NGA ARMIR MEHAJ
“Ne sjellim fëmijët në qëndron ‘Fara Mirësie’ pasi këtu ka shumë përkujdesje për ta. Ju ofrohen shërbime mjekësore dhe terapi”. Kështu shprehen disa nëna që fati ju ka rezervuar të qenit prind të fëmijëve me nevoja të veçanta, të cilat kanë gjetur përkrahje dhe mbështetje pranë Qendrës Sociale “Fara Mirësie” në qytetin e Laçit në Kurbin, një qendër kristiane që ofron shërbime për të gjithë këtë kategori fëmijësh, por dhe të sëmurë e të varfër të tjerë.

Rina Marku, një grua e dhunuar që sot rrit dhe një fëmijë me nevoja të veçanta tregon se në këtë qendër gjeti dhe përkrahjen e vetme, çfarë e nxori dhe nga depresioni ku ishte zhytur.

“Sikur të mos mjaftonte sëmundja e fëmijës u përballa dhe me dhunën e bashkëshortit që pinte dhe pastaj s’dinte çfarë bënte. Por vuajtjet e mija nuk përfunduan këtu pasi pjesë e dramës time ishte dhe përmbytja e banesës. Nuk kam gjetur askund tjetër një derë të hapur përveçse në këtë qendër e cila krahas shërbimeve për fëmijën e sëmurë më ka ndihmuar dhe mua”, shprehet gruaja.

Këta fëmijë në këto prag Krishtlindjesh kaluan çaste të veçanta teksa Ambasada Izraelite ne Shqipëri solli për të gatuar për ta, vete kuzhinierin e presidentit izraelit, Reuven Rivlin ndërsa nëpunës të tjerë të ambasadës u kujdesën të argëtonin fëmijët.

Zëvendës ambasadori izraelit në Shqipëri Yuval Fischer teksa ndoqi nga afër shërbimet që Ambasada izraelite ofroj në këtë qendër tha se kujdesi për këta fëmijë duhet të jetë i vazhdueshëm. Ambasada po kontribuonte për këtë shtrese edhe në qytete të tjera si Tiranë e Durrës, ndërsa do të vijonte edhe më tej.

Për Vera Mollën administratore e Qendrës “Fara Mirësie” ky është një kontribut që duhet dhënë nga të gjithë pasi nuk duhet pritur vetëm nga shteti.

“Fara Mirësie” është një strehë e ngrohtë dhe e rëndësishme në të gjithë veriun e vendit ku ofrohen shërbime mjekësore dhe sociale falas për të gjithë shtresat në nevoje që në Laç dhe zonat e tjera të veriut shqiptar nuk janë pak.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: