NGA ZONJA VJOLLCA

 

400 gr mish derri

1 karrotë

1 spec të kuq

1 spec të verdhë

1 kokërr qepë

150 gr ananas

3 lugë gjelle vaj kikiriku

80 gr miell

1 lugë kafeje pluhur pjekës

 

Për salcën:

200 ml salcë domate

100 gr sheqer kaf

100 ml uthull vere të bardhë

2 lugë gjelle niseshte

200 ml ujë

3 lugë gjelle lëng ananasi

2 lugë gjelle salcë soje

 

Për të përgatitur fileton e derrit me salcë të ëmbël, fillimisht presim mishin në kubikë. Karrotat dhe specat i presim në shkopinj të së njëjtës madhësi. Në të njëjtën mënyrë veprojmë dhe me qepën, ndërsa ananasin e presim në kubikë të barabartë me kubikët e mishit. Në një tas përziejmë miellin me pluhurin pjekës dhe me një lugë gjelle vaj kikiriku. Shtojmë ujë të mjaftueshëm për të realizuar një qullë të dendur. Nxehim në tigan dy gisht vaj. Kur temperatura të shkojë 180 gradë vendosim mishin të pudrosur me miell të skuqet. E largojmë mishin e skuqur dhe e vendosim në një letër kuzhine për të larguar vajin e tepërt. Largojmë nga tigani dhe vajin e përdorur për skuqjen e mishit dhe e zëvendësojmë me 2 lugë vaj kikiriku. Sapo vaji të nxehet shtojmë qepën, karrotat dhe specat. I kauërdisim në zjarr të lartë dhe në fund shtojmë kubikët e ananasit. I rregullojmë me kripë dhe i lemë perimet në tigan për 3-4 minuta. Më pas i largojmë perimet dhe në të njëjtin tigan vendosim salcën e domates, sheqerin kaf, uthullën e verës, salcën e sojës dhe lëngun e ananasit. E lemë në vlim dhe në fund shtojmë niseshten të tretur në 200 ml ujë të ftohtë. E lemë në zjarr mesatar dhe sapo salca të jetë trashur shtojmë mishin e derrit dhe perimet e tiganisura. I trazojmë me anë të një lugë druri me shumë delikatesë dhe i lemë në tigan për të përfituar të gjitha aromat së bashku për 1 minutë, më pas e servirim menjëhere ashtu të nxehtë.
(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb