* CEZ-i, Bode-Metës: Nuk je i pastër në këtë histori, ju mbeti në dorë patatja e nxehtë e DIA-s. Ja replikat
* Berisha: Të hetohet nga ndërkombetarët, kolegë do ngrihemi para syve të popullit. Kujt s’ja mban ka gjithë përgjegjësitë

* Ruçi: Hetim gjithperfshires nga organet tona

TIRANE – Kuvendi rrëzon kërkesën e PD për diskutimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit që lejon hetimin ndërkombëtar të çështjeve që kanë të bëjnë me CEZ. Deputetët e Kuvendit kanë rrëzuar me 54 vota kundër kërkesën e PD, ndërsa 50 kanë votuar pro, dhe 12 abstenim. Në përfundim të votimit, kreu i Kuvendit Ilir Meta tha se projektligji do të kalojë për diskutim në procedurë normale.

Para se deputetët e Kuvendit të votonin për projektligjin, deputeti demokrat Edi Paloka u ka kërkuar të majtëve që të tregojnë arsyet e ndryshimit të qëndrimit të tyre lidhur me hetimin ndërkombëtar. Sipas Palokës, kryeministri “i ka udhëzuar nga larg, që të mbyllin këtë çështje”.

Ndërsa deputeti Gramoz Ruçi në përgjigje tha se “Vota e mazhorancës është kundër procedurës së përshpejtuar”.

PËRPLASJA PËR CEZ, PD: VOTONI HETIMIN NDËRKOMBËTAR, PSE JU KAP PANIKU? PS: KËRKESA JUAJ NUK KA BAZË LIGJORE
Nisma e Partisë Demokratike, që kërkon hetim ndërkombëtar për çështjen e CEZ-it, ka ngjallur debate te ashpra mes opozites dhe maxhorances në seancën e sotme parlamentare.

Pavarësisht mbështetjes së kreu i LSI-së shprehu për hetimin ndërkombëtar të çështjes, maxhoranca në Konferencën e kryetarëve vendosi të mos e përfshijë nismën në rendin e ditës, ndërsa kreu i grupit të PS-së Gramoz Ruçi tha se kërkesa e PD-së nuk ka bazë ligjore për procedurë të përshpejtuar.

Në fillim të seancës plenare, deputeti demokrat Eduard Halimi tha se hetimi ndërkombëtar është e vetmja zgjidhje për këtë çështje. Sipas Halimit, hetimi është me interes në dobi të gjithë shqiptarëve.

“Në këtë aferë janë përfshirë zyrtarët më të lartë të vendit. Vetëm një hetim i plotë, i shpejtë, efikas, i gjithanshëm mund të zbardhë të vërtetën për shumë e shumë çështje që përfshihen në këtë histori komplekse.”- deklaroi Halimi.

“Mazhoranca të tërhiqet nga qëndrimi i saj për të bllokuar hetimin ndërkombëtar apo për ta shtyrë atë me shpresën se provat do të humbasin, dëshmitarët do të intimidohen. Hetime të tilla kërkojnë shpejtësi. Për këtë arsye PD kërkoi që ky pr/ligj të miratohet me procedurë të përshpejtuar.”- deklaroi Halimi.
Por ndryshe u shpreh maxhoranca. Ja debatet e gjata sot plot perplasje ne parlament

Ora 14:00-Erjon Brace: Si mund të vijë Berisha e të thotë që unë kam akuzuar i pari aferën për CEZ? Ky që mbrojti dje të gjitha kompanitë, edhe DIA-n dhe me akuzonte mua, më sulmonte, ky del e akuzon sot këto kompani? E gjithë kjo histori nuk ka moral e sidomos ata që e ngrenë këtë cështje për përfitime politikke jo për gjë tjetër. Pra Sali Berisha vetë duke anatemuar cdo punonjës të kompanisë shtetërore OSHE,

Zotëria iu dha të drejtën këtyre 9 kompanive t’u presin qytetarëve shqiptarë energjinë elektrike, bashkive dhe komunave me qëllim që këto të përfitonin. E shikoni sa i padrejtë është ish-kryeministri juaj?

Sherefedin Shehu: Si mund të flasë zotëria këtu për këtë fjalim kaq të gjatë… Pse nuk e votoni ligjin që kemi sjellë ne që të marrim një gjykatës të paanshëm? Dante thotë, vendet më të errëta në ferr ruhen për ata që janë indiferent në momentet e krizës morale. Dhe shiko këtu, nuk ke kryeministra, deputetë, por rrahim ujë në hava me akuza dhe shpifje. E vërteta është të marrim atë që është më i besueshëm.

Brace: Pra secili këtu flet për ato që mendon në përputhje me rendin e ditës, dhe natyrisht dhe me rendin që i imponohet këtu sallës së kuvendit ka dhe nga ata që shkelin rendin etj. Më lejo i dashur koleg, se nuk të marr dorën ty për cfarë do flas. Po mor po nuk e votoj atë ligj se nuk e heton atë korrupsion, nuk kam ndër mend ta votoj atë ligj se nuk voton asgjë.

Kam dëgjuar që cohesh pas meje e thua kjo është shpifje e kjo është shpifjeje, gjithçka që kam thënë këtu ai zotëria që ka lënë sallën (Berisha) ka thënë janë shpifje, por sot doli dhe i lëpiu të tëra me bështymë.

Topalli: Kjo maxhorancë nuk ekziston më, mungon kryeministri, deputetë, ministri, pyetja që shtrohet është për ju dhe për atë, cfarë frike ka kjo mazhorancë që nuk pranon që të hetohet megaskandali i CEZ? Cështë ky tmerr që nuk ju lejon të hetohet cështja, nga dita e parë deri në marrëveshjen e 28 korrikut të vitit 2014. Cfarë ndodhi në korrik? Ca është ky panik që ju pengon për hetim ndërkombëtar?
Është bërë Shqipëria vend i korrupsionit, kanë ikur mijëra shqiptarë, kërkojnë azil, i përzutë ju po ju. Është bërë vendi kudo, pyll foresta është bërë shqipëria me kanabis.
Pyetja? Pse nuk pranoni të hetohet? Këtu nëkëtë sallë tani janë ata që se kanë idenë për cfarë bëhet fjalë, ata që ia kanë idenë ia kanë mbathur.

Leskaj: Kur kemi diskutuar për CEZ krahu juaj ka qenë bosh…

jozefina topalli

Ora 13:30-BERISHA: HETIM NGA ALFA TEK OMEGA. PROKURORËT NDËRKOMBËTARË ZBARDHËN VRASJEN E HAJDARIT
Duke iu përgjigjur deklaratave të deputetit të PS-së, Gramoz Ruçi, ish-kryeministri Sali Berisha mohoi të ketë bërë përpjekje pranë ndonjë homologu të tij në kohën kur ishte në pushtet për pranimin e kërkesës për anëtarësim në BE.

“Së pari dua të informoj opinionin se në mënyrë absolute as dhe një shtetar i vetëm i lartë europian, në mënyrë absolute nuk ka bërë asnjë deklaratë se Shqipëria po ngutet për të paraqitur kërkesën për anëtarësim në BE, asnjë. Ai vendim është konsensual. Në rast se do të isha informuar se ka rezerva do kisha përpjekur për të bërë sqarime. Por kam bërë zero përpjekje tek kryeministra të caktuar. Ekspozenë tuaj e kuptoj se nuk pranoni hetimin ndërkombëtar. Nuk çuditem sepse nenin 19 e keni votuar ju, jo unë. Unë e kam kundërshtuar e denoncuar me forcën më të madhe. Nuk çuditem sepse dje Edi Rama deklaroi publikisht që nuk e pranon hetimin ndërkombëtar. Dhe së treti, po ta thoshte Koçoja, diçka mund të lëkundesha se është pushteti në hije i sivllaut të tij, por druaj se ju zotëri ju lë në baltë sa herë ti teket. Ne kemi prurë një ligj për një çështje dhe e them publikisht për hetim integral të saj, nga alfa tek omega, asnjë kufizim”, tha Berisha.

Ai solli shembuj të hetimit të rasteve të tjera nga prokurorë ndërkombëtarë, duke thënë se burgosja e autorëve të vrasjes së Azem Hajdarit ishte meritë e tyre.

“Ju përmendët autoritetet hetimore shqiptare, po, kemi praktikë ne. Nëqoftëse vrasësit e Azem Hajdarit u burgosën, kjo është meritë e prokurorëve ndërkombëtarë. Unë nuk qesh kaq i kënaqur me punën e tyre, por prapëseprapë po ju them se po të mos ishin ata, asnjë nga vrasësit nuk do dënohej. Kemi një praktikë me prokurorë ndërkombëtarë”, tha Berisha.

Ora 12:50RUÇI: KËRKESA E OPOZITËS S’MUND TË KALONTE ME PROCEDURË TË PËRSHPEJTUAR, NUK E LEJON KUSHTETUTA
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi ka sqaruar arsyet pse konferenca e kryetarëve nuk pranoi të kalonte draftin e opozitës për hetimin ndërkombëtar të çështjes së CEZ-it me procedurë të përshpejtuar. Ruçi tha se një kërkesë e tillë nuk mund të kalojë pasi nuk e lejon kushtetuta, rregullorja e Kuvendit dhe precedenti parlamentar.
Gramoz Ruci

“U bënë gati 2 orë e gjysmë. 5 kolegë të opozitës morën fjalën njëri-pas tjetrit lidhur me një kërkesë që kanë bërë. Tërësisht është devijim i seancës së parlamentit. Dikush e vendos veten në rolin e prokurorit, dikush në orlin e gjykatësit. Dikush tregon përrallë nga e kaluara, dikush tjetër thotë pse nuk prononcohet PS-ja. E kështu me radhë, pse Edi Rama është në Amerikë, duhet të anulohet OKB-ja. Që ta merrni vesh çfarë ka diskutuar kryesia, futjen në parlament të kërkesës së opozitës. Maxhoranca nuk ka diskutuar absolutisht për përmbajtjen e kërkesës. Ajo që nuk jemi dakordësuar, është që nuk mund që një kërkesë e tillë nuk mund të kalojë me procedurë të përshpejtuar sepse nuk e lejon kushtetuta, rregullorja e kuvendit, precedenti parlamentar. Kërkoni të shkelni rregulloren, vendimet e gjykatës kushtetuese. Ne jemi këtu të themi që lexoni më mirë kushtetutën, rregulloren, vendimet e gjykatës kushtetuese, kujtoni praktikat tuaja dhe mos anatemoni askënd nga maxhoranca parlamentare. E meqë ju arritët dhe anatemuat, ne si maxhorancë, harrojeni se mund të nxirrni kreditë politike në lidhej me këtë çështje”, deklaroi Ruçi.

Ai theksoi se PS-ja është për hetimin e gjithçkaje por për një hetim të ligjshëm, kushtetues dhe jo selektiv, siç e kërkon opozita.

“Zotërinj të nderuar, PS është për hetim të gjithçkaje edhe të kësaj çështjeje, por është për një hetim të gjithanshëm, të ligjshëm, kushtetues dhe jo selektiv siç kërkoni ju: kjo dhe kjo se të tjerat jemi ne. Prandaj nëse do t’i referohemi që nga privatizimi i CEZ-it, për të cilin ne nuk jemi prononcuar dhe koha tregoi se ky privatizim dështoi. Këto janë çështje që kërkojnë hetim, përse është bërë, si është bërë. Ju (Berishës) keni ushtruar të drejtën për të kërkuar statusin kandidat. Më thoni një zyrtar që nuk u prononcua dhe tha se nuk është koha. U nisët drejt Çekisë, meqë kishte presidencën dhe e quajtët rezultat të madh që ai ju pranoi kërkesën. Ju e bëtë sepse i kishit dhënë qokën. Vendimet e ERE-s duhen hetuar. Pse çmimi iu ul KESH-it për t’ia shitur sa më lirë CEZ-it. Amerikanët të hetojnë, 21 janarin, rrugën e Kombit. Do ndryshojmë çdo nen të kodit penal. Të vijnë përfaqësi nga Brukseli dhe SHBA-të dhe të hetojnë. Por që ne të bëjmë një deklaratë që kryetari i opozitës dhe që kreu i ambasadës del e thotë se kjo është detyrë e organeve tuaja, atëherë të jemi seriozë me veten dhe partnerët”, tha Ruçi.

Ora 12:00ÇEZ, BERISHA: KOLEGË TË VOTOJMË SOT HETIMIN NDËRKOMBËTAR, KUJT S’JA MBAN, KA PERGJEGJESI
Berisha ftoi kolegët deputetë të votojnë kërkesën për hetim ndërkombëtar. Sipas tij, nëse do bëhej dicka e tillë dhe klasa politike do të ngrihej para syve të popullit.

“Unë do bëj gjithçka për të zbardhur këtë aferë të tmerrshme që kushtoi 800 milionë euro. Ca kishit ju që e ndaluat? Humbiste arbitrazhi? Humbiste Sali Berisha, po këtë vetëm një hajdut e bën. Nuk kisha dëgjuar kurrë. Ndaj të votojmë hetimin ndërkombëtar, nëse do bëjmë këtë votim do ngrihemi para syve të qytetarëve shqiptarë. Hetimi të përfshijë që nga dita e parë deri në ditën e fundit të marrëveshjes. Kujt s’ja mban ka gjithë përgjegjesitë”.

sali berishaa

Berisha theksoi se qeveria e tij ka kërkuar hetimin, por në Kuvend u votua amnistia dhe nuk pati ndjekje penale.
“DIA është një kontratë midis CEZ dhe një kompanie shqiptare, qeveria nuk ka asnjë dhe një tagër të ndërhyjë tek cështja e nënkontraktorëve ka një ligj që përcakton cdo marrëdhënie. Janë nisur në prokurori, është qeveria e mëparshme dhe avokati i mëparshmëm i shtetit që ka cuar për ndjekje penale autorët e kësaj cështje dhe jo vetëm DIA, por dhe kompani të tjera që po ndiqnin praktikat e DIA. Cfarë bëtë ju? Amnistuat. Ju votuat këtu, dhe ju votuat aminstinë. Dhe prokuroria votoi dhe tha nuk ka më ndjekje. Dikush do pyesë se cfarë bëri opozita? Në mënyrën më të vendosur opozita ka denoncuar këtë platformë, këtë mega-aferë korruptive, kishte përgatitur dhe votoi më 31 korrik marrëveshjen. E denoncoi dhjetra herë, por hapa ligjore nuk ndërmerr për një dokument që nuk është votuar”.

BERISHA: TË MOS I BËHET PRESION DËSHMITARIT E.M, AI DENONCOI SI KËRKONTE KASTRIOT ISMAILAJ 135 MILIONË EURO

Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së tij soty në seancën plenare në Kuvend u ndal tek dëshmitari i marrë në mbrojtje nga RENEA, E.M. Sipas berishës, dëshmitarit nuk duhet bërë presion dhe as të dënohet për nxjerrje sekretesh, sepse i bëri vendit një shërbim të madh duke denoncuar aferën korruptive.
“Nga sa tha Ilir Meta, Endrin të vëllain, ia njoh këtij, E.M, kurse këtë E.M nuk e njoh. Por Endri është një djalë i shkëlqyer, një bashkëpunëtor i llojit një fullAlbright që kam bashkëpunuar miqësisht për epokën dixhitale. Nuk mund të them se cila është shkalla e implikimit të Elvisit, të vëllait aty. Por Elvisi, me deponimet e tij i ka bërë një shërbim të madh këtij vendi. I ka bërë një shërbim shumë të madh këtij vendi sepse ai tregoi se cdo shqiptar shtron një pyetje, po pse kur në Vjenë, CEZ aferën e DIA e marr unë përsipër, pse e mori pala shqiptare përsipër, pse iu hoq CEZ dhe e mori pala shqiptare? Cfarë kompsormisi kishte këtu, cfarë rrethanash kishte këtu? Në këto rrethana ky ekspert i DIA mori anën e interesit publik, denoncoi cfarë dinte për veprimtarinë e paligjshme të Kastriot Ismaliaj të DIA-s dhe lidhjet e tij. Unë mendoj se cdo presion ndaj tij është shumë i gabuar i padrejtë, sepse ai vuri veten në anën e interesit publik duke pasur parasysh cdo lloj rreziku, akuzat se ka nxjerrë dokumente me qesharake. Ai ka bërë një dëshmi nuk i kanë dhënë kopje fare tani si mund ta merrte ai kopjen e dëshmisë së prokurorit. Të bësh akuza të tilla janë qesharake. Kopjen te prokurori e merr vetëm ata që zyrtarisht ndjekin procedurën. Dhe kopja shkon në Vjenë, po pse ka nxjerrë ai sekretet? Hiqni presionet ndaj tij, se ai që mori lekë ka qenë Kastriot Ismailaj, se donte 135 milione euro, po po aq u kërkoi. Presion bëhej nga ministria OSHE, nga rruga…”

BERISHA: SUPERAFERA E CEZ, 1200 EURO GJOBË PËR ÇDO QYTETAR. VETOJA ÇEKE DUHEJ PËR TË NDARË PARATË
Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi nga foltorja e Kuvendit se superafera e CE i ka kushtuar shqiptarëve 1200 euro gjobë personale. Berisha tha se e ka denoncuar këtë aferë dhe më parë, ku sipas tij CEZ-it iu falën në zarf 800 milion euro.

“Të dashur qytetarë që ndiqni këtë seancë dhe që prisnit sot që kjo seancë të votojë sot ligjin për hetimin ndërkombëtar të super-aferës korruptive që ju ka kushtuar ju, secilit prej jush 1200 euro gjobë personale, pa llogaritur ndërprerjet e energjisë. Pa llogaritur gjobat e tmerrshme të pamerituara të enteve energjetike ndaj jush vetëm për të mbushur gropën e krijuar. Pa llogaritur bizneset e falimentuara dhe shpunësimet për shkak të kësaj afere. Parlamenti ka mure dhe muret janë memoria e tij në këtë sallë. Unë e kam denoncuar këtë aferë dhe e denoncuar përsëri, afera më e tmerrshme korruptive që ka ndodhur ndonjëherë. Kam denoncuar kohë para se të dalin të dhënat në arbitrazhin e Vjenës. Kam denoncuar se një aferë në të cilën autoritetet shqiptare ishin palë me autoritetet e CEZ-it, CEZ-it sipas dokumenteve të pakundërshtueshme iu falën në zarf të paktën 800 mln euro, këtë e thotë auditi ndërkombëtar. Pra borxhi neto pa klemet e dëmtimeve, borxh monetar ishte 800 mln euro”, tha Berisha.

Ish-kryeministri tha gjithashtu se ka denoncuar në hipotezë një veprimtari të qëllimshme të Ramës me komisionerin Fyle. Ai tha se qeveria që drejtonte ka zbatuar dy parime, për të ndihmuar CEZ-in dhe për të mbrojtur interesin e qytetarëve shqiptarë.

“Kam denoncuar në hipotezë një veprimtari të qëllimshme të Edi Ramës të lidhur direkt me komisionerin Fyle. E kam bërë kur ai ka qenë në funksion. E kam bërë për të mbrojtur interesin e shqiptarëve, se kam bërë me kënaqësi. Në çdo rast dhe çdo moment, qeveria ime është bazuar në dy parime: parimi i parë të ndihmojë gjithçka për CEZ-in dhe parimi i dytë të mbrojë me çdo kush interesin e vendit. Ti që leh nga vendi, se e meriton këtë që po te them duhet të dish se ka dy vendime gjykatash për atë çështje. Në çdo rast është mbrojtur interesi publik. Momenti kur CEZ-i falimentoi, natyrisht ishte e domosdoshme heqja e licencës. Në një vendim të marrë me të gjithë bazën ligjore, Edi Rama dhe çakejtë e tij sulmuan haptas se përzunë CEZ-in. Dokumente që do përdoreshin fuqishëm në arbitrazh kundër palës shqiptare. ERE në bashkëpunim me BB mori kompaninë. Ne nuk pranuam pajtimin, shkuam në arbitrazh ndërkombëtar. Avokati ynë, një nga më të suksesshmit. Kemi gjithçka të dokumentuar. Qeveria shqiptare fshehu, Edi Rama i fshehu publikut, Gjiknuri i fshehu publikut rezultatet e këtyre kompanive. Ne i dinim, po donim ta merrnin vesh shqiptarët. Nga njëra anë fshihet studimi i kompanive ndërkombëtare, nga ana tjetër filluat sulmin ndaj qeverisë së mëparshme pavarësisht se procedurën e kishte ndjekur pikë për pikë Haxhinasto, se iu hoq licenca padrejtësisht CEZ-it”, deklaroi ai.

Sipas Berishës, qeveria çeke s’mund të vinte kurrë veton. “Kjo ishte një veto e kërkuar atyre që u duhet për të ndarë paratë. Nuk ekziston asnjë vendim zyrtar i qeverisë çeke që të firmosë qeveria marrëveshjen. Kjo ishte një kërkesë e Edi Ramës, sepse duhet të ndaheshin paratë dhe të përdorej një pretekst. Nuk bëj aludime për asnjë, kam shprehur dyshimet e mia për qëndrimet e zotit Fyle. Nuk është normale që zoti Kopac thotë se u firmos në zyrën time marrëveshja. A jeni dakord të paguani biletën 600 mln euro për të marrë statusin, bie ndesh me çdo parim të Europës. Kaq i duhet të thoshte ministri i jashtëm në BE: A duhet të paguajmë 800 mln euro biletën? Edi Rama firmosi kulisa me ministrin e tij”, tha Berisha.

BODE-METËS: NUK JE I PASTËR NË KËTË HISTORI, JU MBETI NË DORË PATATJA E NXEHTË E DIA-s
Ish-ministri i Financave, Ridvan Bode u shpreh i bindur se kryeparlamentari Ilir Meta nuk është i pastër në çështjen e shumëpërfolur të CEZ-it. Duke iu referuar dokumentit që qarkullon në media, i përfolur edhe nga LSI, sipas të cilës Bode ka kërkuar uljen e çmimit të energjisë elektrike, ish–ministri e bëri publike në foltoren e Kuvendit, duke sqaruar se ajo s’është gjë tjetër veçse një kthim përgjigjeje ndaj një letre të Entit Rregullator të Energjisë, që njoftonte institucionet për masat që do të ndërmerrte në rakordim me Bankën Botërore. Ish–ministri theksoi se nuk është Ministria e Financave, por vetëm Enti Rregullator i Energjisë, institucioni i vetëm që mund të vendosë për tarifat e energjisë elektrike.

Ish–ministri i Financave deklaroi se Partia Demokratike ka kërkuar hetim ndërkombëtar për këtë çështje dhe dorëheqjen e Ilir Metës, për t’i hapur rrugë një hetimi të plotë.

“Shmanget arbitrazhin, ndoqët rrugën joligjore. Ju mbeti patatja e nxehtë e DIA-s, që iu implikon. Le ta nxjerrë hetimi ndërkombëtar kush është i implikuar, përse hallakateni, i largoheni si djalli temjanit kërkesës time për hetim të shpejtë, të pavarur të gjithë heshtjeve që lidhen me këtë aferë”- deklaroi Bode.

Ora 12:30-JA REPLIKAT BODE-META NE KUVEND

Bode: Apologjia juaj më bindi edhe më tepër se ju nuk jeni i pastër në këtë histori. Atë letër e tundni si një gjethe fiku për të mbuluar turpin e atyre që janë implikuar në këtë aferë sipas raportit të avokatëve të qeverisë, por bëtë një gabim fatal se kjo letër ka një zhvendosje kohe prej 2 vitesh nga afera për të cilën ju përmendeni drejtpërdrejt apo tërthor.

Meta: Zotëri ke ndonjë shkresë te të lutem? E ke fjalën për shkresën time apo për tënden. Se shkresa jote është shumë më e rëndë dhe pas shkresës tënde u krijuan ato kompanitë e borxheve.

Bode: Me qetësi dhe durim…kjo letër që ju e tundni si gjethe fiku s’ka të bëjë me ulje çmimi, por me detyrimin e institucioneve të shtetit për të respektuar letrën e angazhimit të qeverisë dhe deklaratën rregullatore..

Meta: E cila favorizonte CEZ, ato që ke kërkuar ti favorizojnë CEZ ke përgjigjet e drejtorit të KESH të asaj kohe thuaj të vërtetat tamam.

Bode: Është kjo letër e BB­së që i është adresuar Naco që kërkon marrjen e masave, njohjen e borxhit të keq, që të merren masa për të mos humbur 66 mln euro.

Meta: Ajo letër presion mbi ERE për të justifikuar veprimin, mund ta sqarosh në Prokurori më mirë.

Bode: Me qetësi dhe maturi… E gjithë kjo histori e devijuar me qëllim nga ana juaj ka disa pikëpyetje. E para, pse s’u çua në arbitrazh?Kush ka të drejtë që pasurinë e vendit ta trajtojë si pronë private? Tani ju mbeti patatja e nxehtë e DIA që implikon edhe emrin tuaj me veprime mafioze dhe të dënueshme. Së dyti, pse ju vendosët në prishjen e kontratës së privatizimit paragrafin për të penguar çdo hetim ndërkombëtar? Tani ju i ndershmi po akuzoni ne të pandershmëve se veprimet tona kanë shkaktuar pasoja. Ne po kërkojmë një hetim ndërkombëtar dhe le ta nxjerri ai se kush është apo jo i implikuar. Nëse do gjeni një zyrtar, prokuroria të bëjë veprimet konform ligjit, pse hallakateni? I largoheni si djalli temjanit për t’i shpëtuar hetimit të shpejtë.

Ora 12:00-TOPALLI: MARRËVESHJA E RAMËS ME CEZ, MARRËVESHJE TREGTARE NË KURRIZ TË SHQIPTARËVE
Deputetja demokrate, Jozefina Topalli tha se marrëveshja e kryeministrit Edi Rama me CEZ është një marrëveshje tregtare, pasi dy orë pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, u pranua statusi kandidat. Topalli tha se nuk mund të ketë çështje tjetër për të diskutuar në Parlament përveç CEZ, dhe kërkoi që kryeministri Rama të japë llogari.

“Drejtori i Sekretariatit të Energjisë Janez Kopac në komision, ka bërë një deklaratë që na ka shokuar. Ai tha se kur Edi Rama nënshkroi marrëveshjen e CEZ-it, dy orë më pas u pranua statusi kandidat. Një marrëveshje tregtare.

Çfarë ndodh tjetër, Rama del në VOA dhe thotë se nuk ka çështje CEZ, në vend të dalë dhe tu përgjigjet shqiptarëve për 600 mln taksa. Pse ajo qeveri është bosh, 15 ministra mungojnë. Ku është Ministri i Brendshëm? Edi Rama nuk mund të fshihet me marrëveshjen tregtare që ka bërë në kurriz të qytetarëve shqiptarë. Kjo është qeveria bosh, e mbaruar. Kjo është maxhoranca që ka 10 deputetë. Nuk ka më maxhorancë, nuk ka më qeveri, por sot nuk ka çështje tjetër, përveç CEZ. Jo vetëm të futim çështjen e CEZ, por kërkojmë që zotëria e tij që nuk ka bërë asnjë takim në SHBA me asnjë personalitet, të vijë këtu e të japë llogari”, tha Topalli.

NISMA E PD
Të hënën Partia Demokratike depozitoi zyrtarisht në Kuvend kërkesën për hetim ndërkombëtar lidhur me çështjen e CEZ-it, ndërsa kryetari i saj, Lulzim Basha, i kërkoi kryeparlamentarit Ilir Meta që të mbledhë Konferencën e Kryetarëve për të përfshirë në kalendarin e punës nismën ligjore të demokratëve. Por, ndërsa hetimi ndërkombëtar mbështetet nga opozita dhe nga kryetari i Kuvendit, Meta, dje kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk e mbështet këtë ide, duke theksuar se për hetimin nuk ka asnjë pengesë. Rama tha se Shqipëria është vend që pret të hapë negociatat me BE-së dhe ka të gjithë kuadrin ligjor për të hetuar këdo.

RENDI I DITES
Rendi i ditës i seancës së sotme parashikon gjithashtu diskutimin e disa pr/ligjeve si, ratifikimin e marrëveshjes së grantit ndërmjet qeverise shqiptare dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, për asistencën teknike për projektin “Punime infrastrukturore komunale në zonën e Alpeve Shqiptare”; disa ndryshime në ligjin “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”, pr/ligjin “Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara” etj.

(er.nu/d.b/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: