Kuvendi miratoi sot disa ligje të rëndësishme ndër të cilat edhe disa shtesa dhe ndryshime në strukturën organizative të Vetingut, KPA, KPK dhe Komisionerëve Publikë.
Në seancën e sotme plenare, Kuvendi miratoi me 76 vota pro dhe 36 kundër raportin vjetor të veprimtarisë së Agjencisë të Sigurimit të Depozitave për vitin 2021.
Po ashtu me 74 vota pro dhe 39 kundër, Kuvendi miratoi raportin vjetor të veprimtarisë së institucionit të Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2021.

Me 77 vota pro dhe 25 kundër, Kuvendi miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për një hua të bazuar në politika për mbështetjen e barazisë gjinore, në aksesin ndaj mundësive ekonomike në Shqipëri”.
Po ashtu me 82 vota pro dhe 17 kundër u miratua projektligji “Për ratifikimin e protokollit ndryshues të Konventës për Mbrojtjen e Individëve në lidhje me Përpunimin Automatik të të Dhënave Personale”.

Me 102 vota pro dhe 1 kundër, Kuvendi miratoi projektvendimin ““Për disa shtesa dhe ndryshimeve në vendimin nr. 92/2017 “Për miratimin e strukturës organizative, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit”, i ndryshuar.

Projektvendimi ““Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 93/2017 “Për miratimin e strukturës organizative, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit”, i ndryshuar” u miratua me 102 vota pro dhe 1 kundër.

Ndërsa projektvendimi ““Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin e Kuvendit nr. 94/2017 “Për miratimin e strukturës organizative, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit të Komisionerëve Publikë”, i ndryshuar” u miratua me 102 pro dhe 1 kundër.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: