Kuvendi zhvillon sot një seancë të posaçme në nderim të viktimave të Holokaustit.

Kuvendi njofton se në mbështetje të urdhrit të Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, do të zhvillohet seanca e posaçme në kujtim të viktimave të Holokaustit.

Në fjalimet përshëndetëse nisim me Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, Kryeministri, Edi Rama, dhe fjala e Kryetarëve të grupeve Parlamentare.

Në 27 janar, në Ditën Ndërkombëtare Përkujtimore e Holokaustit shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2005, përkujtohen viktimat e Holokaustit. Kjo datë përkon me çlirimin të kampit nazist të përqendrimit Auschëitz-Birkenau më 27 janar 1945.

Nga viti 1945 është bërë sinonim i përndjekjes sistematike të hebrenjve evropianë dhe vrasjeve të 6 milionë prej tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga nazistët dhe aleatët e tyre, që nga viti 1933 deri 1945.

Roli i shqiptarëve ndaj përndjekjes së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore është i njohur në të gjithë botën. Janë 3750 hebrenj të shpëtuar nga shqiptarë nga përndjekja naziste duke e bërë Shqipërinë të qëndrojë si ndriçim për të gjithë vendet e Evropës.

Balla: Shqipëria, atdhe i dytë për hebrenjtë
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla gjatë fjalës së tij në seancën e posaçme të Kuvendit në nderim të viktimave të Holokaustit tha se, “në një ditë si kjo e sotmja, ne nderojmë edhe veprën e shkëlqyer, në favor të mbrojtjes me çdo kusht të hebrenjve nga vende të ndryshme të Evropës, të cilëve i’u hap rruga për të ardhur lirisht dhe ligjërisht në Shqipëri”.

“Gjatë shekujve, ne shqiptarët, përjetësisht autoktonë në trojet tona, na është dashur të përballemi me pushtues të shumtë dhe të luftojmë për një kohë shumë të gjatë për lirinë tonë. Por ndërkohë gjatë gjithë këtyre shekujve, Shqipëria ka krijuar një kulturë të veçantë, kombëtare dhe një gjerdan të pasur vlerash, ku ndër to do të nënvizoja mikpritjen, e ilustruar më së miri në kodin tonë: shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut”, u shpreh Balla.

Ai theksoi se, “historia e mikpritjes dhe përkujdesjes ndaj komunitetit të vogël hebre të Shqipërisë është ilustrimi më i mirë i këtij kodi. Dokumentet historike kanë treguar se ka ekzistuar një prani hebreje në Shqipëri që nga Shekulli i Dytë, por nga vitet 1930 prania e tyre ishte zvogëluar në vetëm 200 hebrenj. Në vitin 1932, në kohën kur antisemitizmi në Evropë ishte kthyer në doktrinë, Shqipëria u bë vendi i parë dhe i vetëm në kontinent që u njohu hebrenjve të drejtën e organizimit në bashkësi dhe legjitimoi shabbat-in. Është rasti i vetëm i diskriminimit pozitiv të hebrenjve gjatë dekadave kur bota lëngonte nga antisemitizmi i përhapur”.

Ai shtoi se, jo rastësisht qysh në vitet 1930 shtypi i Perëndimit e quante Shqipërinë një atdhe të dytë të hebrenjve.

Balla tha se, “një meritë të veçantë ka dhe një mik i shqiptarëve i atyre viteve ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Herman Bernshtajn, për instalimin në diplomacinë mbretërore të Shqipërisë të një ndjenje simpatie dhe të një përgjegjësie mbrojtjeje ndaj hebrenjve”.

Ai shtoi se, “ishte kjo qasje e cila mundësoi që brenda më pak se një dhjetëvjeçari pas shpërthimit të urrejtjes anti-semite, numri i hebrenjve në Shqipëri të dhjetëfishohej. Periudha e dytë e shpëtimit të hebrenjve është ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore”.

Balla theksoi se, populli shqiptar nuk shpëtoi vetëm hebrenjtë e vet, shqiptarët bënë detyrën që ju takonte të shpëtuan hebrenjtë e Evropës që trokitën në derën tonë dhe kërkuan besën e shqiptarit.

Ai u shpreh se, “sot në Evropë vërehet me shqetësim një rritje e tendencave ekstremiste si anti-semitizmi, ksenofobia apo islamofobia. Ishte pikërisht kjo retorikë që çoi në krimet më të tmerrshme kundër njerëzimit gjatë Luftës së Dytë Botërore”.

Balla theksoi se, është momenti të kundërshtojmë me forcë çdo shfaqje ekstremiste në rrjetet sociale apo nga politikanë të caktuar në Evropë.

“Së fundmi ne shqiptarët jemi vendosur nën sulme raciste nga politikanë të caktuar në Britaninë e Madhe apo ekstremistë të djathtë në Parlamentin Evropian”, vijoi ai.

Ai u shpreh se, “miratimi i përkufizimit mbi antisemitizmin, të përcaktuar nga Aleanca ndërkombëtare për përkujtimin e Holokaustit (IHRA), nga Kuvendi i Shqipërisë më 22 tetor 2020, përforcoi qëndrimin për të kundërshtuar çdo shfaqje të intolerancës dhe diskriminimit që mund të çojë në akte urrejtje dhe dhune, përfshirë dhe antisemitizmin”.

“Shqipëria është e palëkundur dhe pa asnjë hezitim e angazhuar në refuzimin dhe kundërshtimin e anti-semitizmit, në çdo formë dhe manifestim të tij. Siç edhe e thotë Presidenti Herzog, Shqipëria është një aleat i besueshëm në këtë përpjekje të vazhdueshme”, përfundoi Balla.

Alibeaj: Shqiptarët e njohin mirë dhimbjen e gjenocidit
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, gjatë seancës së posaçme tha se e keqja, djallëzorja, ka qenë gjithnjë e pranishme në jetët njerëzore, në shoqëritë njerëzore, pa dallim vendi, populli apo kohe.

“Ajo është përpjekur të hyjë herë pas here aq thellë njeriut dhe shoqërisë sa të prekë indet më jetësore dhe ti zhysë njerëzit, shoqëritë, familjet, komunitetet e tëra në dhunë dhe errësirë, në dhimbje dhe vuajtje, në tmerre të cilat është vështirë edhe të përshkruhen. Holokausti, shoah, krimi përbindshëm ndaj popullit hebre është një nga këto të këqija të patregueshme, dëshmi e faktit se djallëzorja mund të arrijë në pika të pamendueshme”, tha Alibeaj.

Sipas tij, holokausti, ky krim lebetitës ndaj një populli të tërë, ky krim i llahtarshëm që nuk kurseu as fëmijë dhe as gra, as pleq dhe as të sëmurë është dëshmi e faktit se djallëzorja mund të marrë forma të tilla të pamendueshme.

“Holokausti është dëshmi e faktit se si një grupim politik, se si një ide e çmendur e veshur me politikë mund të organizohet, mund të ecë, rritet dhe shfaqë veten sikur të jetë normale, e pranueshme, e vlefshme. Kjo ide politike, kjo filozofi kriminale, kjo ideologji fondamentaliste që propozon haptas zhdukjen dhe shfarosjen e një populli mori jetë në sy të gjithë botës, u rrit përballë indiferencës së të gjithëve.
Holokausti është dëshmi e faktit se si një ideologji politike që e sheh zgjidhjen tek shfarosja e një populli, që e sheh legjitimin e saj tek sajimi i komploteve, që flet pa ndalur për armiq dhe që sheh kudo armiq mund të arrijë të bëhet një makineri gjakësore vrastare që ndërton kampe dhe dhoma gazi për të zhdukur një popull.
Holokausti është dëshmi faktit se si një ideologji paranoidale, se si projektimi i çdo faji, i çdo të keqeje tek tjetri mund të prodhojë krime të tilla të mynxyrshme si dërgimi në dhoma gazi dhe në kampe zhdukjeje te një populli të tërë”, u shpreh Alibeaj.

Ai shtoi më tej se holokausti nisi në fillim duke dehumanizur hebrenjtë, duke i cilësuar ata si e keqja, duke shpikur komplot, duke përdorur gjithë denigruese dhe poshtëruese.

“Ata u quajtën racë dhe jo një popull me një identitet fetar dhe kulturor, ata u quajtën një racë që si tuberkulozi përhapet dhe infekton, ata u quajtën insekte etj etj.
Më pas u dogjën sinagogat dhe shtëpitë, më pas nisi dhuna, më pas nisi internimi, vrasja dhe kampet, dhomat e gazit dhe krematoriumet.
Holokausti është për botën dhe të gjithë ne një dhimbje që nuk mbaron. Ne shqiptarët e njohim mirë këtë lloj dhimbjeje. Ne e dimë se ç’mund të bëjë një ideologji e çmendur totalitare, ne e dimë çdo të thotë dehumanizim, dhunë dhe genocid. Ne dimë se çfarë sjelle një politikë që sheh kudo armiq, që është paranojake, që e sheh zgjidhjen tek asgjësimi dhe zhdukja e tjetrit.
Kampet famëkeqe të shfarosjes, llahtaritë që pa bota në Mathauzen, në Aushvitz, në Birkenau, në Dakau, lotët dhe regëtimat e shpirtit njerëzor në këto kampe janë dhe do të mbeten gjithnjë një pjesë e rëndë e historisë së qenies njerëzore siç do të mbeten edhe një barrë e pashkulshme nga ndërgjegjja njerëzore”, tha ai.

Alibeaj deklaroi se ne përkujtojmë sot holokaustin për të treguar se plagë të tilla nuk mbyllen kurrë.

“Primo Levi një i mbijetuar në kampet e shfarosjes thotë se ato nuk ishin kampe zhdukjeje apo kampe pune, ato nuk ishin kampe vrasjeje apo kampe vuajtjeje, por kampe të shkatërrimit të njeriut. Në të vërtetë holokausti, kampet dhe ajo që ndodhte në to ishin vërtet kampe të shkatërrimit të njeriut. Në to qenia njerëzore reduktohet në skelet dhe pak mish të gjallë, zhvishet nga çdo element që e bën atë njeri, i hiqet çdo gjë që Zoti ia ka dhënë qenies njerëzore në mënyrë që ajo jetë vërtet krijesë e zgjedhur e Zotit. Ne shqiptarët njohim mirë këtë gjendje, ne e kemi parë atë në kampet e Spaçit, të Tepelenës, apo të Maliqit.
Ne kujtojmë sot holokaustin për të nderuar viktimat, për të përjetësuar vuajtjet dhe dhimbjet e tyre, për të reflektuar mbi ato dhimbje dhe vuajtje. Ne përkujtojmë sot holokaustin për të treguar se plagë të tilla nuk mbyllen kurrë. Ato thjesht mbulohen nga mendja njerëzore, me një membranë në mënyrë që të mund të mbrojmë jetën dhe njeriun.
Ne e kujtojmë holokaustin për të treguar se liria, siç thoshte presidenti Regan, është vetëm një brez larg zhdukjes. Ajo nuk duhet marrë për e mirëqenë, për të duhet luftuar përditë. Nazizmi erdhi dhe mori jetë lirisht, pa kuptuar”, u shpreh ai.

“Shkrimtari i madh hebre Eli Vizel, fitues i çmimit Nobel dhe i mbijetuar i Holokasutit thotë se gjëja më e rrezikshme nga të gjitha është indiferenca. Ai thotë se kur dikush të sulmon, të lufton të shan mund të të motivojë të luftosh, të mbrohesh, të ndërtosh një mekanizëm apo diçka të vlefshme. Kur dikush është indiferent kjo do të thotë se ai nuk bën diferencën, nuk bën dallimin e të mirës nga e keqja, nuk përfshihet në anën e asnjërës, pra nuk përfshihet në anën e të mirës. kështu e keqja fiton.
Eli Vizel thotë se nazizmi lindi, u rrit, kreu krimet nga indiferenca. Ai humbi, u poshtërua dhe gremis nga angazhimi i botës në anën e të mirës.
Kjo është arsyeja pse ne kujtojmë me shumë emocion, me shumë dhimbje dhe me shumë reflektim ditë si holokausti. Kongresmani Tom Lantosh mbante me vete në zyrën e tij në kongres një copë teli e gjemba nga kampet naziste te shfarosjes ku ai kishte vuajtur dhe kishte mbijetuar. Ai ishte për dekada me radhë një simbol i lirisë dhe gjithmonë përmendte nevojën e kujtesës, reflektimit, dëgjimit të ulërimave të dhimbjes në mënyre që kurrë më të mos ketë krime të tilla”, tha Alibeaj.

Pas seancë të posaçme në nderimit të viktimave të holokaustit Kuvendi nis seancën e dytë me pyetje për Ministren e Arsimit dhe Sporteve Evis Kushi dhe interpelance me Ministren e Kulturës Elva Margariti.

Kuvendi do të shqyrtojë sot Aktin Normativ Nr.19, datë 29.12.2022 “Për disa ndryshime në Ligjin nr. 115/2021, “Për Buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar.

Po ashtu, Kuvendi do shqyrtojë një sërë projektligjesh si;

Projektligj “Për gazet serrë të fluorinuara”. Projektligj “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare të HongKongut për Riciklimin e Sigurt dhe Mjedisor të Anijeve, 2009”.

Projektligj “Për disa ndryshime në ligjin nr.9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”.

Projektligj “Për miratimin e rezolutave nr.663 “ Rritja e përgjithshme e kapitalit GCI” dhe nr.664 “Rritja selektive e kapitalit SCI”, të vitit 2018, të Këshillit të Guvernatorëve të Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD).

Projektligj “Për miratimin e rezolutave nr.271 “Rritja selektive e kapitalit SCI” dhe nr.272 “Rritja e përgjithshme e kapitalit GCI”, të vitit 2018, të Këshillit të Guvernatorëve të Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC)”.

Projektvendim “Për miratimin e plani vjetor 2023 për zbatimin e programit të statistikave zyrtare 2022-2026”.

Gjithashtu Kuvendi do të shqyrtojë projektvendimin “Për ngritjen e Komisionit Hetimor “Për verifikimin e ligjshmërisë së shpenzimeve të udhëtimeve me avion jashtë shtetit të Kryeministrit në detyrë , nga data 10.9.2013 deri më datë 31.10.2022””.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb