Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur sot në seancë plenare për të shqyrtuar projektvendimin për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës për shkak të shkeljeve të rënda.

Kuvendi i Shqipërisë do të shqyrtojë sot projektvendimin “Për miratimin e raportit përfundimtar të Komisionit Hetimor të Kuvendit “Për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë” , si dhe Projektvendimin “Për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës për shkak të shkeljeve të rënda të Kushtetutës”.

“Raporti shtjellohet në 98 faqe dhe 3 anekse. Për shkak të volumit të madh të raportit, iu është shpërndarë deputetëve, është publikuar dhe në faqen e kuvendit, është bërë dhe një përmbledhje. Më 30.04.2021 është depozituar kërkesa e 41 deputetëve që kanë paraqitur propozimin për shkarkimin e Presidentit.
Komisioni pasi konstatoi se kërkesa e deputetëve për shkarkimin e Presidentit plotëson kriteret vendosi ngritjen e komisionit hetimor për hetimin e shkeljeve të rënda nga Presidenti të përbërë nga 9 anëtarë”, deklaroi kreu i Komisionit hetimor Alket Hyseni.

Hyseni vlerësoi se presidenti duhet që të sillet e të perceptohet si asnjëanës, duke shkelur parimet e kryetarit të shtetit.

“Kushtetuta e përcakton saktë se çfarë duhet të bëjë presidenti, që duhet të ruajë unitetin e popullit. Shqipëria është republikë parlamentare, që do të thotë se roli i presidentit është protokollar. Presidenti nuk përbën pushtet të katërt. Kreu i shtetit shqiptar ka rolin e një kryetari Republike, duke mbajtur pushtet asnjëanës. Presidenti duhet të mos marrë pjesë në asnjë forcë politike e të garantojë neutralitetin institucional.

Edhe Italia ka rregulla tëë ngjashme me vendin tonë, në lidhje me rolin e presidentit të vendit. Presidenti qëndron mbi palët dhe garantohet për funksionimin demokratik të institucioneve. Meta ka bërë fushatë kundër qeverisë.  Presidenti ka favorizuar PD-në dhe LSI-në, si dhe ka qenë kundër PS-së. Kreu i shtetit përdori terma si “banda në pushtet” janë thirrje të hapura ndaj qeverisë, duke etiketuar kryeministrin, deputetë me mesazhe denigruese, duke marrë anë në mënyrë të qartë”, tha Hyseni.

Më tej, Hyseni theksoi se kritikat e presidentit nuk duhet që të nxisin konflikte.

“Edhe Komisioni vuri re shkelje të presidentit. Presidenti duhet të jetë korrekt në sjellje, të mos nxisë dhunë, përçarje dhe urrejtje. Presidentii nuk mund të urdhërojë që të kërkojë llogari ndaj gjykatave, ndaj KQZ ose organeve të tjera. Kjo sjellje mund të sjellë devijim të zyrtarëve institucionalë në mënyrën sesi ata e bëjnë punën e tyre. Presidenti shfaqet me sjellje kërcënuese. Kritikat e presidentit s’duhet të nxisin konflikte. Presidenti ka ndërhyrë, në momentin që gjyqtarët do të duhej të merrnin vendime. Rezulton e provuar se presidenti ka bërë deklarata që nxisin ndasi e dhunë. Sjellja e presidentit është në raport të zhdrejtë me normalitetin që i takon një zyrtari të lartë të shtetit”, përmbylli Hyseni.

FJALA E PLOTË E KREUT TË KOMISIONIT HETIMOR ALKET HYSENI
PËRMBLEDHJE E
RAPORTIT PËRFUNDIMTAR TË KOMISIONIT HETIMOR
Date 28.05.2021

“Për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë”

Raporti shtjellohet në 98 faqe dhe tre anekse, i ndarë në këta tituj:

I. PËRMBLEDHJE EKZEKUTIVE E RAPORTIT

II. RENDITJA E FAKTEVE

III. KUADRI LIGJOR

IV. HAPAT PROCEDURIALE

V. AKTET E ADMINISTRUARA NË PROCESIN HETIMOR

VI. VLERËSIMI I KOMISIONIT – REZULTATET E HETIMIT

1. Mbi objektin e hetimit

2. Hetimi i shkeljeve të nenit 86, pika 1 (Presidenti si Kreu i Shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit), 88, pika 3 (Betimi) dhe nenit 89 të Kushtetutës (Papajtueshmëria në ushtrimin e funksioneve)

3. Hetimi i shkeljeve të nenit 88, pika 3 të Kushtetutës (Betimi i Presidentit)

4. Hetimi i shkeljeve që lidhen me të drejta në procesin zgjedhor

5. Hetimi i shkeljeve që lidhen me marrëdhëniet me jashtë

6. Hetimi i shkeljeve që lidhen me pavarësinë e organeve publike

7. Hetimi i shkeljeve që lidhen me rendin dhe sigurinë publike

8. Hetimi i shkeljeve të nenit 94 të Kushtetutës (Ndalimi i ushtrimit të kompetencave që nuk janë parashikuar në Kushtetutë dhe në ligj)

9. Vlerësimi i komisionit hetimor mbi natyrën e shkeljeve

10. Mbi gërmën c) të objektit të hetimit – Verifikimi i akteve, sjelljeve dhe qëndrimeve të caktuara të Presidentit të Republikës, në raport me rolin dhe pozitën e tij kushtetuese

11. Konkluzione

*Për shkak të volumit të madh të raportit, duke qenë se ju është shpërndarë gjithë deputetëve, është publikuar gjithashtu në faqen zyrtare të Kuvendit, si dhe i është dërguar edhe Presidentit të Republikës, Konferenca e Kryetarëve ka orientuar Komisionin në prezantimin e një përmbledhje të raportit.

I. PËRMBLEDHJE EKZEKUTIVE E RAPORTIT

1. Në Kuvendin e Shqipërisë në datën 30.4.2021 është depozituar kërkesa e 49 deputetëve, të cilët, në përputhje me parashikimet e neneve 90/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 112 të Rregullores së Kuvendit, kanë paraqitur propozimin për shkarkimin e Presidentit të Republikës, zotit Ilir Meta.

2. Kryetari i Kuvendit, në zbatim të nenit 112, pikat 1 dhe 2 të Rregullores së Kuvendit, vuri në dijeni Kuvendin dhe Presidentin e Republikës për kërkesën e deputetëve si dhe i përcolli Komisionit për Cështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut kërkesën dhe dokumentet shoqëruese të saj.

3. Komisioni për Cështjet Ligjore shqyrtoi në dy mbledhje kërkesën e deputetëve për ta vlerësuar nëse është në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore në fuqi. Komisioni, pasi konstatoi se kërkesa e deputetëve për shkarkimin e Presidentit të Republikës plotëson kërkesat kushtetuese dhe ligjore, vendosi miratimin e Raportit që iu paraqit Kuvendit, duke propozuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar sipas parashikimeve të nenit 112, pika 2 të Rregullores së Kuvendit.

4. Kuvendi, në zbatim të nenit 112 të Rregullores së Kuvendit, miratoi raportin dhe propozimin e Komisionit për Cështjet Ligjore dhe me vendimin nr. 45/2021, vendosi ngritjen e Komisionit Hetimor “Për hetimin e shkeljeve të rënda nga Presidenti i Republikës” të përbërë nga 9 anëtarë: Alket Hyseni kryetar, Myslimi Murrizi zëvendëskryetar, Klotilda Bushka, sekretare dhe Vasilika Hysi, Spartak Braho, Elena Xhina, Halil Jakimi, Nikolin Staka, dhe Arlind Çaçani anëtarë si dhe nga 4 anëtarët zëvendësues Ermonela Felaj, Xhemal Qefalia, Edmond Stojku dhe Eugen Bojaxhiu, të cilët gjej rastin që në cilësinë e kryetarit të Komisionit t´i falenderoj për angazhimin dhe pjesëmarrjen e tyre në cdo mbledhje të Komisionit duke kontribuar në realizimin e qëllimit dhe detyrave të Komisionit të përcaktuara nga Kuvendi me vendimin nr. 45/2021.

5. Objekti i hetimit të Komisionit ishte:
a) Hetimi dhe verifikimi nëse aktet e kryera dhe deklaratat e dhëna nga Presidenti i Republikës gjatë periudhës përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore, si dhe në ditën e heshtjes zgjedhore 2021 përbëjnë shkelje të rëndë të Kushtetutës.
b) Verifikimi i pasojave të këtyre akteve në raport me parimin e unitetit të popullit, prishjen e ekuilibrit politik, të qetësisë publike, nxitjen e urrejtjes dhe dhunës, vënien në rrezik të jetës së njerëzve, ndërhyrjen dhe intimidimin e institucioneve publike, dëmtimin e imazhit dhe reputacionit të vendit, si dhe marrëdhëniet me partnerët strategjikë të Shqipërisë.
c) Verifikimi i akteve, sjelljeve dhe qëndrimeve të caktuara të Presidentit të Republikës, në raport me rolin dhe pozitën e tij kushtetuese.

6. Komisioni hetimor ushtroi veprimtarinë bazuar në ligjin nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, sipas planit të hetimit dhe hapave proceduriale që përshkruhen në mënyrë të hollësishme në raport dhe në përfundim të procesit hetimor dhe shqyrtimit të akteve të administruara gjatë këtij procesi, vendosi unanimisht miratimin e raportit përfundimtar të hetimeve.

7. Raporti i komisionit hetimor paraqet gjetjet e procesit hetimor, analizon dhe jep konkluzione mbi çështjet e objektit të hetimit, të përcaktuara në vendimin nr. 45/2021 të Kuvendit të Shqipërisë dhe në kërkesën datë 30.04.2021 të 49 deputetëve për shkarkimin e Presidentit për shkelje të rënda të Kushtetutës.

8. Konkretisht, pretendimet në kërkesën e 49 deputetëve lidhen me këto shkelje:
✔ Shkelja e betimit të Presidentit (neni 88/3 i Kushtetutës)
✔ Shkelja e detyrimeve kushtetuese të Presidentit për të qenë përfaqësuesi i unitetit kombëtar (neni 86/1 i Kushtetutës)
✔ Shkelja e detyrimeve kushtetuese për të mos kryer aktivitet privat, për të mos qenë anëtar partie politike (neni 89 i Kushtetutës)
✔ Shkelja e detyrimeve kushtetuese për të mos ushtruar asnjë kompetencë, që nuk është parashikuar në Kushtetutë dhe në ligj (nenit 94 i Kushtetutës)
✔ Cenimi i të drejtave kushtetuese të individëve; cenimi i procesit zgjedhor
✔ Cenimi i sigurisë dhe rendit
✔ Cenimi i marrëdhënieve me partnerët strategjikë të Shqipërisë
✔ Cenimi i imazhit dhe reputacionit të vendit
✔ Cenimi i figurës së institucionit të Presidentit; abuzim me kompetencat kushtetuese të Presidentit.

9. Aktet, të cilat ka hetuar komisioni hetimor, konsistojnë në deklarata dhe qëndrime zyrtare të Presidentit Ilir Meta të shprehura në intervista në media dhe rrjete sociale përpara dhe gjatë procesit zgjedhor në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021 dhe në ditën e heshtjes zgjedhore, si dhe veprime të Presidentit gjatë ushtrimit të detyrës së tij, që lidhen me shkresa drejtuar institucioneve shtetërore dhe akte të ndryshme të nxjerra në kuadër të ushtrimit të veprimtarisë së tij.

10. Në kuptim të nenit 90/2 të Kushtetutës, ku shprehimisht thuhet: “Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë”, dhe bazuar në kërkesën e deputetëve për shkarkimin e Presidentit, në kuadër të procesit hetimor, komisioni hetimor ka marrë në shqyrtim, hetuar dhe analizuar: i) ekzistencën e shkeljeve kushtetuese; dhe ii) nëse shkeljet e konstatuara nga procesi hetimor janë të një natyre të rëndë për të justifikuar propozimin për shkarkimin e Presidentit. Me këtë hetim dhe analizë komisioni u ka dhënë përgjigje çështjeve që përcaktohen në objektin e hetimit sipas vendimit nr. 45/2021 të Kuvendit.

11. Në lidhje me hetimin dhe shqyrtimin e ekzistencës apo jo të shkeljeve të Presidentit, komisioni hetimor u bazua në faktet dhe rrethanat që rezultuan nga aktet e administruara gjatë procesit hetimor, siç listohen në raport, analizuar këto fakte dhe rrethana në dritë të kuadrit kushtetues dhe ligjor të zbatueshëm për çështjet objekt hetimi.

12. Mbi hetimin dhe shqyrtimin në lidhje me termin “shkelje e rëndë”: Në legjislacionin shqiptar në fuqi nuk ka parashikim të posaçëm se çfarë do të kuptohet me shkelje të rëndë të Kushtetutës, por referuar doktrinës kushtetuese, jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, opinioneve të Komisionit të Venecias, rasteve të shkarkimeve të presidentëve jashtë vendit referuar në materialin kërkimor të shërbimeve të kërkimeve të Kuvendit dhe në raportet e ekspertëve ligjorë caktuar nga komisioni hetimor me vendimin nr. 5, datë 14.05.2021, komisioni hetimor vlerësoi të analizojë ekzistencën e shkeljes së rëndë nga disa faktorë: i) qëllimi i veprimeve/akteve që përbëjnë shkelje; ii) rëndësia e ligjit/të drejtës së shkelur; iii) konsistenca/përsëritja e shkeljes; iv) impakti/pasoja që sjell shkelja; v) qëndrimi i subjektit ndaj shkeljes.

13. Nga procesi hetimor rezultuan disa shkelje të kryera nga Presidenti i Republikës. Konkretisht, në lidhje me pikën a) dhe b) të objektit të hetimit komisioni konstatoi se Presidenti me aktet e tij ka shkelur nenet 2/2, 4, 7, 13, 18, 45, 88/3, 86/1, 89, 94, 100, 124, 135, 145 dhe 148 të Kushtetutës.

14. Këto shkelje konsiderohen nga ky komision si shkelje të rënda të Kushtetutës, pasi vërtetohet nga aktet e administruara në procesin hetimor dhe siç arsyetohet këtë raport: se i) për kryerjen e akteve që përbëjnë shkelje të Kushtetutës Presidenti nuk ka pasur qëllim legjitim; ii) me këto shkelje Presidenti ka cenuar të drejtat e njeriut dhe marrëdhëniet shoqërore dhe politike që mbrohen nga Kushtetuta, Kodi Penal dhe legjislacioni shqiptar në fuqi; iii) Presidenti ka kryer shkeljet kushtetuese në mënyrë të përsëritur dhe aktet që përbëjnë shkelje kanë qenë konsistente; iv) shkeljet kushtetuese të konsumuara nga Presidenti kanë pasur ndikim negativ në funksionimin e shtetit dhe në sferën sociale, politike dhe në ekonominë e vendit; v) sjellja e Presidentit ndaj shkeljeve kushtetuese është në kundërshtim të hapur me përgjegjshmërinë, vetëpërmbajtjen, seriozitetin, maturinë dhe korrektësinë e qëndrimeve që duhet të shfaqë një përfaqësues i lartë shteti, që respekton parimet e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit, të cilit Kushtetuta i ka veshur atributet e përfaqësuesit të unitetit të popullit.

15. Në lidhje me pikën c) të planit të hetimit, komisioni arrin në konkluzionin se aktet, sjelljet dhe qëndrimet e Presidentit të Republikës, që u hetuan dhe shqyrtuan gjatë procesit hetimor sipas arsyetimit në këtë raport, vijnë në kundërshtim me rolin dhe pozitën e tij kushtetuese.

*Përpara se të vijoj, duhet për procedurë të sqaroj kolegët se në raportin final janë bërë dy korrigjime, për lapsuse gjatë zbardhjes dhe konkretisht:

– “ Ne paragrafët 13, 253 dhe në propozimin e Komisionit Hetimor togfjaleshi “100/1, 100/2 dhe 102/1” zevendësohet me fjalen “100”.

– Saktësohen shënimet në fund faqe apo footnotes që gabimisht gjatë redaktimit të draft raportit janë fshirë.

II. RENDITJA E FAKTEVE
16. Në këtë kre pasqyrohen faktet, argumentat dhe kërkesa e 49 deputetëve, të cilët kanë paraqitur propozimin për shkarkimin e Presidentit të Republikës.

17. Në mënyrë të përmbledhur, në kërkesë, jepen detaje për akte dhe deklarata të Presidentit të Republikës gjatë periudhës përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore, si dhe në ditën e heshtjes zgjedhore 2021.
III. HAPAT PROCEDURIALE

18. Në këtë kre përshkruhet me detaje gjithë veprimtaria që ushtroi komisioni hetimor, sipas parashikimeve në nenin 77 dhe 90, pika 2, të Kushtetutës, në ligjin nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, si dhe në nenin 112 të Rregullores së Kuvendit, që parashikon procedurën parlamentare për shkarkimin e Presidentit të Republikës.
19. Komisioni zhvilloi veprimtarinë e tij brenda afatit trejavor të përcaktuar në Vendimin Nr.45/2021 të Kuvendit, nga data 08.5.2021 deri më datën 28.05.2021. Gjatë kësaj periudhe Komisioni zhvilloi 10 mbledhje, duke nisur që nga mbledhja e parë e konstituimit, e duke vijuar me miratimin e planit paraprak të hetimit, kërkesa për akte dhe prova në institucione të ndryshme, caktimi i ekpertëve ligjore dhe marrja e opinioneve të tyre me shkrim dhe në seancat përkatëse, miratimi i planit përfundimtar të hetimeve, shqyrtimi i provave, diskutime dhe miratimi i raportit final të hetimit.

20. Për vetë rëndësinë që mbart në kuadër të procesit të rregullt, sqarohen edhe hapat e ndjekur për realizimin e të drejtës së Presidentit për t’u dëgjuar në procesin hetimor.

21. Kështu, me shkresën përcjellëse nr. 1081/23, datë 14.5.2021 të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, ka thirrur Presidentin e Republikës, zoti Ilir Meta, për t’u paraqitur përpara Komisionit në datën 18.05.2021, ora 10.00, për t’u dëgjuar në lidhje me rrethanat që lidhen me objektin e hetimit. Bashkëlidhur me shkresën e mësipërme, është dërguar dhe Plani i Hetimit, i miratuar me Vendimin e ndërmjetëm nr. 4, datë 14.05.2021 të Komisionit Hetimor.

22. Presidenti, me shkresën nr. Prot. 1651, datë 16.5.2021, përcjellë me shkresën nr. 1533/6, datë 17.05.2021 të Drejtorit të Kabinetit, drejtuar Kryetarit të Kuvendit, ka njoftuar se në datën 17 maj 2021 zhvillohej takimi i Kryetarëve të Shteteve të Nismës së Procesit të Brdo-Brijunit në Slloveni, dhe se për shkak të këtij angazhimi Presidenti i Republikës ishte në pamundësi objektive për t’u paraqitur në seancën dëgjimore të datës 18.05.2021.

23. Komisioni Hetimor, duke vlerësuar se jo vetëm Kuvendi, në kuadër të procesit të rregullt ligjor, duhet të respektojë të drejtën e Presidentit për t’u dëgjuar, por, gjithashtu, edhe Presidenti i Republikës ka detyrimin, sipas ligjit nr. 8891 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, Kodit të Procedurës Penale dhe Rregullores së Kuvendit, për t’u paraqitur në këtë Komision, me shkresë nr. 1081/32, datë 18.05.2021, vendosi që të rithërrasë në seancë dëgjimore Presidentin e Republikës z. Ilir Meta, duke i propozuar të zgjedhë ditën dhe orën e përshtatshme, për periudhën nga data 19.05.2021 deri në datën 24.05.2021.

24. Drejtori i Kabinetit të Presidentit, me shkresën nr. 1651/3 datë 21.05.2021, drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, shprehet se shkresat e dërguara nga Kuvendi, konkretisht shkresa me nr. prot. 1081/30 datë 18.5.2021 dhe shkresa nr. 1081/32 datë 18.5.2021 përmbajnë kërkesa të përsëritura dhe janë trajtuar në mënyrë shteruese në letrën që Presidenti i Republikës i ka dërguar Kryetarit të Kuvendit, me shkresën nr. 1651, datë 16.05.2021.

25. Në mungesë të një përgjigjeje nga institucioni i Presidencës, Komisioni Hetimor, me shkresën nr. prot. 1081/36 datë 21.05.2021, thirri përsëri Presidentin e Republikës në seancë dëgjimore në Komisionin Hetimor në datë 24 Maj 2021, ora 12:00, në Kryesinë e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

26. Ndërkohë, Drejtori i Kabinetit të Presidentit, me shkresën nr. 1714, datë 24.05.2021, kthim përgjigje shkresës së Kuvendit me nr. prot. 1081/36 datë 21.05.2021, shprehet se “Presidenti i Republikës nuk mund të diskutojë, por dhe as të dëgjohet nga një strukturë e ngritur në Kuvend që nuk ka legjitimitet dhe nuk duhet të ekzistojë sipas Kushtetutës dhe ligjit”.

27. Presidenti, pavarësisht njoftimit, nuk u paraqit për t’u dëgjuar para Komisionit Hetimor në seancën dëgjimore të datës 24.05.2021.

28. Komisioni Hetimor, në përfundim të procesit hetimor dhe shqyrtimit të akteve dhe materialeve të administruara gjatë këtij procesi, sipas planit hetimor, në mbledhjen e datës 28.05.2021, bazuar në nenin 20 të ligjit nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, në datë 28.05.2021 miratoi Raportin Përfundimtar të hetimeve.

IV. KUADRI LIGJOR

29. Komisioni Hetimor në funksion të hetimit të çështjeve të shtruara për hetim ka marrë në analizë legjislacionin shqiptar, Kushtetutën dhe ligje në funksion të objektit të hetimit, si Kodi Penal, Kodi Zgjedhor, Ligji për Policinë e Shtetit nr.108/2014, Opinione të Komisionit të Venecias, Vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Vendime të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, Vendime të gjykatave kushtetuese të huaja, praktika të rasteve të shkarkimit të Presidenteve në bote si ne Itali, Lituani, Republiken e Korese, Kosove, SHBA etj si dhe doktrinën kushtetuese vendase të autorëve Prof. Aurela Anastasi, Luan Omari, Arta Vorpsi, etj doktrinë kushtetuese të Kosoves, Italise etj.

V. AKTET E ADMINISTRUARA NË PROCESIN HETIMOR

30. Komisioni mori në shqyrtim, duke filluar nga kërkesa e 49 deputëve dhe praktika dokumentare e trajtimit të saj deri në ngritjen e komisionit hetimor, rregjistrimet e e programeve të transmetuara nga subjektet audiovizive në format elektronik CD, marrë nga Autoriteti i Medieve Audiovizive, transkriptet përkatëse të tyre, zbardhje të mesazheve e deklaratave dhënë nga Presidenti në rrjete sociale, shkresa të Prokurorisë së Përgjithshme, SPAK, SHIK, Gjykatës Kushtetuese, KQZ, Bashkisë Tiranë, Drejtorisë së Policisë, Shërbimit Legjislativ në Kuvendin e Shqipërisë, shkresa të Presidentit drejtuar Kuvendit dhe organeve të ndryshme publike, Deklarata e gjetjeve dhe përfundimeve paraprake nga Misioni Ndërkombëtar i Vëzhgimit të Zgjedhjeve, OSCE/ODIHR, Deklarata e gjetjeve dhe konkluzioneve paraprake nga Koalicioni për Reforma, Integrim, dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) për zgjedhjet parlamentare të 25 prill 2021, Informacione nga Shërbimi i Kërkimit Parlamentar në Kuvend, Shkresa të komisionit hetimor për të kërkuar informacion në institucione të ndryshme publike dhe përgjigjet përkatëse, opinionet e ekspertëve ligjorë Erind Merkuri dhe Artan Spahiu, opinionet e Komisionit të Venecias.
Komisioni shqyrtoi letra të qytetarëve për veprime të kryera nga Presidenti i Republikës në kundërshtim me Kushtetutën. Komisioni, pasi i mori në shqyrtim, vendosi që letrat të mos pranohen si prova, sepse janë jashtë objektit të hetimit të Komisionit Hetimor.

VLERËSIMI I KOMISIONIT

-REZULTATET E HETIMIT

1. Mbi objektin e hetimit
a) Hetimi dhe verifikimi nëse aktet kryera dhe deklaratat e dhëna nga Presidenti i Republikës gjatë periudhës përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore, si dhe në ditën e heshtjes zgjedhore 2021 përbëjnë shkelje të rëndë të Kushtetutës.
b) Verifikimi i pasojave të këtyre akteve në raport me parimin e unitetit të popullit, prishjen e ekuilibrit politik, të qetësisë publike, nxitjen e urrejtjes dhe dhunës, vënien në rrezik të jetës së njerëzve, ndërhyrjen dhe intimidimin e institucioneve publike, dëmtimin e imazhit dhe reputacionit të vendit, si dhe marrëdhëniet me partnerët strategjikë të Shqipërisë.

31. Aktet të cilat ka hetuar komisioni hetimor lidhen me deklarata dhe qëndrime zyrtare të Presidentit Ilir Meta të shprehura në intervista në media dhe rrjete sociale përpara dhe gjatë procesit zgjedhor në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021 dhe në ditën e heshtjes zgjedhore si dhe veprime të Presidentit gjatë ushtrimit të detyrës e tij, që lidhen me shkresa drejtuar institucioneve shtetërore dhe akte të ndryshme të nxjerra në kuadër të ushtrimit të veprimtarisë së tij. Komisioni ka pasur si detyrë të hetojë dhe analizojë nëse këto akte janë shkelje të Kushtetutës dhe nëse vlerësohen si shkelje të rënda të Kushtetutës si dhe verifikimi i pasojave të këtyre akteve në raport me parimin e unitetit të popullit, prishjen e ekuilibrit politik, të qetësisë publike, nxitjen e urrejtjes dhe dhunës, vënien në rrezik të jetës së njerëzve, ndërhyrjen dhe intimidimin e institucioneve publike, dëmtimin e imazhit dhe reputacionit të vendit, si dhe marrëdhëniet me partnerët strategjikë të Shqipërisë. Për të realizuar këtë detyrë, Komisioni fillimisht çmoi se duhet të sqarohet roli, kompetencat dhe detyrat e Presidentit në një republikë parlamentare dhe mënyra e ushtrimit të tyre në përgjithësi dhe për çështjet objekt hetimi në veçanti.

32. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë parashikon qartë rolin, kompetencat dhe detyrat e Presidentit të Republikës, ndalime specifike si dhe mënyrën e ushtrimit të detyrës. Në paragrafin e parë të nenit 86 të Kushtetutës, shprehimisht thuhet se: “Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit”. Rezulton se pozicioni kushtetues dhe roli më i lartë që Kushtetuta i jep Presidentit të Republikës, në dispozitën e parë të Pjesës së Katërt (Presidenti i Republikës) është cilësia si kreu i shtetit dhe përfaqësuesi i unitetit ose bashkimit të popullit. Për të kuptuar rolin e “Presidentit si Kreu i Shtetit” dhe rolin e “Presidentit si përfaqësuesi i unitetit të popullit”, Komisioni iu referua dispozitave kushtetuese dhe debatit kushtetues në kohën e hartimit të Kushtetutës, jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, doktrinës kushtetuese shqiptare dhe asaj të huaj për vende që kanë parashikime të ngjashme ligjore me vendin tonë si dhe shtjellimeve që përcaktohen në opinionet e Komisionit të Venecias.

Mbi rolin e Presidentit të Republikës si Kryetar i Shtetit

33. Paragrafi i parë i nenit 86 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë përcakton pozicionin kushtetues të Presidentit të Republikës në mozaikun e pushteteve, organeve dhe institucioneve kushtetuese të vendit. Ky pozicion kushtetues kondicionon jo vetëm statusin, por gjithë veprimtarinë e Presidentit të Republikës. Shqipëria është republikë parlamentare (paragrafi 1 i nenit 1 të Kushtetutës), që do të thotë se roli i Presidenti i Republikës në Shqipëri kategorizohet si president joekzekutiv, me rol “formal ose protokollar”. “Pozicioni që ai mban karshi Qeverisë ose forcave të tjera politike… në çdo rast duhet të jetë asnjanës…” dhe në çdo rast ai nuk duhet t’i referohet “ndonjë orientimi politik të caktuar”.

34. Asnjanësia në ushtrimin e funksioneve është kushti dhe karakteristika thelbësore e pozicionit kushtetues të Presidentit. Këtë karakteristikë e ka evidentuar edhe Komisioni i Venecias në analizën që i ka bërë institucionit në një nga opinionet e tij të fundit lidhur me Shqipërinë. Komisioni i Venecias ka qartësuar se funksioni i Presidentit të Republikës si Kryetar i shtetit dhe si përfaqësues i unitetit të popullit kërkon që Presidenti i Republikës të mbajë “pozicion neutral” në veprimtarinë e tij. “Këto cilësime (cilësimi kryetar shteti dhe përfaqësues i unitetit kombëtar) nuk kanë kuptimin se autoriteti i Presidentit i mbivendoset politikës.

35. Funksioni përfaqësues, formal dhe protokollar i Presidentit të Republikës është tipik për regjimet parlamentare. Statusi më i lartë midis autoriteteve publike i jepet Presidentit në regjimet parlamentare, jo për shkak se ai është autoriteti më i pushtetshëm, por për shkak se objektivat që i ngarkohen janë konceptuar se qëndrojnë përmbi dhe përtej atyre të politikave partiake. Nga ana tjetër, kushtetutat e pajisin presidentin me tagra të posaçme pushteti, formale, por edhe substanciale, me qëllim që të ndjekë këto objektiva. Nga kjo rezulton, se në ushtrimin e këtyre tagrave, Presidenti jo vetëm duhet të sillet me asnjanësi, por duhet edhe të perceptohet se sillet me asnjanësi.

36. Në shumicën e vendeve evropiane sot, kryetari i shtetit (Presidenti) konsiderohet si mishërimi i unitetit të popullit, me funksionet e një këshilltari ose arbitri “super partes” (që qëndron mbi palët), pra si përfaqësues i një pushteti asnjanës, i cili, ndër të tjera, përkujdeset edhe për respektimin e normave kushtetuese dhe, në veçanti, të atyre që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet organeve publike. Presidenti i Republikës në një republikë parlamentare nuk bën pjesë në asnjë prej tri pushteteve dhe nga ana tjetër, nuk përbën as pushtet të katërt. Kur flitet, pra, për Presidentin, kuptohet një organ moderues dhe stimulues ndaj pushteteve të tjera, që i shërben funksionimit harmonik të tre pushteteve, me qëllim funksionimin demokratik të shtetit. Presidenti i Republikës së Shqipërisë ka rolin e një kryetari shteti sipas atij që njihet nga regjimet e republikave parlamentare, pra, të një presidenti joqeverisës, si një faktor ekuilibri në jetën e vendit, si një “moderator institucionesh” (sikurse është deklaruar në raportin për projekt-Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të paraqitur në Kuvendin Popullor në vitin 1998) dhe si një “pushtet asnjanës”, domethënë si një pushtet që nuk përfshihet në lojën politike, por qëndron mbi palët dhe nuk kryen asnjë funksion aktiv në përcaktimin dhe realizimin e drejtimit politik.

37. Në kryerjen e funksionit të kreut të shtetit, president i republikës i duhet përmbajtur këtyre parimeve: a) shprehjes së neutralitetit: në kryerjen e detyrës së tij si kreu i shtetit, president i republikës nuk lejohet që të marrë veprime që lejojnë hapësirë për anim partiak, politik apo personal; b) kredibilitet shtetëror: në kryerjen e këtij funksioni, presidenti i republikës përfaqëson shtetin dhe jo interesin e tij/saj personal apo partiak, prandaj publiku duhet të jetë i bindur arsyeshëm që veprimet në kuadër të këtij funksioni janë thjeshtë në përputhje me interesat e gjëra shtetërore, si në kuadrin e tij të brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm; c) objektivitetit: në kryerjen e këtij funksioni, Presidenti i Republikës duhet të gjykojë objektivisht nga pritjet e publikut të gjerë sa i përket përfaqësimit të interesit shtetëror, dhe të veprojë në mënyrë të tillë që pritjet e publikut për veprimet e kryera në kuadrin e këtij funksioni të mos lënë dyshim për anime personale të Presidentit të Republikës; dhe, d) kufizimi i këtij funksioni në aspekte formale . Nisur nga sa sipër, vlerësohet se përcaktimi i vënë në Kushtetutë në nenin 86/1 për Presidentin e Republikës si kreu i shtetit duhet interpretuar në mënyrë të ngushtë, duke përjashtuar çdo hapësirë që kjo të nënkuptojë një autoritet substancial të qeverisjes në dobi të Presidentit të Republikës.

38. Sipas doktrinës shqiptare, në sistemin parlamentar kompetencat e kryetarit të shtetit janë më të kufizuara. Kryetari i shtetit kryen tri funksione kryesore:
1) Funksioni simbolik, i cili në dukje nuk është i rëndësishëm, por në realitet përbën një nga elementët kryesorë të pushtetit të kryetarit të shtetit, përderisa përligj ndërhyrjen e tij në fushat të cilat, në parim, kompetencat e tij janë formale. Kryetari i shtetit, sikurse përcaktohet edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë (neni 86), përfaqëson unitetin e popullit.
2) Kryetari i shtetit si garant i institucioneve të vendit, siguron respektimin e kushtetutës, të ligjeve të tjera dhe të të drejtave dhe lirive të shtetasve. Ky rol i tij sigurohet edhe nga fakti se mandati i tij zgjat më shumë se sa ai i institucioneve të tjera përfshirë edhe parlamentin. Në Shqipëri parlamenti zgjidhet për 4 vjet, ndërsa Presidenti për 5 vjet. Duhet bërë një dallim këtu. Roli garant i Kushtetutës, në kuptimin e ngushtë të këtij termi, i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese, si i vetmi organ i ngarkuar nga ligji themelor, ndërsa për sa i përket kuptimit të gjerë të termit “garant i Kushtetutës”, është çdo organ kushtetues apo i parashikuar prej tij, përderisa ushtron kompetencat e parashikuara nga Kushtetuta dhe kurdoherë brenda kufijve të vendosura nga ligji themelor i vendit.
3) Kryetari i shtetit ka edhe misionin që të veprojë, në rast nevoje, si arbitër ndërmjet forcave të ndryshme politike.
Pozita e kryetarit të shtetit, në një sistem parlamentar si yni ka edhe një veçori; kryetari i shtetit është i përfshirë në procesin legjislativ, përderisa shpall ligjet dhe mund t’ia kthejë parlamentit një herë përpara se t’i shpallë; bën pjesë në pushtetin ekzekutiv, sepse ushtron disa funksione tipike të këtij pushteti, siç është ndër të tjera, komandimi i forcave të armatosura; ka lidhje me pushtetin gjyqësor (por pa pasur asnjë të drejtë ndërhyrje në proceset hetimore e gjyqësore) dhe ushtron të drejtën e faljes, me anën e së cilës mund praktikisht të ndryshojë një vendim penal që ka marrë formë të prerë. Prandaj kryetari i shtetit është i ndarë nga organet kryesore që i realizojnë këto pushtete: parlament, qeveri, gjykatë, por njëkohësisht ka lidhje me secilin prej tyre.

39. Sipas doktrinës kushtetuese shqiptare, në shtetin shqiptar roli dhe pozita juridike e Presidentit të Republikës janë të lidhur ngushtë me një problem kyç, siç është ai i raportit ndërmjet pushteteve të ndryshme, nga i cili përcaktohet edhe forma e qeverisjes, pra lloji i Republikës. Duke u nisur nga përcaktimi i Kushtetutës në nenin 86 se Presidenti i Republikës është kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit si dhe nga konceptimi i rolit të tij si faktor ekuilibri në jetën e vendit, përligjet plotësisht jo vetëm papajtueshmëria e funksionit të tij me çdo funksion shtetëror a privat (përveç atyre funksioneve që vetë Kushtetuta i lidh me postin e Presidentit), por edhe ndalimi i pjesëmarrjes së tij në çfarëdo parti politike.

40. Në një republikë parlamentare roli i Presidentit duhet të jetë neutral dhe mbi palët. Kjo i jep atij mundësi të jetë dhe në rolin e një arbitri në rastin e krizave në një vend të caktuar; Kompetencat e Presidentit si rregull janë formale. Përjashtimisht, kur Presidenti ka dhe kompetenca substanciale, si rregull, ato nuk janë të pavarura, por janë rezultat i nismave, propozimeve dhe vendimmarrjeve te organeve të tjera. Presidenti i Republikës mishëron autoritetin shtetëror, por nuk merr pjesë aktivisht në drejtimin politik të vendit, që si rregull mbetet përgjegjësi e parlamentit dhe qeverisë.

Mbi rolin e Presidentit të Republikës si përfaqësues i unitetit të popullit.

41. Neni 86, paragrafi i parë i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë parashikon se Presidenti i Republikës … përfaqëson unitetin e popullit. Në teorinë e të drejtës kushtetuese, një funksion i tillë, në shumicën e vendeve demokratike i njihet vetëm institucionit të Presidentit. Këtij të fundit, krahas përgjegjësive si i pari (kreu) i shtetit, i atribuohet edhe detyrimi i përfaqësimit të unitetit të popullit. Fjala “unitet” në gjuhën Shqipe do të thotë “bashkim”. Pra në kuptimin gjuhësor, atributi kushtetues i presidentit për të përfaqësuar unitetin e popullit, nënkupton detyrimin për të vepruar dhe ushtruar kompetencat e tij në funksion të qëllimit të mbajtjes së bashkuar të popullit (në rastin tonë, popullit Shqiptar). Në këtë kuptim, Kushtetuta e jonë, duke sanksionuar që Presidenti është përfaqësues i unitetit të popullit, “kërkon” që tek figura e presidentit të evidentohen disa cilësi, që janë, ndër të tjera: paanshmëria politike, neutraliteti, reflektimi i interesit të popullit dhe shtetit në vendimet dhe veprimet/sjelljet e tij, kujdesi i vazhdueshëm për ruajtjen e të mirës publike, etj.

42. Analiza mbi rolin e Presidentit si përfaqësues i unitetit të popullit nuk mund të bëhet e veçuar nga analiza së bashku me nenin 89 të Kushtetutës. Neni 89 i Kushtetutës parashikon që Presidenti i Republikës nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private. Duhet theksuar, bazuar në doktrinën dhe jurisprudencën kushtetuese se ndalimet që parashikon neni 89 i Kushtetutës, janë në funksion të parashikimit të nenit 86, pika 1 e Kushtetutës sipas së cilit Presidenti i Republikës është kryetar i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit. Pikërisht duke mos kryer funksionet apo veprimtaritë e cituara në nenin 89 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës shfaqet më mirë në pozitën e një arbitri, mbi palët dhe në pozitë neutrale.

43. Ky parashikim që garanton “neutralitetin” e institucionit të Presidentit, nënkupton, ndër të tjera, që presidenti (duke qenë përfaqësues i unitetit të popullit) nuk duhet të bëjë pjesë në ndonjë parti politike, si dhe as të mos mbajë çfarëdo posti që mund t’i paragjykojë anësimin e tij partiak e politik. Presidenti i Republikës, në mënyrë që të ushtrojë detyrën e një përfaqësuesi të unitetit të popullit dhe të garantojë neutralitetin institucional, jo vetëm nuk duhet të jetë anëtar i një partie politike, në kuptimin thjesht teknik, parësor të fjalës, por edhe duhet të shihet apo të perceptohet nga publiku, pra nga i gjithë populli, si i tillë (neutral) edhe në pamjen e jashtme, përmes demonstrimit të veprimeve konkrete të tij.

44. Sa më sipër, bazuar në përcaktimin kushtetues që mishëron neni 86/1 interpretuar së bashku me nenin 89 të Kushtetutës, ushtrimi i detyrave e përgjegjësive, por edhe sjellja e jashtme (e dukshme) e Presidentit të Republikës, duhet të konceptohen si një faktor ekuilibri në jetën politike të vendit. Ky rol ekuilibrues është evident në shumicën e vendeve demokratike. Presidenti i Republikës paraqet një faktor neutral që nuk përfshihet në lojën e përditshme politike, por qëndron mbi palët dhe sigurohet për funksionimin demokratik të institucioneve.

45. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës e ka trajtuar këtë parim, ndonëse në pak çështje, duke evidentuar rëndësinë e përfaqësimit të unitetit të popullit nga presidenti në raport me ushtrimin e kompetencave nga ana e tij, duke u shprehur se “është e arsyeshme që publiku të marrë me mend se Presidenti i tyre, që “përfaqëson unitetin e popullit” dhe jo interesat grupore ose interesat politike partiake, do t’i përfaqësojë të gjithë ata….

46. Nga sa sipër, roli i presidentit si përfaqësues i unitetit të popullit, nënkupton që Presidenti i Republikës të mos jetë pjesë aktive e as pasive e ndonjë partie politike, të mos mbajë çfarëdo posti dhe të mos kryejë veprime që mund t’i paragjykojnë animin e tij partiak e politik. Kjo garanton asnjanësinë e Presidentit, e cila jo vetëm duhet të respektohet, por edhe të duket e tillë në sytë e publikut.

47. Kushtetuese e Italisë i është referuar dhe ka analizuar një sërë parimesh kushtetuese, nga të cilat del figura dhe roli i Presidentit e Republikës në sistemin kushtetues Italian, të cilat janë shumë të ngjashme me parashikimet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Gjykata Kushtetuese Italiane, në vendimin e saj nr1/2013 është shprehur se “Presidenti i Republikës “përfaqëson unitetin kombëtar “, jo vetëm në kuptimin e unitetit territorial të shtetit, por gjithashtu, dhe mbi të gjitha, në kuptimin të kohezionit dhe funksionimit harmonik të pushteteve, politike dhe të garancisë, që përbëjnë strukturën kushtetuese të Republikës. Bëhet fjalë, pra, për një organ moderues dhe stimulues ndaj pushteteve të tjera, në rastet hipotetike kur këto të fundit tentojnë të prishin balancat…

48. Sa më sipër, bazuar në përcaktimin kushtetues që mishëron neni 86/1 dhe 89 i Kushtetutës, ushtrimi i detyrave e përgjegjësive, por edhe sjellja e jashtme (e dukshme) e Presidentit të Republikës, duhet të konceptohen si një faktor ekuilibri në jetën politike të vendit. Presidenti i Republikës paraqet një faktor neutral që nuk përfshihet në lojën e përditshme politike, duke qëndruar asnjanës, por qëndron mbi palët dhe sigurohet për funksionimin demokratik të institucioneve.

49. Lidhur me funksionin e Presidentit të Republikës si përfaqësues i unitetit të popullit, Komisioni i Venecias në opinionin nr. 959/2019, duke lidhur një aspekt të rolit të Presidentit si përfaqësues i unitetit të popullit me paanshmërinë e tij në raport me forcat politike, ku kryetari i shtetit nuk duhet që të mbështesë forca të caktuara politike apo t’i kundërvihet grupimeve të tjera.

50. Në të gjitha qasjet e mësipërme, si të studimeve të huaja, Komisionit të Venecias, të doktrinës kushtetuese shqiptare dhe të huaj, konkluzioni është që kur Presidenti i Republikës ushtron detyrën e tij në përputhje me rolin e tij si përfaqësues i unitetit të popullit, rëndësi ka sjellja dhe mënyra e ushtrimit të kompetencave në mënyrë të tillë që në dukje krijon imazhin e një Presidenti të paanshëm dhe mbi palët.

*
* *

2. Hetimi i shkeljeve të nenit 86, pika 1 (Presidenti si Kreu i Shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit) , 88, pika 3 (Betimi) dhe nenit 89 të Kushtetutës (Papajtueshmëria në ushtrimin e funksioneve)

51. Në dritë të analizës së mësipërme juridike dhe akteve të marra në administrim gjatë procesit hetimor, Komisioni hetoi dhe shqyrtoi nëse jemi përpara shkeljeve të nenit 86, paragrafi i parë dhe nenit 89 të Kushtetutës nga ana e Presidentit të Republikës.

52. Në zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare, sipas analizës së sipërcituar rezulton se Presidenti i Republikës duhet që të ruajë neutralitetin në zgjedhje. Për këtë qasje Gjykata Kushtetuese e Republikës së Koresë, në vendimin e saj për çështjen “Impeachment i Presidentit (Roh Moo-hyun)” (16-1 KCCR 609, 2004Hun-Na1), datë 14 maj 2004, ndër të tjera mbajti qëndrimin se:“as fakti që Presidenti është një zyrtar publik i një natyre politike i cili zgjidhet përmes emërimit dhe mbështetjes nga një parti politike dhe as fakti që lejohen aktivitete të caktuara politike dhe partiake të Presidentit nuk mund të shërbejnë si një bazë e vlefshme për mohimin e detyrimin e Presidentit për të ruajtur neutralitetin politik në lidhje me zgjedhjet. Presidenti, edhe në rastin kur po ushtron lirinë e fjalës si një qytetar privat dhe që kryen veprimtari partiake, duhet ta bëjë këtë në një mënyrë të përshtatshme për një zbatim harmonik të funksioneve të presidencës dhe institucionit të saj…”

53. Qartazi nga sa më sipër, detyrimi i Presidentit për të qëndruar neutral në zgjedhje është një detyrim në nivel kushtetues, cenimi i së cilës nuk justifikohet me prejardhjen politike të tij (pra fakti që mund të vijë nga një forcë e caktuar politike), apo me aktivitete të caktuara politike.

54. Shqipëria zhvilloi zgjedhjet për Kuvendin më datë 25.04.2021. Përtej vlerësimit pozitiv si zgjedhje ku “votuesit mund të zgjidhnin midis kandidatësh, të cilët mund të bënin lirshëm fushatë, me një kuadër ligjor që respekton liritë themelore”, këto zgjedhje patën një veçori specifike të pandodhur kurrë më parë. Në këto zgjedhje, “Presidenti i Republikës bëri fushatë kundër partisë në pushtet, në kapacitetin e tij zyrtar”. Ky fakt e bëri misionin vëzhgues të OSBE/ODIHR-it që të bënte konstatim të posaçëm në deklaratën e tij për gjetjet dhe përfundimet paraprake.

55. Ndërsa Koalicioni për Reforma, Integrim, dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) për zgjedhjet parlamentare të 25 prill 2021 në deklaratën e gjetjeve paraprake përshkruan retorikën e ashpër në fushatën elektorale, në të cilën u përfshi edhe Presidenti i vendit, i cili u angazhua haptas në fushatë kundër mazhorancës aktuale dhe, personalisht, Kryeministrit Rama, duke u pozicionuar si një konkurrent elektoral dhe jo si një figurë mbi palët…”Opinionet e mësipërme në fakt krijohen në bazë të shumë deklaratave të Presidentit gjatë zgjedhjeve.

56. Nga këto deklarata del i qartë pozicionimi i Presidentit të Republikës dhe pjesëmarrja aktive në fushatë kundër qeverisë, mazhorancës që përfaqësohet nga Partia Socialiste, subjekt zgjedhor në zgjedhjet e 25 Prillit, përfaqësuesve të saj por edhe forcave të tjera politike. Komisioni i është referuar praktikës kushtetuese të krahasuar për të konkluduar nëse kjo qasje konsiderohet apo jo shkelje e Kushtetutës. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Koresë, në vendimin e saj për çështjen “Impeachment i Presidentit (Roh Moo-hyun)” (16-1 KCCR 609, 2004Hun-Na1), datë 14 maj 2004, në lidhje me deklarimet e Presidentit në këto situata, u shpreh se: “nëse Presidenti bën një deklaratë në mënyrë të njëanshme duke mbështetur një parti të caktuar politike dhe ndikon në procesin me të cilin publiku formon mendimet e tij, Presidenti ndërhyn dhe shtrembëron procesin e formimit të pavarur të opinioneve të publikut bazuar në një vlerësim të drejtë të politikës së partisë dhe kandidatëve……dhe në këtë mënyrë zhvlerëson rëndë parimin e demokracisë parlamentare.

57. Qasja e mësipërme e së drejtës kushtetuese të krahasuar orienton qartë për rolin strikt dhe neutral që duhet të mbajë Presidenti i Republikës. Në këtë kundërt cenimi i këtij roli rezulton qartë se “shtrembërohet pozicioni i pavarur i opinioneve të publikut”, “konkurrenca e lirë midis partive parlamentare”, si edhe në thelb cenohet “demokracia parlamentare”.

58. Qëndrimet e ashpra, që vihen re në deklaratat më sipër, i kundërvihen dhe dëmtojnë pozicionin dhe autoritetin kushtetues të Kryetarit të Shtetit, sikurse shkel simbolikën e përfaqësimit të unitetit kombëtar që mban funksioni i tij.

59. Faktet publike tregojnë gjithashtu se thirrjet nga ana e Presidentit të Republikës lidheshin vetëm me rezultatin e zgjedhjeve të datës 25 prill. Presidenti Ilir Meta ishte pozicionuar dukshëm kundër mazhorancës. Qasja e Presidentit të Republikës ishte në dy drejtime. Kështu në një pjesë të sjelljes, deklaratave dhe veprimeve të tij, Presidenti ishte në favor të dy partive dhe konkretisht Partisë Demokratike (PD) dhe Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI). Ndërkohë që pjesa tjetër e deklaratave të tij ishin kundër Partisë Socialiste (PS). Të dyja veprimet, referuar dhe jurisprudencës kushtetuese së huaj, përbëjnë shkelje të neutralitetit në zgjedhje, pasi në të dyja rastet synohet goditja e një force politike në favor të forcave të tjera, duke u treguar qartazi anshmëri politike në zgjedhjet parlamentare. Presidenti kishte kërkuar publikisht “ndryshimin e qeverisjes” me “referendumin e tij popullor”. Ky ishte rezultati i vetëm i pranueshëm për të. Çdo rezultat tjetër nënkuptonte se votat ishin vjedhur, prandaj PS dhe qeveria e saj duhet të përballeshin me “sfurqet, kosoret, lopatat, sëpatat”. Fakti që Presidenti Ilir Meta nuk kishte asnjë interes tek mbrojtja e votës evidentohet qartë nga mungesa totale e reagimit të tij ndaj rasteve të kapjes në flagrancë të eksponentëve të LSI-së në Dibër, Pukë dhe Tiranë.

60. Për Presidentin fakti që institucionet e shtetit po vepronin në lidhje me faktet që ishin kallëzuar si krime zgjedhore nuk kishte rëndësi. Presidenti shfaqte një mungesë totale vullnetit për ftuar palët të ndiqnin me vendosmëri rrugën ligjore për ngritjen e pretendimeve të tyre. Presidenti injoronte mekanizmat ligjorë që ishin vënë me sukses në zbatim në këto zgjedhje si pasojë e miratimit të ndryshimeve në Kodin Penal, Kodin Zgjedhore disa ligje të tjera në kuadër të reformës zgjedhore (disa çështje penale të hapura).

61. Rezulton në fakt se bazuar në shkresën nr. 770/1, datë 11.05.2021 të Prokurorisë së Përgjithshme, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm kanë marrë 125 njoftime për vepra penale në fushën e zgjedhjeve. Nga këto, janë regjistruar 38 procedime penale, dhe janë në fazën e verifikimit paraprak njoftime të tjera, ndërsa bazuar në shkresën nr. 3851/1, datë 12.05.2021 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, rezulton se janë regjistruar pranë kësaj prokurorie 54 procedime penale dhe aktualisht janë në hetim 37 procedime penale. Institucioni i Presidentit të Republikës ka përcjellë 20 informacione pranë kësaj prokurorie. Me gjithë këtë veprimtari proaktive të organeve të prokurorisë, Presidenti, zgjodhi të ishte protagonisti më kryesor për të ndaluar rastet që për të përbënin krime zgjedhore dhe për të kryer këtë mision rruga e gjetur ishte qëndrimi i ashpër publik kundër mazhorancës, veprimtarisë së saj.

62. Rezulton se Presidenti në të gjitha daljet e tij publike, media apo rrjete sociale që u morën në shqyrtim nga Komisioni Hetimor, ka kryer aktivitet politik duke ftuar popullin për të treguar “maturi” dhe “rrëzuar regjimin në fuqi”. Përdorimi i termave si “banda në pushtet”, “banda e rilindjes”, etiketimi i përfaqësuesve të Këshillit të Ministrave si “përfaqësuesi i Ndrangheta”, cilësimi i nevojës për përdorim të votimit në datë 25 Prill si ditë referendumi që “përfundon bandën në pushtet” janë thirrje të hapura kundër mazhorancës qeverisëse, të ngjashme me ato të përdorura nga liderët e partive opozitare, apo etiketimet ndaj figurave të larta shtetërore si Kryeministri, deputetë apo drejtues politikë të mazhorancës në qarqe të caktuara me mesazhe denigruese, intimiduese tregojnë anësi të qartë politike.

63. Presidenti sa kohë është i detyruar të përfaqësojë unitetin e popullit, kur bën deklarata në mënyrë të njëanshme në favor apo kundër një partie të caktuar politike, e humb këtë rol sipas atributeve që i jep Kushtetuta. Presidenti i Republikës nuk duhet që të përfshihet në fushatë zgjedhore kundër një apo disa forcave politike me qëllim që ato të humbin ose të mbështesë grupe të tjera me qëllim që ato të fitojnë. Në këtë rast Presidenti i Republikës del jashtë funksionit të tij kushtetues. Në rastin në hetim, Presidenti i Republikës së Shqipërisë qëndrimet e veta publike, të ashpra kundër mazhorancës i ka mbajtur në mënyrë konsistente dhe të vazhdueshme gjatë gjithë fushatës zgjedhore.

64. Komisioni në këtë rast çmon t’i referohet edhe praktikës së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila në çështjen me nr. regj. AGJ 43/10, Aktgjykimin në lëndën nr. KI 47/10, datë 28.9.2010, “Naim Rrustemi dhe 31 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës Vs. Shkëlqesisë së tij, Fatmir Sejdini, President i Republikës së Kosovës”, u shpreh se: “është e arsyeshme që publiku të presupozojë se Presidenti i tyre, që “përfaqëson unitetin e popullit” dhe jo një fragment ose interes politik partiak, do të përfaqësojë të gjithë ata. Çdo qytetar i Republikës gëzon të drejtën që të sigurohet nga paanshmëria, integriteti dhe pavarësia e Presidentit.

65. Bazuar në standardet kushtetuese dhe duke e ballafaquar atë me sjelljen e Presidentit të Republikës, rezulton se me këto deklarata dhe qëndrimet e tij, në çmim të Komisionit Hetimor Presidenti, dështoi të jetë kreu i shtetit që “përfaqëson unitetin e popullit” pasi ai dukshëm shkeli asnjanësisë si Kreu i Shtetit duke u përfshirë në fushatë zgjedhore me rol aktiv kundër mazhorancës që përfaqësohej prej forcës politike Partia Socialiste, garuese në zgjedhjet e 25 prillit 2021 dhe kreu kështu një shkelje të detyrimit të tij kushtetues për rolin e Presidentit si faktor neutral që nuk përfshihet në lojën e përditshme politike, por qëndron mbi palët dhe sigurohet për funksionimin demokratik të institucioneve. Me këto qëndrime, Presidenti humbi dhe funksionin e të qenit një faktor ekuilibri në jetën politike të vendit. Këto qëndrime jo asnjanëse dhe paekuilibruara të Presidentit, u vunë re dhe u referuan edhe në raportet përkatëse të OSBE/ODHIR dhe Koalicionit të Vëzhguesve Vendore.

66. Duke shkelur detyrimet kushtetuese që përcaktohen në nenin 86, paragrafi i parë dhe nenin 89 të Kushtetutës, Presidenti ka shkelur njëkohësisht dhe nenin 88, paragrafi 3 i Kushtetutës që parashikon detyrimet kushtetuese të Presidentit në formulën e betimit. Për sa kohë në formulën e betimit, Presidenti merr përsipër detyrimin për të respektuar Kushtetutën, që në nenin 86, paragrafi i parë përcakton rolin e Presidentit si përfaqësues i unitetit të popullit dhe nenin 89 të Kushtetutës, dispozitë ndaluese kushtetuese, për të cilat Komisioni Hetimor konstatoi shkelje nga ana e Presidentit, rrjedhimisht dhe neni 88, paragrafi 3 i Kushtetutës (betimi) rezulton të jetë shkelur nga ana e Presidentit.

67. Shkelja e betimit është në fakt një shkelje kushtetuese. Jurisprudenca kushtetuese ka njohur këto raste si shkelje të rënda të Kushtetutës. Kështu Gjykata Kushtetuese e Lituanisë në vendimin e saj nr. 14/04, datë 31 mars 2004, ndër të tjera është shprehur se: “Presidenti i Republikës, ndërsa është në detyrë, nuk mund të devijojë nga vlerat universale kushtetuese të ngulitura në betimin e Presidentit të Republikës, të cilat janë më të rëndësishmet për Kombin. … nga momenti i dhënies së betimit i lind një detyrë Presidentit të Republikës të veprojë vetëm ashtu siç e detyron betimin e bërë Kombit, dhe se një shkelje e betimit është një nga arsyet sipas të cilave Presidenti i Republikës mund të hiqet nga detyra në përputhje me procedurën e shkarkimit.

68. Detyrimet Kushtetuese të Presidentit të Republikës në formulën e betimit (neni 88/3 i Kushtetutës). Detyrimi i Presidentit në formulën e betimit (neni 88, paragrafi i tretë i Kushtetutës) për t’iu bindur – për të vepruar vetëm në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit; lidhet me parimin e shtetit të së drejtës i sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës dhe që kupton veprimin e të gjithë institucioneve shtetërore sipas së drejtës në fuqi si dhe supremacinë e Kushtetutës ndaj akteve të tjera normative. Çdo organ në një shtet të së drejtës duhet të veprojë për aq sa i lejon Kushtetuta dhe ligji duke mos i tejkaluar kufijtë e përcaktuar prej tyre”. Ky parim ka dy aspekte thelbësore. Së pari, asnjë organ apo institucion nuk mund të veprojë jashtë kompetencave që ligji i ka ngarkuar. Së dyti, këtij parimi nuk i nënshtrohen vetëm aktet e nxjerra përgjatë ushtrimit të detyrës, por i nënshtrohet gjithë veprimtaria e organit apo institucionit.

69. Presidenti i Republikës është në ushtrim të veprimtarisë së tij jo vetëm kur nxjerr dekrete apo jep dekorata, por edhe kur bën deklarime, kryen veprimtari protokollare, bën vizita zyrtare apo institucionale, pret vizitorë, jep intervista apo mban konferenca shtypi. E gjithë kjo veprimtari i nënshtrohet dhe matet nga parimi i sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës.

70. Të njëjtin detyrim, për të respektuar nenin 4 të Kushtetutës ka Presidenti edhe kur në ai mban qëndrime publike si kreu i shtetit në intervista, konferenca shtypi, publikime në media apo rrjete sociale të mesazheve të tij etj. Edhe pse nuk parashikohet shprehimisht në Kushtetutë, Presidenti si çdo funksionar i lartë shtetëror ka të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të kritikës, ashtu siç dhe ka edhe disa përgjegjësi dhe kufizime në ushtrimin e saj. Kur ushtron të drejtën e tij të shprehjes dhe kritikës, Presidenti i Republikës duhet të jetë i vetëpërmbajtur si edhe të mos jetë konfliktual më institucionet e tjera kushtetuese dhe ligjore. Për më tepër, gjuha e Presidentit si një faktor ekuilibri në jetën politike të vendit dhe përfaqësues i unitetit kombëtar duhet të jetë korrekte, jodiskriminuese, të mos nxisë urrejtje, jo përçarje dhe aq më tepër të mos nxisë dhunë. Çdo sjellje e kundërt do të rezultonte në shkelje të rolit si përfaqësues i unitetit të kombit, në shkelje të nenit 86, paragrafi 1 dhe nenit 88, paragrafi 3 i Kushtetutës, por edhe të dispozitave të tjera kushtetuese siç do t’i analizohen më poshtë në këtë raport. Statusi kushtetues i Presidentit të Republikës dhe roli i tij në shtet e detyron atë të zgjedhë forma të duhura, korrekte të shprehjes së mesazheve, por edhe të kritikës. Kjo edhe për arsye se në rast se kritikat nuk do merreshin parasysh, besimi i popullit në vetë institucionin e Presidentit të Republikës do të degradohej dhe autoriteti i këtij institucioni do të zvogëlohej.

71. Referuar doktrinës kushtetuese italiane, Presidenti mund të japë apo të shprehë mesazhe edhe në raste që nuk përfshihen në kompetencën e presidentit për të dërguar mesazhe, por në të ashtuquajturën “kompetencë të shprehjes”, që mund të shfaqet në forma të ndryshme. Premisë e saj është që presidenti nuk mund të kufizohet me shprehjen zyrtare të mendimit të tij vetëm nëpërmjet mesazheve, megjithëse liria e tij e shprehjes së mendimit, për shkak të detyrës që mbulon, ka kufizime. Para së gjithash, Presidenti duhet të shmangë përdorimin e formave të shprehjes të ndryshme nga mesazhi, ndërkohë që mund të përdorë pikërisht këtë mjet. Në radhë të dytë, kompetenca e shprehjes së Presidentit, lidhet ngushtë me ushtrimin e funksioneve të tij dhe me pozicionin e tij si përfaqësues i unitetit të popullit. Duke qenë se Presidenti i Republikës nuk është organ i drejtimit politik, shkresat e tij drejtuar Kuvendit dhe institucioneve të tjera, fjalimet e mbajtura në atdhe apo jashtë shtetit në rastin e një udhëtimi zyrtar, fjalët përshëndetëse drejtuar forcave të armatosura apo organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, ligjërimet, intervistat apo deklaratat për shtyp, ndërhyrjet në televizion (përveçse kur janë thjesht rastësore, si një mesazh urimi) dhe çdo formë tjetër atipike e shprehjes së mendimit që ka ose mund të ketë reflektime politike, duhet të gjejë një përdorim të kufizuar, sidomos kur kryetari i shtetit mund të arrijë të njëjtin rezultat duke përdorur format tipike (mesazhet). Edhe si përfaqësues i unitetit kombëtar presidenti gjen kufizime në shprehjen e mendimit të tij. Në fakt, duket qartë se pikërisht në këtë rol, presidenti nuk mund të ndërhyjë në një nga format atipike që u thanë, në mos vetëm kur e bën me kujdes të jashtëzakonshëm, për të shmangur mundësinë që shprehjet e tij dhe gjykimet e tij t’i tingëllojnë me nënkuptime opinionit publik si dënim për organet e drejtimit politik ose të mund të interpretohen si mosmiratim i sjelljes së tyre.

72. Këtu nuk është në diskutim kompetenca e ndërhyrjes së Presidentit të Republikës , por problemi i formave dhe i kufizimeve të kësaj kompetence. Presidenti mund dhe duhet të shprehë mendimin e tij në format dhe kufizimet e kërkuara nga kushtetuta, rrugë kjo që sigurisht nuk është e thjeshtë, por që është e vetmja kushtetutshmërisht e sigurt që duhet ndjekur nëse duam të shmangim mundësinë e lindjes së një “partie të presidentit” ose që kryetari i shtetit të marrë një rol që nuk i takon si “zëvendës” i organeve të drejtimit politik.

3. Hetimi i shkeljeve të nenit 88, pika 3 të Kushtetutës (Betimi i Presidentit)

73. Në përputhje me objektin e hetimit, Komisioni hetoi dhe shqyrtoi nëse jemi përpara shkeljeve të tjera të nenit 88, paragrafi i tretë i Kushtetutës nga ana e Presidentit të Republikës, përveç atyre që janë konstatuar më sipër në këtë raport.

74. Detyrimi i Presidentit në formulën e betimit (neni 88, paragrafi i tretë i Kushtetutës) siç është parashtruar më sipër është respektimi i Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut, mbrojtja e pavarësisë së Republikës së Shqipërisë, dhe shërbimi në favor të interesit të përgjithshëm dhe përparimit të popullit shqiptar.

75. Sipas kërkesës së 49 deputetëve për shkarkimin e Presidentit, përveç shkeljeve që lidhen me rolin e Presidentit si përfaqësues i unitetit të popullit (neni 86 i Kushtetutës) dhe me nenin 89 të Kushtetutës, por edhe në objektin e hetimit, kërkohet dhe hetimi i shkeljeve të Presidentit që lidhen me të drejta në procesin zgjedhor, marrëdhëniet me partnerët strategjikë dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në rajon, pavarësinë e organeve të shtetit, rendin dhe sigurinë në vend si dhe hetimi i shkeljes së nenit 94 të Kushtetutës që ndalon Presidentin të ushtrojë kompetenca që nuk janë parashikuar për të në Kushtetutë dhe në ligj. Këto pretendime Komisioni po i analizon në vijim.

4. Hetimi i shkeljeve që lidhen me të drejta në procesin zgjedhor

76. Procesi zgjedhor është mjeti për realizimin e të drejtës së shtetasve për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, të drejta themelore të njeriut që mbrohen nga Kushtetuta jonë.

77. Neni 45 i Kushtetutës parashikon se çdo qytetar që ka mbushur moshën 18 vjeç ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet. Kjo e drejtë bën pjesë në kapitullin e të drejtave dhe lirive politike dhe është pikërisht materializimi i parimit se sovraniteti i përket popullit dhe ushtrimi i tij bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë ose nëpërmjet përfaqësuesve të tij. E drejta për të zgjedhur lirshëm është një e drejtë bazë e funksionimit të një shoqërie të lirë. Privimi nga kjo e drejtë është një cenim i parimeve të shtetit të së drejtës dhe demokracisë. Zgjedhjet janë e drejta e qytetarëve për të zgjedhur në mënyrë periodike përfaqësuesit e tyre dhe mundësia e partive/subjekteve politike për të garuar e për të fituar cilësinë e përfaqësuesit të popullit nëpërmjet votës së lirë. Qëndrime të Presidentit gjatë fushatave zgjedhore pro apo kundër subjekteve politike garuese janë ndërhyrje në të drejtën për t’u zgjedhur të subjekteve politike, pasi cenojnë barazinë e konkurrimit politik. Çdo shtetas duhet të zgjedhë lirshëm se për cilin subjekt do të votojë dhe askush nuk mund të ndërhyjë në këtë vullnet apo të ndikojë në formësimin e këtij vullneti me asnjë veprim që vjen në kundërshtim me rendin juridik.

78. Rezulton nga aktet e marra në shqyrtim nga Komisioni Hetimor, se me thirrjet drejtuar zgjedhësve në mesazhet e tij gjatë fushatës zgjedhore 2021 dhe në ditën e heshtjes zgjedhore Presidenti ka ndërhyrë në procesin zgjedhor. Deklarimet dhe qëndrimet e Presidentit të Republikës drejtuar popullit në media apo rrjete sociale në shkelje të detyrimeve të tij si përfaqësues i unitetit të kombit, siç analizuam më sipër, kundër mazhorancës, subjekt garuese në zgjedhjet e muajit prill 2021 konsiderohen ndërhyrje në të drejtën e shtetasve për të zgjedhur pasi cenojnë të drejtën e votës së lirë dhe pa ndikime. Mesazhet dhe qëndrimet e Presidentit nuk mund të mos ndikojnë votuesit në formimin e vullnetit për kë subjekt do të votojnë, kur dëgjojnë kreun e shtetit dhe përfaqësuesin e unitetit kombëtar që jep në mënyrë konsekuente qëndrime pro apo kundër subjekteve të caktuara politike. Ky konkluzion i Komisionit bazohet edhe në praktikën kushtetuese të krahasuar, ku Gjykata Kushtetuese e Republikës së Koresë, në vendimin e datës 14 maj 2004, ndër të tjera mbajti qëndrimin se: “…nëse Presidenti bën një deklaratë në mënyrë të njëanshme duke mbështetur një parti të caktuar politike dhe ndikon në procesin me të cilin publiku formon mendimet e tij, Presidenti ndërhyn dhe shtrembëron procesin e formimit të pavarur të opinioneve të publikut bazuar në një vlerësim të drejtë të politikës së partisë dhe kandidatëve. …

79. Gjithashtu, thirrjet e Presidentit kundër mazhorancës janë ndërhyrje në të drejtën për t’u zgjedhur të subjektit politik Partia Socialiste dhe kandidatëve të saj, pasi krijojnë pabarazi politike. Komisioni në këtë rast merr në konsideratë praktikën e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e cila në çështjen me nr. regj. AGJ 43/10, Aktgjykimin në Lëndën nr. KI 47/10, datë 28.9.2010, është shprehur se: “Partitë politike kanë si funksion dhe dëshirë themelore të fitojnë mbështetjen e qytetarëve dhe të influencojnë njerëzit në lidhje me çështjet politike dhe të fitojnë zgjedhjet. Një nga mënyrat themelore për të fituar zemrat dhe mendjet e njerëzve, që do të votojnë në kohën e zgjedhjes, është aftësia e një partie politike që të nxisë ata.

80. Artikulimi i Presidentit në mesazhet dhe deklaratat e tij përngjan me thirrjet që subjektet garuese, veçanërisht Partia Demokratike (PD) dhe Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), në zgjedhjet e prillit 2021 kanë bërë gjatë fushatës zgjedhore kundër Partisë Socialiste dhe mazhorancës në pushtet. Natyrisht që PD dhe LSI garonin për të fituar, por roli kushtetues i Presidentit dhe pozicioni i tij neutral e ndalonte atë të ishte pjesë e kësaj gare politike. Megjithatë, edhe në kushtet e këtij ndalimi kushtetues, nga pozicioni i tij institucional, Presidenti u ka bërë thirrje publike shqiptarëve që të votonin ndryshimin, ka lëshuar akuza kundër shumicës, qeverisë dhe eksponentëve të saj dhe në fakt është sjellë si opozita e mazhorancës. Këto qëndrime padiskutim që prishin balancat në fushatat elektorale pasi krijojnë pabarazi politike dhe nxisin konfliktin politik, ndërkohë që Presidenti ka si detyrë të jetë asnjanës, jopolitik, të moderojë konfliktin politik dhe të ketë rol ekuilibrues.

81. Nuk do përbënte shkelje të të drejtës për të zgjedhur asnjë deklarim apo qëndrim i një kundërshtari politik, subjekt politik garues në fushatë elektorale (sigurisht nëse nuk vjen në kundërshtim me ligjin si shpifje, nxitja e urrejtës etj), por qëndrime të tilla të Presidentit të Republikës të cilit Kushtetuta i ka veshur rolin e përfaqësuesit të unitetit të popullit dhe asnjanësisë politike janë të papranueshme për kreun e shtetit. Neutraliteti i Presidentit në fushata zgjedhore ka rëndësi të madhe pasi ndërhyrja në procesin zgjedhor është cenim i të drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur dhe si e tillë konsiderohet një ndërhyrje e pajustifikuar dhe joproporcionale në të drejtat themelore të njeriut.Sjellja e Presidentit në mënyrë aktive në fushatë, duke dhënë intervista me nismën e tij apo duke publikuar mesazhe në rrjete sociale dhe në këto intervista dhe mesazhe publike duke mbajtur qëndrime kundër një force politike si dhe duke i kërkuar zgjedhësve që të mos votojnë mazhorancën, qëndrime këto që janë konsekuente dhe jo si raste të izoluara, konsiderohen ndërhyrje në procesin zgjedhor, dhe përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

82. Në analizë të sa më sipër, Komisioni vlerëson se Presidenti ka ndërhyrë në procesin zgjedhor duke cenuar të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur dhe konstaton shkelje të nenit 15, paragrafi i dytë i Kushtetutës, pasi Presidenti nuk ka respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, dhe konkretisht të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur dhe rrjedhimisht dhe nenin 45 të Kushtetutës si dhe nenin 18, paragrafi i dytë i Kushtetutës pasi ka shfaqur sjellje diskriminuese që lidhen me bindjet politike, duke denigruar subjektin garues Partia Socialiste dhe kandidatët e saj për deputetë në garë.

5. Hetimi i shkeljeve që lidhen me marrëdhëniet me jashtë

83. Presidenti i Republikës, në cilësinë e tij si Kryetar i Shtetit, ka kompetencë të përfaqësojë shtetin në marrëdhëniet me jashtë. Por Presidenti këtë tagër përfaqësimi nuk ka të drejtë t’ia nënshtrojë vullnetit të tij të pavarur. Në nenin 92 të Kushtetutës ku parashikohen qartësisht kompetencat e Presidentit, nuk rezulton që Presidenti të ketë detyrë përcaktimin e drejtimeve kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore, ku përfshihen dhe marrëdhëniet e politikës së jashtme.

84. Politika e jashtme dhe marrëdhëniet me shtetet dhe përfaqësuesit zyrtarë të shteteve të tjera drejtohen nga Kuvendi si organ sovran dhe nga qeveria si organ i ngarkuar me përcaktimin e drejtimeve kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore. Komisioni Hetimor merr në konsideratë parashikimet vijuese kushtetuese: paragrafi i parë i nenit 2; paragrafi i parë i nenit 100; paragrafi i parë i nenit 102 të Kushtetutës.

85. Pavarësisht se Presidenti i Republikës sipas nenit 92 të Kushtetutës pret ambasadorët ose të ngarkuarit me punë të shteteve të tjera dhe letrat kredenciale të tyre, atij i mungon kompetenca materiale në fushën e marrëdhënieve me jashtë. Kompetenca e Presidentit për të përfaqësuar vendin nga jashtë është e kufizuar vetëm në drejtim të bërjes së njohur të vullnetit shtetëror, të formuar nga organet kompetente”.

86. Sipas Gjykatës Kushtetuese “kryetari i shtetit ka kompetencë që të ushtrojë ius repraesentationis omnimodae, pra të bëjë të njohur ndërkombëtarisht vullnetin e brendshëm shtetëror dhe të përfaqësojë unitetin e shtetit në skenën ndërkombëtare”. Presidentit i mungon tërësisht kompetenca për të formuar apo modifikuar këtë vullnet. Ai nuk mund të caktojë aleancat apo partneritetin strategjik ndërkombëtar të Republikës së Shqipërisë, nuk mund të kërkojë, negociojë apo shpallë aleanca të ndryshme nga ato të përcaktuara nga Kuvendi i Shqipërisë, sikurse nuk mund t’i kontestojë apo denoncojë këto të fundit. Presidenti nuk mund të krijojë marrëdhënie të privilegjuara me shtete apo përfaqësues shtetesh të caktuara, sikurse nuk mund të distancojë shtetin shqiptar apo të krijojë incidente apo konflikte me shtete apo përfaqësues shtetesh, jashtë përcaktimeve të politikës së jashtme të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.

87. Sipas qasjes doktrinore dhe jurisprudencës së sipërcituar, si edhe bazuar në parashikimet e neneve 100 dhe 102 të Kushtetutës rezulton se konceptimi i politikës së përgjithshme shtetërore, ku përfshihet dhe politika e jashtme, është kompetencë e Kryeministrit, i cili ia paraqet për miratim Këshillit të Ministrave. Është ky i fundit i cili përcakton dhe çështjet e politikës së jashtme, në kuadër të politikës së përgjithshme shtetërore. Kjo mënyrë interpretimi përputhet edhe me logjikën e sistemit të republikës parlamentare, përderisa Këshilli i Ministrave ka marrë votëbesimin nga Kuvendi, si edhe kontrollohet prej tij nëpërmjet interpelancave, pyetjeve, mocioneve të besimit dhe të mosbesimit etj.

88. Nga ana tjetër Presidenti i Republikës, megjithëse ka të drejtën e përfaqësimit të shtetit në marrëdhëniet me jashtë nuk mundet që ta kryejë atë lirisht përderisa ai nuk mban përgjegjësi politike përpara Kuvendit dhe nuk kontrollohet politikisht prej tij. Kështu Presidenti mund të ushtrojë kompetencat e tij gjithmonë në bashkëpunim më Këshillin e Ministrave që përcakton drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore. Për më tepër edhe kompetencat që citohen në germat “dh”, “e” dhe “ë” të nenit 92 të Kushtetutës, nuk mund të ushtrohen në mënyrë krejtësisht ta pavarur nga Presidenti. Kështu nëse Kryetarit të Shtetit, nuk i vijnë, sipas kompetencës, nga Këshilli i Ministrave, kryeministri apo ministri përgjegjës për politikën e jashtme propozime sipas legjislacionit në fuqi, Presidenti nuk mund t’i ushtrojë ato kompetenca.

89. Në intervistën e dhënë në emisionin e shfaqur në Syri TV. si dhe në emisionin datë 01.03.2021 “Frontline” Neës 24, Presidenti ka mbajtur qëndrime që kanë lidhje me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më konkretisht, rezulton se Presidenti i Republikës ka ndërmarrë sulme publike kundër ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe vetë Ambasadores Yuri Kim, duke përhapur akuza të rreme për ndërhyrje në punët e brendshme, për njëanshmëri dhe përfaqësim të interesave antishqiptare të shteteve të tjera, sikurse ka insinuar se autoritetet përfaqësuese të SHBA kanë kryer ose janë të aftë të kryejnë krime kundër tij.

90. Të gjitha deklarimet e tij publike kundër ambasadës dhe autoriteteve përfaqësuese të SHBA do kishin forcën të dëmtonin rëndë marrëdhëniet me aleatin tonë strategjik, nëse autoritetet kompetente të SHBA nuk do kuptonin se këto qëndrime janë e kundërta e qëndrimit zyrtar të Republikës së Shqipërisë. Pavarësisht kësaj, imazhi dhe pozita ndërkombëtare e Republikës së Shqipërisë, konsiderohet e dëmtuar, për shkak se institucioni i cili duhet të përfaqësojë ndërkombëtarisht Republikën e Shqipërisë (sipas parashikimeve kushtetuese të sipërcituara), bëhet konfliktual, sulmon dhe synon të denigrojë aleatin më të madh strategjik të Shqipërisë. Kjo qasje problematike arrin kulmin kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konsiderohen si shtet i aftë të kryejë krime.

91. Presidenti i Republikës, i cili ka detyrën të përfaqësojë dhe shprehë qëndrimin e shtetit shqiptar kundrejt aleatit tonë strategjik, vullnetin për t’i thelluar dhe konsoliduar pandërprerë këto marrëdhënie, ka bërë saktësisht të kundërtën, është përpjekur të krijojë krizë dhe incidente diplomatike me SHBA. Presidenti i Republikës nuk i ka dëmtuar dot këto marrëdhënie, por ka dëmtuar rëndë autoritetin dhe prestigjin e institucionit të Presidentit në marrëdhëniet me jashtë. Ky autoritet dhe ky prestigj nuk mund të rikuperohet më prej tij, por vetëm nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, i cili ka detyrë të gjejë përgjigjen adekuate ndaj kësaj shkelje të pozicionit kushtetues të Kreut të Shtetit.

92. Është fakt i njohur botërisht se SHBA është një partner dhe aleat strategjik i Shqipërisë, i njohur dhe vlerësuar si i tillë në mënyrë konstante në politikën e përgjithshme të shtetit shqiptar, përcaktuar nga ekzekutivi si dhe në politikën e jashtme dhe marrëdhëniet me shtetet dhe përfaqësuesit zyrtarë të shteteve të tjera që drejtohen nga Kuvendi siç rezulton nga gjithë korpusi i marrëveshjeve përkatëse dypalëshe dhe akteve ligjore të botuara në Fletoren Zyrtare, që pas rënies së regjimit të vjetër diktatorial. Kontributi i SHBA në forcimin e demokracisë, konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit në Shqipëri dhe në shumë fusha të tjera që ndihmojnë prosperitetin e vendit tonë është shumë i çmueshëm. Bashkëpunimi me SHBA është dhe do të mbetet strategjik dhe me vlera për interesin më të mirë të dy popujve tanë.

93. Gjithashtu rezulton se Presidenti ka mbajtur qëndrime publike dhe kundër përfaqësuesve të tjerë të huaj që punojnë në Shqipëri, por pa përmendur emra shtetesh konkrete, duke shfaqur një qasje ndaj diplomatëve në Shqipëri si të korruptuar apo duke u kërkuar llogari për si duhet të veprojnë në situata të caktuara. Pavarësisht se Presidenti nuk përmend emra apo shtete konkrete, kjo qasje dëmton autoritetin dhe figurën e institucionit të Presidentit të Republikës, si edhe padiskutim që mund të bëhet shkak për të krijuar kriza apo incidente diplomatike.

94. Për sa më sipër, Komisioni Hetimor konstaton se Presidenti nuk ka respektuar nenin 100 dhe 102 të Kushtetutës dhe ka vepruar në tejkalim të kompetencave të veta në nenin 92 të Kushtetutës, rrjedhimisht duke shkelur kështu dhe nenin 88, paragrafi 3 i Kushtetuës, pasi rezulton se ai ka vepruar në kundërshtim me detyrimet kushtetuese në betim për të respektuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

6. Hetimi i shkeljeve që lidhen me pavarësinë e organeve publike

95. Presidenti i Republikës nuk është pushtet i katërt në shtet. “Presidenti nuk qeveris dhe nuk administron, ai qëndron mbi të gjitha pushtetet, por nuk bën pjesë në to. Ai konsiderohet si një organ sui generis dhe ushtron funksione që lidhen me gjyqësorin dhe ekzekutivin”. Pavarësisht se nuk bën pjesë në asnjë nga tre degët e pushtetit, Presidenti i Republikës është i detyruar të respektojë parimin e nenit 7 të Kushtetutës, parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve..

96. Ky parim kushtetues nuk e lejon Presidentin e Republikës që të instruktojë, urdhërojë, apo t’u kërkojë llogari strukturave të policisë së shtetit, prokurorisë apo gjykatave, apo organeve kushtetuese si Gjykata Kushtetuese, ose organeve të pavarura si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për çështje që formojnë thelbin e veprimtarisë së tyre. Nëse këtë shkelje kushtetuese Presidenti i Republikës e bën publikisht dhe e shoqëron me sulme dhe kërcënime apo presione kundrejt zyrtarëve specifikë të këtyre organeve, atëherë shkelja kushtetuese bëhet flagrante dhe e rëndë, sepse mund të sjellë tulatjen, prapësimin dhe devijimin e tyre nga ushtrimi i rregullt dhe i ligjshëm i detyrës.

97. Gjatë periudhës së fushatës, sidomos në ditët e fundit të saj, rezulton se Presidentit i Republikës ashpërsoi retorikën kundrejt institucioneve shtetërore. Për të Bashkia e Tiranës ishte “bashkia bandë”.

98. Në analizë të shkresave të marra në shqyrtim dhe pamjeve filmike për konfliktin midis Bashkisë dhe Frymës së Re Demokratike (FRD) për selinë e kësaj të fundit, konstatohet ndërhyrje e Presidentit në çështje që përbëjnë thelbin e veprimtarisë së organeve të rendit dhe pushtetit vendor. Konkretisht, në pamjet filmike datë 12.03.2021 vënë në dispozicion nga Autoriteti i Medieve Audiovizive me CD përkatëse administruar në këtë proces hetimor, Presidenti shfaqet me gjuhë e veprime aspak të denja për kreun e shtetit dhe përfaqësuesin e unitetit të Kombit, por dhe me sjellje që kërcënojnë strukturat e policisë vendore. Këto shprehje përbëjnë kërcënim e kritika ndaj organeve të pushtetit vendor dhe organeve vendore të rendit, përtej kompetencave kushtetuese që i lejohen Presidentit, pasi janë ndërhyrje në veprimtarinë e pushtetit vendor që vepron sipas parimit të autonomisë vendore. Çdo vendimmarrje e autoritetit vendor që çmohet e gabuar apo e paligjshme mund të kundërshtohet nga subjektet që legjitimohen në rrugë administrative e më tej t’i shtrohet për zgjidhje e kontroll pushtetit gjyqësor, dhe asnjë organ tjetër, qoftë ky dhe Presidenti i Republikës nuk mund të ndërhyjë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tilla.

99. Shfaqja e Presidentit në pamjet filmike të mësipërme është jashtë caqeve që atij i lejon Kushtetuta, pasi të gjitha veprimtaritë e Presidentit të Republikës duhet të bazohen në respektin ndaj shtetit, të gjitha institucioneve të tij. Statusi kushtetues i Presidentit të Republikës nënkupton detyrën e tij për të shmangur konfliktin e degëve të pushtetit, nga kritikat e tij publike ndaj institucioneve të tjera shtetërore ose zyrtarëve të tyre, si dhe nënvlerësimit të paarsyeshëm, mohimit të paarsyetuar të vendimeve të tyre. Statusi i jashtëzakonshëm kushtetues i Presidentit të Republikës dhe roli i tij në shtet e detyron atë të zgjedhë forma të duhura, korrekte të shprehjes së kritikës. Në rast se këto kërkesa nuk merreshin parasysh, besimi i Kombit në vetë institucionin e Presidentit të Republikës do të degradohej dhe autoriteti i këtij institucioni do të zvogëlohej.

100. Presidenti jo vetëm që ndërhyri në pavarësinë dhe veprimtarinë e pushtetit vendor, siç rezulton nga pamjet filmike datë 12.03.2021 analizuar më sipër, por vijoi të insistonte në këtë ndërhyrje dhe më pas. Rezulton nga aktet e marra në shqyrtim, konkretisht shkresa nr. 1027, datë 17.03.2021 “Mbi tentativën e mazhorancës dhe Bashkisë Tiranë për cenimin e veprimtarisë së një partie opozitare, pjesëmarrëse në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021” e Presidentit të Republikës drejtuar Kryetarit të Kuvendit dhe Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe përfaqësuesve diplomatikë në vend, se Presidenti i bën me dije atyre gjithë situatën e ndodhur duke listuar dhe shkeljet që ai pretendon se ka kryer Bashkia Tiranë. Në këtë shkresë, Presidenti shpreh se lirimi i ambienteve të FRD është kërkuar nga Bashkia vetëm se ky subjekt iu bashkua aleancës së kryesuar nga Partia Demokratike për zgjedhjet e vitit 2021.Insistimi i Presidentit me këtë shkresë për të ndërhyrë në konfliktin midis FRD dhe Bashkisë Tiranë, dhe për të përcjellë kritikat e veta ndaj kësaj të fundit, konsiderohet nga Komisioni Hetimor si ndërhyrje e papërshtatshme dhe jashtë caqeve që i lejon Kushtetuta si kreu i shtetit. Kjo për arsye se, siç u arsyetua më sipër, kjo është një çështje që i përket veprimtarisë së organeve të pushtetit vendor dhe objekt kontrolli gjyqësor, dhe gjykimet e Presidentit nuk mund të mbivendosen me këto veprimtari. Nga ana tjetër, Presidenti nuk ka asnjë kompetencë të përcaktuar në Kushtetutë për të qenë autoritet për zgjidhen e këtyre çështjeve. Në fakt, konflikti iu shtrua për zgjidhje gjykatës, ndërkohë që një kallëzim penal u depozitua në organin e prokurorisë nga autoritetet e Bashkisë Tiranë (shkresa 18884/3, datë 14.05.2021 e Bashkisë Tiranë), pra palët ndoqën mjetet ligjore për zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Çdo veprim që kreu Presidenti në lidhje me konfliktin midis FRD dhe Bashkisë, nuk kontribuoi për uljen e tensioneve që u krijuan apo për zgjidhjen e çështjes, përveç politizimit të rastit, situatë kjo që e vuri Presidentin dhe në shkelje të pozitës neutrale/asnjanëse që ai duhet të mbajë si kreu i shtetit.

101. Komisioni mori në shqyrtim edhe shkresat e vëna në dispozicion në kuadër të hetimit, nga Prokuroria e Përgjithshme, SPAK – Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Policia e Shtetit referuar në këtë raport në pjesën “Aktet e Administruara”, nga ku rezultoi se ka pasur një korrespondencë gjatë fushatës zgjedhore të Presidentit me këto organe për përcjellje informacionesh në lidhje me denoncime qytetarësh për fakte që pretendohen si krime zgjedhore. Denoncimet e qytetarëve lidhen me veprimtari të nëpunësve civilë në kundërshtim me legjislacionin mbi zgjedhjet, fakte për shpërndarje ndihmash në këmbim vote, kërcënime për të mbajtur vendin e punës në këmbim të votës, etj. Kushdo, që vihet në dijeni të një fakti që përbën vepër penale apo shkelje ligjore ka detyrimin ta raportojë, përfshi dhe Presidentin, por Komisioni në analizë të shkresave më sipër konstaton dy probleme.

102. Së pari, nëse analizohen shkresat drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme, SPAK – Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Policia e Shtetit Presidenti me të cilat Presidenti u përcjell denoncime apo raportime nga qytetarët, kërkon prej këtyre organeve që „rasti të trajtohet me përparësi”, me arsyetimin se „jemi në prag të zgjedhjeve”. Kërkesa që rastet të trajtohen me përparësi vijnë në kundërshtim me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, sipas nenit 7 të Kushtetutës. Ky parim kushtetues nuk e lejon Presidentin e Republikës që të instruktojë apo t’u kërkojë trajtimin, shqyrtimin apo hetimin e shpejtë “më përparësi” strukturave të policisë së shtetit, prokurorisë apo organeve të pavarura si KQZ për çështje që formojnë thelbin e veprimtarisë së tyre. Për këtë veprimtari secili organ ka procedurën, afatet dhe metodologjinë e përcaktuar shprehimisht në ligj dhe janë të bindur që gjatë punës së tyre t’i binden vetëm ligjit. Ndaj çdo ndërhyrje, e Presidentit që u kërkon këtyre organeve të veprojnë shpejt konsiderohet si shkelje e pavarësisë së tyre.

103. Së dyti, ajo që vihet re është fakti se Presidenti shprehet se ka vënë në dispozicion të qytetarëve një mjet komunikimi elektronik adresë [email protected], për çdo denoncim që ata mund të kenë në lidhje me zgjedhjet dhe për çdo denoncim që është kryer nëpërmjet këtij mjeti komunikimi Presidenti ka përcjellë informacionin në organet përkatëse. Pra, Presidenti ka marrë përsipër të mbledhë denoncimet, e në vend se qytetarët të ndjekin rrugët dhe mekanizmat ligjore siç parashikon ligji, është ai që flet e komunikon me organet publike në emër të tyre,ndërkohë që në Kodin Penal dhe në Kodin Zgjedhor dhe legjislacionin në fuqi parashikohen qartësisht se cilat janë mjetet ligjore për të denoncuar, kallëzuar, raportuar apo mbrojtur të drejta kur vihen re fakte që përbëjnë shkelje, duke ia lënë mundësinë e plotë shtetasve t’i përdorin ato. Kur Presidenti, përcjell informacione që i vijnë nga qytetarët, nëpërmjet një nisme të krijuar prej tij, e cila edhe pse nuk përbën ndonjë shkelje, është e paparashikuar si mjet i posaçëm ligjor në këto raste (procesi zgjedhor), krijon dyshime së publiku nuk beson organet përkatëse të ngarkuara nga ligji për trajtimin e rregullt të tyre, por duhet një ndërhyrje nga ana e autoritetit të Presidentit për t’i hetuar apo shqyrtuar ato. Këto sjellje pa diskutim që cenojnë besimin e publikut te organet publike.

104. Shumë organe publike kanë rubrika të tilla për denoncime apo raportime, mekanizma që përdoren për mirëfunksionimin dhe efektivitetin e punës së tyre, por informacionet që mund të raportohen apo denoncohen lidhen vetëm me objektin e veprimtarisë dhe funksionit të organit publik përkatës, jo për çdo çështje. Pikërisht, për këtë arsye legjislacioni ynë, Kodi Penal, Kodi Zgjedhor, etj parashikon mjetet ligjore në dispozicion të qytetarëve për të raportuar të dhëna sipas një detyrimi ligjor (p.sh fakt që përbën vepër penale) apo të dhëna dhe informacione të tjera që përbëjnë shkelje ligjore. Krijimi i mjeteve të tjera mbi këto mjete që parashikohen në legjislacionin tonë, jashtë rolit dhe funksionit të organit publik jo vetëm ul besimin se mjetet ligjore nuk janë efektive, por nga ana tjetër cenojnë funksionimin e rregullt dhe ligjshmërinë e veprimtarive të tjera shtetërore.

105. Cilësimi kryetar shteti dhe përfaqësues i unitetit kombëtar, kërkon që Presidenti të mos i shmanget apo të mos shkelë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, përndryshe pasojat, përveç të tjerave, bien mbi funksionimin e rregullt dhe ligjshmërinë e veprimtarive të tjera shtetërore. Kjo mënyrë që ka zgjedhur Presidenti rrezikon dhe që të nxisë publikun për t’iu bindur ligjit, për të mos përdorur mjetet ligjore që parashikon Kodi Penal, Kodi Zgjedhor dhe legjislacioni në fuqi, sepse kur vetë Presidenti shfaq mosbesim dhe në vend të nxisë qytetarët të respektojnë dhe të zbatojnë ligjin dhe mjetet ligjore, asnjë qytetar, dhe më keq akoma, asnjë zyrtar tjetër publik, nuk mund të kërkohet të respektojë ligjin.

106. Në analizë të një shkrese tjetër të tij, nr. 1209, datë 05.04.2021 drejtuar Gjykatës Kushtetuese rezulton se Presidenti ka ndërhyrë në pavarësinë e një organi të pavarur duke udhëzuar se si duhet të vepronin gjyqtarët në vendimmarrje. Ajo që vihet re që në fillim është që Presidenti i Republikës, në këtë rast së pari, nuk i drejtohet Gjykatës Kushtetuese si institucion, por i drejtohet në mënyrë individuale gjyqtarëve të këtij institucioni. Pra, në këtë rast kemi dukshëm një intidimidim ndaj veprimtarisë së vetë gjyqtarëve.

107. Së dyti, Presidenti në këtë shkresë vlerëson anën profesionale të pesë gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, të cilët sipas tij nuk ishin të aftë dhe nuk kuptonin siç duhet normat kushtetuese, të cilat merr përsipër që t’i sqarojë ai vetë. Pra, për Presidentin e Republikës, pesë gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, nuk ditën t’i japin zgjidhje të drejtë dhe objektive çështjes, kanë lënë shteg për abuzime, nuk dinë të lexojnë Kushtetutën (përmbajtjen e neneve jua tregon Presidenti), si edhe si duhej që të vepronin për të marrë një vendim të drejtë.

108. Së treti, Presidenti merr përsipër të bëjë një diferencim midis vetë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, kur bën vlerësimin edhe për dy gjyqtarë të tjerë të këtij institucioni. Kështu, në shkresën e tij, Presidenti shprehet se:Nga ana tjetër, gjej rastin të falënderoj dy anëtaret e tjera të kësaj gjykate, të cilat edhe pse të gjendura në pakicë, edhe në këtë vendimmarrje, si në shumë të tjera, kanë reflektuar përgjegjshmëri, integritet, profesionalizëm dhe pavarësi duke shprehur qëndrimin e tyre kundër vendimit të shumicës. Ky diferencim midis gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese sjell si pasojë cenimin e figurës së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, përderisa disa gjyqtarë konsiderohen se reflektojnë përgjegjshmëri, integritet, profesionalizëm dhe pavarësi, duke nënkuptuar që këto cilësi nuk ekzistojnë tek pesë gjyqtarët e tjerë. Për më tepër, ky paragraf tregon se sulmi i Presidentit mbi Gjykatën Kushtetuese dhe dallimi midis gjyqtarëve nuk është vetëm për këtë vendimmarrje por edhe për raste të tjera. Kjo duket qartë nga përdorimi i shprehjes si në shumë të tjera.

109. Së katërti, edhe këtë vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese (por edhe të tjera), Presidenti e lidh me fushatën zgjedhore dhe synon të përdorë sulmin ndaj Gjykatës Kushtetuese, edhe si sulm ndaj shumicës parlamentare. Për më tepër Presidenti merr përsipër që të shprehet edhe për programin dhe kalendarin e punimeve të legjislaturës së ardhshme të Kuvendit, duke sulmuar Kuvendin dhe Këshillin e Ministrave, dy organe kushtetuese; duke lidhur vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, e cila do e rishikojë legjislacionin; si dhe duke sulmuar Gjykatën Kushtetuese, pasi e përfshin dhe atë në rolin e cenimit të parimeve të shtetit të së drejtës, garantimin e ndarjes dhe balancimit të pushtetit, e cila duhet të korrigjohet nga legjislatura e ardhshme e Kuvendit, së bashku më ligjin për financat e vetëqeverisjes vendore.

110. Komisioni vlerëson se këto shprehje të Presidentit në shkresën e sipërcituar, përbëjnë kërcënim të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në punën e tyre dhe ndërhyrje në çështje që përbëjnë thelbin e veprimtarisë së tyre dhe të njëjtën kohë qëndrime në shkelje të parimit kushtetues të parashikuar në nenet 7 dhe 124 të Kushtetutës. Përveç parimit të ndarjes së pushteteve, Kushtetuta përcakton Gjykatën Kushtetuese si një institucion të pavarur dhe që i nënshtrohet vetëm Kushtetutës. Këto parashikime nuk e lejojnë Presidentin e Republikës që të instruktojë, urdhërojë, apo t’u kërkojë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, se si duhet të vendosin për çështjet objekt shqyrtimi.

111. Argumentet e Presidentit të Republikës në këtë shkresë nuk qëndrojnë edhe pasi ligji nr. 68/2017 është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 113, datë 22.5.2017. Po kështu zoti Ilir Meta beri betimin e tij në datën 24.7.2017, pra që nga ajo datë ka marrë detyrën e tij si President i Republikës dhe ishte brenda kompetencave të tij që për një periudhë 2-vjeçare në bazë të nenit 134, pika 1, germa “a” është që të vinte në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Kjo qasje do të ishte në përputhje edhe me praktikën kushtetuese të huaj.

112. Kërkesa e bërë drejtpërsëdrejti nga vetë Presidenti do të shmangte dhe pretendimin e tij për thirrjen si subjekt i interesuar. Por pozita procedurale e kërkuesit (subjektit që kërkon shfuqizimin e një akti juridik) me atë të subjektit të interesuar (subjekti që ka nxjerrë aktin ose preket prej tij) nuk janë e njëjta në kuptim të drejtësisë kushtetuese. Për këtë dallim jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese është mjaft e pasur ku specifikohet qartësisht dallimi midis tyre. Duke qenë se në këtë rast Presidenti (si institucion) e kishte shpallur ligjin, nuk kishte bërë vetë kërkesë drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe norma e kundërshtuar nuk kishte të bënte me kompetencat e Presidentit, atëherë dukshëm Presidenti nuk ka asnjë rol në këtë proces.

113. Gjithashtu jashtë çdo lloj imagjinate, kuptimi, funksioni dhe kompetence është edhe dallimi që Presidenti bën midis gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ku një pjesë kritikohen dhe një pjesë lavdërohen. Në fakt siç e ka thënë edhe vetë Gjykata Kushtetuese vendimet e saj janë të padiskutueshme dhe të detyrueshme (vendimet nr. 21/2010, nr. 10/2021 etj), kështu asnjë institucion përfshirë dhe Presidentin e Republikës nuk mundet që t’i diskutojë ato por duhet që vetëm t’i pranojë. Këtë veprim ai nuk mund të bëjë për disa arsye, por më kryesorja është që neni 124 i Kushtetutës ngarkon Gjykatën Kushtetuese të zgjidhë mosmarrëveshjet kushtetuese dhe të bëj interpretimin përfundimtar të Kushtetutës. Pra, ky rol është i Gjykatës Kushtetuese dhe jo i Presidentit, i cili thjesht duhet t’i bindet vendimeve të saj. Bazuar në praktikën kushtetuese të krahasuar, i referohemi Gjykatës Kushtetuese të Lituanisë, e cila në vendimin e saj nr. 14/04, datë 31 mars 2014 mbajti qëndrimin se: “të gjitha veprimtaritë e Presidentit të Republikës duhet të bazohen në respektin ndaj shtetit, të gjitha institucioneve të tij të pushtetit. Statusi kushtetues i Presidentit të Republikës nënkupton detyrën e tij për të shmangur konfliktin e degëve të pushtetit, nga kritikat e tij publike ndaj institucioneve të tjera shtetërore ose zyrtarëve të tyre, si dhe nënvlerësimit të paarsyeshëm, mohimit të paarsyetuar të vendimeve të tyre…”

114. Nga sa më sipër Komisioni vlerëson se shprehjet e Presidentit në shkresën e sipërcituar, përbëjnë kërcënim të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në punën e tyre dhe ndërhyrje në çështje që përbëjnë thelbin e veprimtarisë së tyre dhe të njëjtën kohë qëndrime në shkelje të parimit kushtetues të parashikuar në nenin 7 të Kushtetutës, që nuk e lejon Presidentin e Republikës që të instruktojë, urdhërojë, apo t’u kërkojë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, se si duhet të vendosin për çështjet objekt shqyrtimi pasi sipas Kushtetutës, ata i binden Kushtetutës dhe ligjit dhe asnjë organ tjetër nuk mund të ndërhyjë në vendimmarrjet e tyre.

115. Përveç sa më sipër, Komisioni vlerësoi dhe deklaratën e Presidentit e datës 24 prill 2021 dhe çmon se ky qëndrim përmban të gjithë elementët e ndërhyrjes në trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve që përbëjnë objektin qendror të veprimtarisë së prokurorisë dhe vjen në kundërshtim me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, sipas nenit 7 të Kushtetutës. Hetimi i veprave penale ka procedurën, afatet dhe metodologjinë e përcaktuar ligjërisht. Presidenti i Republikës ka bërë presion që prokuroria të japë konkluzionet e hetimit para datës së zgjedhjeve dhe është përpjekur të orientojë hetimin vetëm në një drejtim që i leverdiste atij politikisht.

116. Në deklaratat dhe qëndrimet e Presidentit vihet re dhe një gjuhë e papërshtatshme për institucionet e pavarura dhe shtetërore, si p.sh, në prokurori “ka kriminelë me uniformë”, ndërsa policia është e korruptuar, madje dhe gjuhë kërcënuese.

7. Hetimi i shkeljeve që lidhen me rendin dhe sigurinë publike

117. Shkelje që lidhen me rendin dhe sigurinë publike. Paragrafi 1 i nenit 90 të Kushtetutës përcakton papërgjegjshmërinë e Presidentit për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij. Klauzola e paragrafit 1 të nenit 90 të Kushtetutës nuk është dispozitë për imunitetin ndaj ndjekjes penale, sepse nuk mbulon veprimet (veprat penale) që Presidenti mund të kryejë përgjatë ushtrimit të detyrës. Klauzola e papërgjegjshmërisë mbulon vetëm aktet që ai nxjerr në ushtrim të detyrës. Klauzola i jep Presidentit mbrojtje kundrejt përgjegjësisë administrative, civile apo politike (në këtë rast përgjegjësia i kalon Kryeministrit, ministrit apo organit tjetër propozues). Klauzola ndalon Kuvendin të kryejë mocion mosbesimi apo të thërrasë në interpelancë Presidentin, por nuk e ndalon atë të nisë procedurat e shkarkimit “për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë” (paragrafi 2 i nenit 90 të Kushtetutës).

118. Kryerja e një “krimi të rëndë” (paragrafi 2 i nenit 90 të Kushtetutës) është një nga shkaqet për të nisur procedurën e shkarkimit të Presidentit të Republikës, por kjo nuk do të thotë se Presidenti i Republikës mund të përgjigjet penalisht vetëm për “krime të rënda” dhe për të tjerat mbrohet nga ndjekja penale. Parimi themelor kushtetues “të gjithë̈ janë̈ të barabartë përpara ligjit” (paragrafi 1 i nenit 18 të Kushtetutës) kërkon që Presidenti i Republikës të mbajë përgjegjësi penale, si çdo individ tjetër, për çfarëdo vepre penale, për të cilën vendoset nën akuzë nga organi kompetent.

119. Neni 223 i Kodit Penal (thirrjet publike për veprime të dhunshme) përcakton se “thirrjet e bëra publikisht për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”. Neni 266 i Kodit Penal (thirrja për urrejtje nacionale) përcakton se “vënia në rrezik e paqes publike duke bërë thirrje për urrejtje kundër pjesëve të popullsisë̈, duke i fyer ose shpifur për to, duke kërkuar përdorimin e dhunës ose të veprimeve arbitrare kundër tyre, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet”. Kryerja ose jo e thirrjeve publike për veprime të dhunshme apo e thirrjes për urrejtje nacionale është çështje e hetimit penal faktit. Për kuadrin ligjor të këtij hetimi parlamentar ka rëndësi të theksohet se legjislacioni penal i Republikës së Shqipërisë nuk përmban klasifikimin e veprave penale në “krime të rënda” apo “krime të lehta”. Gjykimi nëse këto vepra penale formojnë krim të rëndë mund të orientohet vetëm nga fakti se ato drejtohen kundër rendit kushtetues, apo rendit dhe sigurisë publike, të cilat formojnë fusha tepër sensitive të legjislacionit penal, sidomos kur ato vendosen në kontekstin e zgjedhjeve.

120. Rezulton nga aktet që janë marrë në shqyrtim se ne shumë nga daljet e veta publike, Presidenti i Republikës ka zgjedhur të përdorë një retorikë dhune dhe të favorizojë haptazi në sytë e publikut dhunën si mjet për zgjidhjen e problemeve përkundrejt mjeteve që ofron shteti i së drejtës. Kjo retorikë dhune, e justifikuar në mbrojtje të votës nga vjedhja, ka pasur përshkallëzim të fortë deri në fund të fushatës. “Nëse një votë vidhet, do u pritet dora në sheshin Skënderbe, Kryemadhit të parit dhe të tjerat”, deklaronte Presidenti më datë 1 mars 2021, duke u ofruar shqiptarëve “drejtësinë” e Mesopotamisë së lashtë, në vend të shtetit ligjor. Më 19 prill 2021 Presidenti lëshoi thirrjen: “Gjejini (patronazhistët)! Izolojini! Mos i toleroni!…Ngrehuni dhe bjeruni, korrini dhe shtypini, katundar e punëtorë, që nga Shkodra gjer në Vlorë!”. Më 21 prill 2021 parulla e ditës ishte: “T’i mprehin sfurqet, kosoret, lopatat, sëpatat t’i mprehin e t’i kenë gati për të dielën”.

121. Thirrjet e hapura për dhunë shkaktuan shqetësim real tek përfaqësuesit e shteteve të huaja në vend, të cilët kanë reaguar publikisht me thirrje për të ndaluar gjuhën dhe thirrjet për dhunë siç rezulton nga mesazhet në rrjete sociale.
122. Më datë 21.04.2021 në Elbasan ndodhi një përplasje me dhunë midis dy grupeve simpatizantësh, me pasoja të rënda. Autori i vrasjes në ngjarjen e Elbasanit ishte i armatosur me armë, pa leje për t’u mbajtur në publik. Ai dhe grupi që e shoqëronte shkaktuan përplasjen në tentativë për të ushtruar autoritet të kundërligjshëm policor. Modus operandi i tyre përputhet plotësisht me thirrjen publike të Presidentit të Republikës për dhunë.

123. Nëse Presidenti i Republikës ka qenë i përfshirë në platformën e opozitës për ngritjen dhe funksionimin e grupit paramilitar të quajtur “Struktura për Mbrojtjen e Votës”, apo jo, kjo është një çështje që vetëm hetimi i organeve kompetente mund ta zbulojë. Por, për komisionin tonë rezulton e provuar se Presidenti i Republikës nuk ka mbajtur qëndrim ekuilibrues, por përkundrazi ka bërë deklarata që në fakt nxisin ndasi dhe dhunë. Ky konkluzion përforcohet edhe nga fakti, se ai për asnjë moment nuk është distancuar dhe nuk ka dënuar jo vetëm vrasjen, por as modelin e kundërligjshëm që përfaqësonte “Struktura për Mbrojtjen e Votës”.

124. Figura e veprave penale që parashikohen nga neni 223 i Kodit Penal (thirrjet publike për veprime të dhunshme) dhe nga neni 266 i Kodit Penal (thirrja për urrejtje nacionale) nuk kërkon ardhjen e pasojës. Për të kryer hetimin ndaj Presidentit të Republikës organet e hetimit nuk kanë nevojë të listojnë sa akte dhune, vetëgjyqësie, apo përvetësimi të titullit apo detyrës shtetërore kanë shoqëruar thirrjet për dhunë. Ato duhet vetëm të ndajnë nëse thirrja drejtohej kundër zgjedhjeve, rezultatit të tyre dhe shumicës së zgjedhur në rrugë demokratike (rendit kushtetues), apo drejtohej kundër pjesëve të popullsisë. Komisioni Hetimor nuk hetoi faktet e mësipërme të thirrjes për dhunë apo urrejtjes ne kuadrin e veprave penale, pasi objekti i hetimit në këtë proces lidhet me pretendime për shkelje të rënda kushtetuese, dhe kjo është detyrë e organeve hetimore që për këto çështje mund të nisin hetimin dhe kryesisht sipas dispozitave ligjore në fuqi.

125. Komisioni Hetimor vlerëson se aktet e sjelljet e Presidentit kanë frymëzuar dhunë dhe ndasi sociale, nuk kanë kontribuar për uljen e konflikteve dhe pasqyrojnë gjuhë përçarjeje dhe urrejtjeje, sjellje që nuk përkojnë me figurën e Presidentit si përfaqësues i unitetit të popullit (neni 86/1 i Kushtetutës). Sipas komisionit nxitje dhune dhe ndasie dhe shembuj për të zgjidhur situatat me vetëgjyqësi, gjenden dhe në sjelljet e Presidentit që analizohen në këtë raport në lidhje me konfliktin midis FRD dhe Bashkisë Tiranë.Gjuha e përdorur nga Presidenti dhe veprimet e tij, jo vetëm nuk ndikuan për qetësimin e situatave, por përkundrazi i përshkallëzoi ato duke qenë vetë pjesëmarrjes aktiv dhe duke dhënë dhe modelin negativ se përtej mjeteve ligjore, autoriteti dhe forca mund të përdoren. Dhe të shfaqura këto sjellje nga kreu u shtetit, përbëjnë shembuj negativë që inspirojnë për dhunë e vetëgjyqësi.

8. Hetimi i shkeljeve të nenit 94 të Kushtetutës (Ndalimi i ushtrimit të kompetencave që nuk janë parashikuar në Kushtetutë dhe në ligj)

126. Shkelje të nenit 94 të Kushtetutës që ndalon Presidentin të ushtrojë kompetenca që nuk janë parashikuar për të në Kushtetutë dhe në ligj.

127. Neni 94 i Kushtetutës është shkelur për sa kohë më lart në këtë raport janë konstatuar shkelje që lidhen me nenin 98 të Kushtetutës, që ndalon kryerjen nga ana e Presidentit të aktiviteteve partiake dhe private gjatë ushtrimit të detyrës së Presidentit. Nga ana tjetër, rezulton se asnjë qëndrim apo akt i Presidentit nuk është kryer në ushtrim të ndonjë parashikimi që përcaktohet në tekstin e nenit 94 të Kushtetutës apo dispozita të tjera kushtetuese që parashikojnë kompetencat e Presidentit. Si deklarimet që Presidenti ka bërë apo qëndrimet e tij gjatë procesit zgjedhor ashtu dhe veprimet e konkretizuara me shkresa drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, etj jo vetëm nuk rezultojnë të jenë në përputhje me kompetencat e tij, por janë në tejkalim të kufijve që i lejon kushtetuta, bazuar në analizat që pasqyrohen më sipër në këtë raport.

128. Në përfundim të analizës më sipër, rezulton se Presidenti i Republikës ka kryer disa shkelje të Kushtetutës. Konkretisht, Komisioni Hetimor konstatoi se Presidenti ka shkelur nenet 2/2, 4, 7, 13, 18, 45, 88/3, 86/1, 89, 94, 100, 124, 135, 145 dhe 148 të Kushtetutës.

129. Komisioni Hetimor ka për detyrë të hetojë nëse këto shkelje përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës.

9. Vlerësimi i Komisionit mbi natyrën e shkeljeve

130. Vlerësimi i Komisionit mbi natyrën e shkeljeve. Referuar jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, opinioneve të Komisionit të Venecias për çështje të ngjashme, rasteve të ngjashme jashtë vendit referuar në materialin kërkimor të shërbimeve të kërkimeve të Kuvendit dhe në raportet e ekspertëve ligjore caktuar nga komisioni hetimor, ky i fundit vlerësoi të analizojë ekzistencën e shkeljes së rëndë në tërësi nga disa faktorë: qëllimi i veprimeve/akteve që përbëjnë shkelje; rëndësia e ligjit/të drejtës së shkelur; konsistenca/përsëritja e shkeljes; impakti/pasoja që sjell shkelja; qëndrimi i subjektit ndaj shkeljes.

131. Qëllimi i veprimeve/akteve që përbëjnë shkelje. Në vlerësim të komisionit, qëllimi i sjelljeve të Presidentit nuk është legjitim.

132. Presidenti siç rezulton nga aktet e marra në këtë proces hetimor ka qëndrimin me sjelljet e veta se po lufton për respektimin e kushtetutës, për të mbrojtur e garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, por në tërësinë e akteve të tij, Komisioni hetimor në shqyrtim të të gjitha akteve që administroi në këtë proces hetimor nuk vuri re as orientim koordinues të organeve kompetente për të vepruar në favor të respektimit të kushtetutës, as ndërmarrjen e ndonjë veprimi konkret sipas mekanizmave që parashikon kushtetuta dhe ligji për të rivendosur ndonjë shkelje të kushtetutës apo ligjit nga organet e tjera të shtetit, vetëm shkresa drejtuar institucioneve apo deklarata të tij individuale kundër qeverisë dhe mazhorancës në Kuvend, ku duket dukshëm që Presidenti, jo vetëm kërkon të mos fitojë zgjedhjet, por i kërkon popullit të mos i zgjedhë si përfaqësuesit e tyre dhe se nuk duhet të jenë më ata në pushtet.

133. Faktet publike tregojnë se thirrjet për dhunë nga ana e Presidentit të Republikës lidheshin vetëm me rezultatin e zgjedhjeve të datës 25 prill. Presidenti Ilir Meta ishte pozicionuar kundër mazhorancës. Siç rezulton nga sjellja e tij, deklaratat e vazhdueshme, qëndrimet publike, intervistat e dhëna, por edhe në shkresën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, të gjitha pushtetet në Shqipëri, nuk kanë legjitimitet dhe se ndodhemi përballë një regjimi autokratik. Ai kërkoi publikisht “ndryshimin e qeverisjes” me “referendumin e tij popullor”. Ky ishte rezultati i vetëm i pranueshëm për të. Çdo rezultat tjetër nënkuptonte se votat ishin vjedhur, prandaj PS dhe qeveria e saj duhet të përballeshin me “sfurqet, kosoret, lopatat, sëpatat”. Fakti që Presidenti Ilir Meta nuk kishte asnjë interes tek mbrojtja e votës evidentohet qartë nga mungesa totale e reagimit të tij ndaj rasteve të kapjes në flagrancë të eksponentëve të LSI-së në Dibër, Pukë dhe Tiranë, nga injorimi i mekanizmave ligjore që ishin vënë me sukses në zbatim në këto zgjedhje (mbi 32 çështje penale të hapura) dhe nga mungesa totale e vullnetit për ftuar palët të ndiqnin me vendosmëri rrugën ligjore për ngritjen e pretendimeve të tyre.

134. Ndërkohë që Presidenti i kërkon organeve prokurorisë të zbardhin një ngjarje brenda një afati, (rasti i Elbasanit) apo të veprojnë shpejt për të zgjidhur rastet ne hetim, duke mos respektuar pavarësinë e këtyre organeve, nuk rezulton të ketë bërë thirrje për qetësi publike dhe tërheqje grupeve paramilitare që u shfaqën në episodet në Elbasan.Ndërkohë që u paraqit personalisht me gjuhë denigruese ndaj organeve të rendit të Bashkisë Tiranë në ish-selinë e FRD-së nuk rezulton se ka paraqitur ndonjë kallëzim penal apo të ketë përdorur rrugë tjetër ligjore për të mbrojtur të drejta të subjekteve që pretendon se i janë shkelur.

135. Shkresat që u konsideruan në këtë raport si ndërhyrje në punë e institucioneve të pavarura si KQZ apo Gjykata Kushtetuese, deklarata që cenojnë pavarësinë e organeve të pavarura, apo qëndrimet dhe mesazhet kundër organeve të rendit dhe organeve të hetimit, shkresat drejtuar atyre, (shih shkresat drejtuar organeve të prokurorisë, listuar në pjesën Aktet e Administruara të këtij raporti), qëndrimet jo korrekte ndaj përfaqësuesve të përfaqësive diplomatike dhe organizatave ndërkombëtare, nuk përfaqësojnë ndonjë qëllim të ligjshëm.

136. Nuk vihet re asnjë qëllim i justifikuar apo legjitim, për sa kohë Presidenti nuk ka ndërmarrë asnjë veprim sipas kompetencave kushtetuese për të rivendosur ndonjë situatë që i duket problematike. Organet e shtetit duhet të veprojnë kurdoherë në përputhje me parimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë (neni 4 i Kushtetutës). Çdo vendimmarrje në kundërshtim me këto parime, sado e arsyeshme është e cenueshme ligjërisht dhe e papranueshme në demokraci, e cila si sistem nuk mund të ekzistojë pa sundimin e ligjit dhe shtetit të së drejtës. E kundërta, pra vendimi bazuar në qëllim të mirë apo të arsyeshëm mund t’i jepte jetë sundimit me të drejtë, por jo sundimit të shtetit të së drejtës, një nga parimet themelore të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

137. Presidenti është i ndërgjegjshëm për veprimet e veta dhe është i aftë t‘i kuptojë qartë kompetencat kushtetuese si dhe kufijtë e detyrës së tij. Presidenti e di rolin e vet, veçanërisht në zgjedhje. Presidenti e di rolin e vet në marrëdhëniet me KQZ dhe zgjedhjet. Në raportin e komisionit hetimor 2020 sqarohet qartë nën dritën e arsyetimeve dhe të opinionit të Komisionit të Venecias se Presidenti, ka vetëm një kompetencë në lidhje me zgjedhjet: të caktojë datën e zgjedhjes. Me kryerjen e kësaj detyre, Presidenti e ka mbaruar misionin e tij në zgjedhje; janë organet e tjera që vijojnë realizimin e detyrave të tjera për ushtrimin efektiv nga shtetasit të së drejtës së votës dhe për organizimin e procesit zgjedhor sipas parashikimeve ligjore.

138. Presidenti e di rolin e vet në lidhje me politikën e jashtme. Presidenti është i ndërgjegjshëm se përfaqësuesit diplomatikë veprojnë në emër dhe për llogari të shteteve të tyre dhe se çdo qëndrim për politikën e jashtme është kompetencë e Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit. Asnjë qëndrim tej këtyre pozicioneve nuk është i përshtatshëm për Presidentin. Siç është sqaruar më sipër në këtë raport, doktrina kushtetuese, sistemi kushtetues shqiptar, tradita e vendeve të ngjashme me sistemin tonë kushtetues, përjashton kategorikisht mundësinë që Presidenti të mund të realizojë një drejtim politik të pavarur presidencial. Në ato raste ekstreme që ndërhyrja e Presidentit mundet të justifikohet me nevojën për të garantuar Kushtetutën, ajo nuk mund të ketë objekt dhe qëllim tjetër, veçse të orientojë organet e tjera kompetente të zbatojnë Kushtetutën dhe ligjet e vendit, por gjithmonë brenda caqeve që i lejon për këtë orientim Kushtetuta dhe ligji.

139. Rëndësia e ligjit/të drejtës së shkelur. Rezulton se aktet e Presidentit që në vlerësimin e këtij komisioni janë konstatuar si shkelje kushtetuese kanë cenuar marrëdhënie shoqërorë dhe politike tejet të rëndësishme që mbrohen nga Kushtetuta e Republikës dhe ligje që miratohen me shumicë të cilësuar si Kodi Zgjedhor dhe Kodi Penal apo ligjet e reformës në drejtësi dhe që lidhen me të drejtat e njeriut, rendin dhe sigurinë, marrëdhëniet me jashtë, pavarësinë e institucioneve dhe funksionimin e shtetit demokratik. Pra, shkeljet lidhen me marrëdhënie dhe të drejta tepër sensitive që mbrohen nga rendi ynë kushtetues dhe ligjor.

140. Konsistenca/përsëritja e shkeljes. Rezulton se Presidenti deklaratat dhe qëndrimet e tij i ka shfaqur në 19 emisione televizive, 9 deklarata për mediat, dhe 45 postime në rrjetet sociale si dhe disa shkresa drejtuar institucioneve të pavarura në mënyrë të përsëritur. Pra jemi përpara akteve përsëritëse që përbëjnë shkelje nga ana e Presidentit.Presidenti ka pasur një rol tejet aktiv në fushatën zgjedhore duke cenuar neutralitetin e procesin zgjedhor. Aktiviteti i Presidentit ka qenë konsekuent dhe me intensitet të lartë gjatë gjithë fushatës së tij dhe roli i tij konkurron dhe me forcat e tjera politike që bënin fushatë sipas parashikimeve të legjislacionit zgjedhor.

141. Përveç kësaj edhe pas ngritjes së Komisionit Hetimor, ky i fundit konstaton se Presidenti vijon të mbajë të njëjtat qëndrime si ato që Komisioni hetimor i konsideroi shkelje të Kushtetutës. Në shkresat drejtuar Kuvendit nr. 1714, datë 24.05.2021, nr. prot. 1651, datë 16.5.2021 dhe nr. 1651/3 datë 21.05.2021 Presidenti, me gjuhë aspak të denjë për institucionin që përfaqëson, hedh akuza kundër shumicës parlamentare, duke mos respektuar përsëri nenin 7 të Kushtetutës, sillet si i vetmi person në shtet që kërkon respektimin e Kushtetutës dhe parimeve që parashikohen në të, si dhe të ligjit, si i vetmi autoritet që po insiston në zbardhjen e asaj që Presidenti e quan “masakra zgjedhore”, dhe se nuk njeh legjitimitetin e komisionit hetimor, duke refuzuar të jetë pjesë e një procesi, sipas tij, të inskenuar me qëllim që të hiqet vëmendja nga krimet zgjedhore.

142. Komisioni nënvizon se është hera e dytë që Presidenti është në hetim për shkelje kushtetuese. Në një rast flagrant të tejkalimit të kompetencave kushtetuese nga Presidenti, Kuvendi i Shqipërisë, për herë të parë në historinë e demokracisë shqiptare, nëpërmjet Rezolutës së datës 13 qershor 2019 i bëri thirrje Z Ilir Meta të rikthente ligjshmërinë në institucionin e Presidentit.

143. Impakti/pasoja që sjell shkelja. Sjellja e Presidentit të Republikës gjatë kësaj periudhe ka treguar jo vetëm mungesën e plotë të vullnetit për bashkëpunim institucional midis aktorëve shtetërorë në të mirë të interesit publik dhe zhbllokimit të situatave që dëmtojnë demokracinë, por veprimtaria e Presidentit në shkelje të Kushtetutës është bërë akute, duke sjellë si pasojë që përmasat e shkeljeve janë bërë jo vetëm të rënda, por edhe të rrezikshme, si në kontekstin e rendit kushtetues, ashtu dhe në kontekstin e marrëdhënieve ndërkombëtare, shtetit ligjor dhe rendit publik.

144. Presidenti ka qenë mjaft aktiv gjatë fushatës zgjedhore, pasi deklaratat dhe qëndrimet e tij i ka shfaqur në 19 emisione televizive, 9 deklarata për mediet, dhe 45 postime në rrjetet sociale si dhe disa shkresa drejtuar institucioneve të pavarura në mënyrë të përsëritur.Në të gjitha këto veprime, shprehet qëndrimi i tij kundër shumicës parlamentare dhe partive të tjera, konsiderohen pjesë e grupimeve kriminale, cenim të rendit kushtetues dhe shtetit të së drejtës, dhe të gjitha këto mund të realizoheshin vetëm nëpërmjet humbjes së zgjedhjeve nga ana e Partisë Socialiste. Pra, qartazi nga ana e Presidentit është zhvilluar në mënyrë aktive dhe konsekuente një fushatë zgjedhore e cila ka pasur dhe një qëndrim të mirëpërcaktuar.

145. Gjithashtu, duke vepruar në këtë mënyrë, pasoja e rëndë e veprimeve të Presidenti është fakti se Presidenti është pozicionuar kundër një pjese të caktuar të popullit dhe në favor të pjesëve të tjera të popullsisë, duke mos përfaqësuar më në këtë mënyrë unitetin e popullit, pra e tërësisë së tij. Presidenti e ka bërë të qartë qëndrimin e tij politik dhe për këtë ka vepruar në mënyrë aktive.

146. Gjithashtu, qëndrimet dhe sjelljet që nxisin dhunë apo retorika që ka përdorur Presidenti në aktet e veta, me të cilat dhuna favorizohet haptazi në sytë e publikut si mjet për zgjidhjen e problemeve përkundrejt mjeteve që ofron shteti i së drejtës, ka pasur përshkallëzim të fortë deri në fund të fushatës. Impakti vlerësohet dhe në dy aspekte të tjera: i) veprimtarinë e organeve të shtetit; ii) perceptimi i gjerë publik. Sa i takon aspektit të veprimtarisë së organeve, rezulton fakt, edhe në periudhën përpara 2021, me sjellje të përsëritura prej 2017, kohë kur mori funksionin e Presidentit të Republikës, Z Ilir Meta ka kthyer me dekret një numër të konsiderueshëm të akteve ligjore të miratuara nga Kuvendi.

147. Me shkresën nr. 1081/33, datë 20.05.2021 Shërbimi Legjislativ i Kuvendit ka informuar Komisioni Hetimor se gjatë periudhës shtator 2020-maj 2021, Presidenti i Republikës ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend 22 ligje, nga të cilat: 3 ligje janë pjesë e planit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian; 12 ligje janë hartuar dhe konsultuar me ekspertë ndërkombëtarë. Kuvendi i ka rrëzuar të gjitha dekretet e mësipërme. Për asnjë nga ligjet e mësipërme Presidenti nuk ka bërë kërkesë në Gjykatë Kushtetuese për shfuqizimin e tyre.Kjo sjellje abuzive ka krijuar një klimë të vështirë të funksionimit të institucioneve dhe dëme edhe në besueshmërinë e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë te institucioni i Presidentit në veçanti dhe në demokracinë shqiptare në përgjithësi. Më konkretisht, hyrja e vonuar në fuqi e nismave ligjore, të ardhura si shkak i procedurave parlamentare të shqyrtimit të dekreteve të kthimit të ligjeve nga Presidenti konsiston në disa muaj deri në 1 vit. Kjo vonesë rrjedhimisht sjell dëme të konsiderueshme të ekonomisë dhe financave të vendit si dhe cenim të mirë funksionimit të jetës parlamentare të legjislaturës.

148. Po në aspektin e veprimtarisë së organeve të shtetit, shkresat apo deklaratat e Presidentit drejtuar organit të prokurorisë, KQZ, Gjykatës Kushtetuese, etj që janë marrë në analizë në kuadër të hetimit, pasqyruar në këtë raport, rrezikojnë të zbehin punën e këtyre organeve të pavarura.

149. Po kështu dhe korrespondenca me organet e tjera shtetërore, si Prokuroria, Policia e Shtetit dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka pasur si qëllim uljen e integritetit të këtyre institucioneve si edhe ndikimin mbi to, për të vepruar sipas një mënyrë të përcaktuar dhe jo sipas kompetencave të tyre kushtetuese dhe ligjore. Edhe në këtë rast është cenuar rëndë integriteti i institucioneve publike.

150. Në aspektin e perceptimit, mjafton të përmendim edhe raportet e OSBE/ODHIR dhe KRIK për zgjedhjet parlamentare të 25 prill 2021. Nga këto raporte rezulton qartë se impakti është negativ si për imazhin e vendit ashtu dhe për imazhin e vetë institucionit të Presidentit. Përhapja e lajmeve jashtë vendit ndikoi në përkeqësimin e imazhit të Shqipërisë dhe jashtë.

151. Imazhi i Shqipërisë në nivel ndërkombëtar u cenua edhe nga kritika që Presidenti zhvilloi publikisht për Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si edhe për trupin diplomatik në tërësi. Madje u kalua edhe në cilësimin si shtete të afta që të kryejnë veprimtari kriminale. Kjo në mënyrë të dukshme sjell pasoja të rënda në veprimtarinë ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe në imazhin e saj si Shtet.Një sërë qëndrimesh publike kritike ndaj sjelljeve të Presidentit u vunë re dhe nga përfaqësues të shteteve të huaja në vendin tonë të cilët bënë thirrje për vetëpërmbajtje e respektim të ligjit.

152. Pra rezulton se aktet dhe sjelljet e Presidentit kanë pasur një ndikim thelbësor.

153. Në thelb të të gjitha parashtrimeve të mësipërme, të cilat përfshijnë, pjesëmarrje në fushatën zgjedhore, nxitje e dhunës, cenim i imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë, sulm dhe cenim mbi integritetin e organeve kushtetuese dhe të pavarura ligjore, si edhe funksionarëve të tyre, ka cenuar në mënyrë të pallogaritshme figurën e Presidentit të Republikës si “Kryetar i Shtetit dhe përfaqësues i unitetit të Popullit”.

154. Qëndrimi i subjektit ndaj shkeljes. Qëndrimi i Presidentit ndaj akteve dhe sjelljeve të tij të cilat për këtë komision përbëjnë shkelje kushtetuese, është i palëkundur. Ai justifikon sjelljet e tij me argumentin se nuk njeh legjitimitetin e komisionit hetimor. Në shkresat drejtuar komisionit të ligjeve Presidenti insiston se për Presidentin, ky është një proces i montuar, hakmarrje, komisioni është jo legjitim, se ai ka vepruar në mbrojtje të kushtetutës etj…Në të vërtetë një qëndrim i tillë i Presidentit vlerësohet nga Komisioni si një mungesë arsyetimi e shëndoshë dhe që e rëndon pozitën e Presidentit në këtë proces parlamentar hetimor.

155. Në përgjigje të tre njoftimeve të Komisionit Hetimor për thirrje në seancë dëgjimore, Presidenti i Republikës i ka dërguar Kuvendit tre shkresa përmes të cilave deligjitimon komisionin hetimor, duke përdorur gjuhë fyese dhe të urrejtjes duke treguar një qëndrim të padenjë të kreut të shtetit në marrëdhënie me atë që është përfaqësues i popullit, kuvendin si organi që ushtron sovranitetin e popullit. Nëse Presidenti nuk njeh legjitimitetin e organeve të Kuvendit, si mund të presim nga zyrtarët e tjerë të zbatojnë ligjet në ushtrimin e detyrës së tyre apo nga qytetarët që të respektojnë ligjet. Dhe në këtë rast Presidenti gjendet në shkelje të nenit 4 dhe 7 të Kushtetutës.Në të njëjtën kohë, refuzimi i Presidentit sipas shkresave nr. 1651, datë 16.05.2021 dhe nr. 1651/3 datë 21.05.2021, për të paraqitur në Komision informacionin e kërkuar në kuadër të procesit hetimor, në lidhje me akordimin prej tij të dekoratave dhe titujve apo dhënieve të shtetësive, duke u mjaftuar me faktin se të dhënat janë në faqen zyrtare të internetit të Presidencës, është dëshmi e qartë për Komisionin Hetimor se Presidenti nuk kontribuon në bashkëpunimin institucional midis aktorëve shtetërorë në të mirë të interesit publik dhe zhbllokimit të situatave që mund të dëmtojnë demokracinë, siç dhe këshillohet në Opinionin e Venecias nr. 978/2020.

156. Procedurat aktuale parlamentare, për vlerësimin e sjelljes dhe veprimeve të Presidentit të Republikës, nëse përbëjnë apo jo shkelje të rëndë të Kushtetutës, janë një funksion kushtetues i Kuvendit, brenda rolit të tij balancues, si garantues i parimit të shtetit të së drejtës. Në këtë rast është në rolin e Kuvendit mbrojtja e kushtetutshmërisë dhe përforcimi i fuqisë juridike të parimeve dhe normave të ligjit themelor të vendit. Kjo procedurë, gjithashtu, nuk duhet të shihet si një rrezik për demokracinë.

10. Mbi germën c) të objektit të hetimit:
Verifikimi i akteve, sjelljeve dhe qëndrimeve të caktuara të Presidentit të Republikës, në raport me rolin dhe pozitën e tij kushtetuese.
157. Nga procesi hetimor dhe arsyetimet që pasqyrohen më sipër në këtë raport rezultoi se Presidenti ka kryer një sërë shkeljesh kushtetuese, me të cilat Presidenti ka cenuar rolin dhe pozitën e tij kushtetuese si kreu i shtetit dhe përfaqësuesi i unitetit kombëtar. Cilësia si kreu i shtetit dhe përfaqësuesi i unitetit kombëtar janë dy rolet më thelbësore që Kushtetuta i ka veshur Presidentit dhe humbja e këtyre roleve për të gjitha arsyet që jepen në këtë raport nuk mund të lejojnë vazhdimin e Presidentit në këtë detyrë.

11. Konkluzione

158. Komisioni hetimor, në përfundim të hetimit, në lidhje me pikat a) dhe b) të objektit arrin në konkluzionin se Presidenti i Republikës me aktet dhe qëndrimet e tij ka shkelur nenet 2/2, 4, 7, 13, 18, 45, 88/3, 86/1, 89, 94, 100, 124, 135, 145 dhe 148 të Kushtetutës.

159. Të gjitha këto shkelje konsiderohen nga ky komision si shkelje të rënda të Kushtetutës, pasi nga aktet e administruara në këtë proces hetimor dhe siç arsyetohet në këtë raport vërtetohet se: i) për kryerjen e akteve që përbëjnë shkelje të Kushtetutës Presidenti nuk ka pasur ndonjë qëllim legjitim; ii) me këto shkelje Presidenti ka cenuar të drejtat e njeriut, marrëdhëniet shoqërore, politike sensitive dhe të rëndësishme që mbrohen nga Kushtetuta, Kodi Penal dhe legjislacioni shqiptar në fuqi; iii) Presidenti ka kryer shkeljet kushtetuese në mënyrë të përsëritur dhe aktet që përbëjnë shkelje kanë qenë konsistente; iv) shkeljet kushtetuese të konsumuara nga Presidenti kanë pasur ndikim negativ në funksionimin e shtetit dhe në sferën sociale, politike dhe në ekonominë e vendit; v. sjellja e Presidentit ndaj shkeljeve kushtetuese është në kundërshtim të hapur me përgjegjshmërinë, vetëpërmbajtjen, seriozitetin, maturinë dhe korrektësinë e qëndrimeve që duhet të shfaqë një përfaqësues i lartë i shtetit, që respekton parimet e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit, të cilit Kushtetuta i ka veshur atributet e përfaqësuesit të unitetit të popullit.

160. Në lidhje me pikën c) të planit të hetimit, në bazë të gjithë arsyetimeve që jepen në këtë raport, komisioni arrin në konkluzionin se aktet, sjelljet dhe qëndrimet e Presidentit të Republikës, që u shqyrtuan gjatë procesit hetimor sipas arsyetimit në këtë raport, vijnë në kundërshtim me rolin dhe pozitën e tij kushtetuese.

Për sa më sipër
1. Komisioni hetimor, në bazë të nenit 90/2 të Kushtetutës, nenit 112 të Rregullores së Kuvendit dhe nenit 20 të ligjit nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, i propozon Kuvendit:

✔ Miratimin e raportit përfundimtar të komisionit hetimor “Për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë” së bashku me anekset e tij (Lidhja 1: Ilir Meta – deklarata në periudhën përpara, gjatë dhe pas fushatës zgjedhore 2021; Lidhja 2: Përmbledhje e artikujve në mëdia të rasteve të dhunës terrorit dhe vetëgjyqësisë së militantëve si dhe deklaratat e institucioneve publike. Lidhja 3: Përmbledhje e deklaratave dhe mesazheve të përfaqësive të huaja në Shqipëri dhe organizatave ndërkombëtare)

✔ Shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës për shkelje të rënda të neneve 2/2, 4, 7, 13, 18, 45, 88/3, 86/1, 89, 94, 100, 124, 135, 145 dhe 148 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: