e Shqipërisë ka interes kombëtar apo interes në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë dhe sportit. Z. Balla nënvizoi se qytetarët nga vendet ku Gjuha Shqipe është gjuhë zyrtare, ku përfshihen Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të mos i nënshtrohen një testi për gjuhën dhe historinë shqiptare për të përfituar nënshtetësinë.

Deputetët e opozitës shprehën shqetësimin se përmes kësaj nisme ligjore do të ketë pasoja sociale, ndikim negativ, probleme të sigurisë, trafikimit e kriminalitetit.

Po kështu është miratuar me 76 vota pro, 5 kundër dhe 3 abstenim projektligji për fondet e pensionit privat në Kuvend.

Me 77 vota pro u zgjat mandati i komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore.

Kuvendi shtyu edhe shqyrtimin e projektligjit për rritjen e pagave në Gjykatën Kushtetuese pas kërkesës së opozitës.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.119/2014, “Për të drejtën e informimit” u miratua me 71 vota pro, 3 kundër dhe 1 abstenim.

Projektvendimet
Seanca plenare shqyrtoi dhe miratoi edhe katër projektvendime. Projektvendimi “Për zgjatjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore” dhe tre projektvendime për disa emërime “Për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare”.

Seanca plenare i mbylli punimet rreth orës 20:00.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb