Një libër me kujtime dhe një titull vlerësimi për Dritëro Agollin kanë mbledhur dje miqtë e tij në Tiranë. Aktorët Bujar Asqeriu dhe Kliti Roshi kanë folur për filmat “Njeriu i mirë” dhe “I teti në bronz”, duke u ndalur te lufta e klasave dhe politizimet e kohës, pa lënë mënjanë njeriun dhe shkrimtarin Dritëro Agolli.

Ka nisur me poezi, promovimi i librit “Ky është Dritëroi im”, një përmbledhje e kujtimeve, që personalitete të vendit kanë me shkrimtarin e njohur Dritëro Agolli. Aktori Bujar Asqeriu vlerësoi njeriun e shkrimtarin kur tha se ai ishte “një prej personaliteteve më të mëdha të kombit shqiptar, simbol i kombit tonë, letërsinë sonë. Ai nuk ishte vetëm një shkrimtar i madh, por edhe një njeri i madh. Ai ishte si Tomori, priti dëborë e shkriu dëborë”. Duke kujtuar një bisedë me Dritëroin për Ali Asllanin, Asqeriu tha se njerëzit e mëdhenj flasin me respekt për njëri-tjetrin.

Edhe aktori Kliti Roshi do ta krahasonte me Tomorin, madhështinë e veprave që la pas, ai që njihej si shkrimtar i popullit. “Mali sa do rrugë të bukura të ketë, mbetet mal, e është e vështirë të ngjitesh në majë, e i tillë ishte edhe Dritëroi”, tha Roshi, aktor e djali i Kadri Roshit.

FILMA NËN KOMUNIZËM

Autor i një sërë veprash të njohura nga “Shkëlqimi e rënia e shokut Zylo”, “Komisari Memo”, “Trëndafil në gotë”, “Arka e djallit”, “Zhurma e Erërave të dikurshme” etj., ai u nda nga jeta duke lënë pas një emër të njohur edhe në kinema si skenarist. Madje, Asqeriu sjell në vëmendje një prej filmave  që preknin plagët e kohës. “Kam luajtur te filmi ‘Njeriu i mirë’ dhe kam pasur rolin e Telos. Para 10 vitesh takova një punonjës të Ministrisë së Arsimit e ai më tregonte se kur kishte dalë filmi në kinema, ai e kishte parë me të dashurën 5 herë, shikonin filmin dhe qanin. Qanin se vajza që ai donte quhej me biografi të keqe dhe prindërit e saj nuk donin t’ia jepnin”, tregoi Asqeriu. Ndonëse në filmat e para 1990-ës janë përfshirë ne debate të gjera, të cilësuara shpesh si propagandë e komunizmit, Asqeriu gjen një tjetër qasje, duke parë trajtimin e plagëve shoqërore. “‘Njeriu i mirë’ ishte nga filmat e parë që trajtoi atë, që ishte më e dhimbshmja në atë periudhë, luftën e klasave që shkatërronte dashurinë e çdo njeriu, shkatërronte njeriun e lirinë. Të njëjtën gjë më tha më vonë edhe një oficer, që ishte me biografi të mirë. Ai donte një vajzë që ishte me biografi të keqe dhe filmi ynë bëri që ai jo vetëm të mos ndahej nga e dashura, por edhe të martohej me të. Por, atë novelë e kishte shkruar Dritëro Agolli”, kujtoi Asqeriu.

Edhe aktori Kliti Roshi ruan nga Agolli kujtime në shesh xhirim në një moshë krejt të njomë, kur ishte i pavetëdijshëm për personazhet që kishte përballë. “Unë filmin e parë fare e kam me skenar të Dritëroit e Viktor Gjikës, ka qenë film i viti 1969, ‘I teti në Bronz’. Atëherë isha fëmijë, nuk e dija me kë kisha të bëja. Për sa ditë ndjenja unë në Korçë me xhirime, Dritëroi nuk iu shkëput në asnjë skenë grupit të filmit, jo për të bërë vërejtje e për të nxjerrë veten e tij, e për të thënë se kush ishte, por se ishte virtyti i madh i tij për të ndihmuar njerëzit”, kujton Roshi.

Dhe nëse i kthehemi debatit mbi filmin dhe propagandën, Roshi nuk ngurron ta shohë rolin e Agollit tek “I teti në bronz” si një frymëmarrje nga politizimi. “Ishte një skenar që do, s’do ishte i politizuar, por pikërisht ato ndërhyrje, këshilla e sugjerime të Agollit bënë që ai film nga kjo anë disi të shkarkohej”, thotë Roshi.

Shumë vite më pas, tashmë i pjekur dhe krejt i vetëdijshëm, ai e kujton veten fëmijë përballë Dritëroit te filmi “Teti në bronz”, si një prej ngjarjeve më të bukura të jetës. “Nuk më harrohet,  ndoshta momenti më i bukur i jetës sime në fushën e artit, nuk po e bëja dot atë moment në film, në vend që të qaja, unë qeshja, Dritëroi i shkel syrin e babait dhe i thotë Viktorit, ky nuk bën, le të niset për në Tiranë. Ata nuk flasin. Mora rrugën nga Boboshtica për të vajtur në Korçë”, tregon Roshi. Djali i artistit të zëshëm, Kadri Roshi, pa e kuptuar lojën e Dritëroit, nis të qajë. “Në moment gjendja ime u tjetërsua krejtësisht. Skena e kamera ishte gati dhe pritej vetëm reagimi im dhe kur unë qava, u xhirua. Është pikërisht ai moment që ka mbetur në celuloid. Këtë nder e privilegj ia dedikoj Viktor Gjikës, por kryededikimi i takon Dritëro Agollit”, kujton aktori. Tri vite pas ndarjes nga jeta, shkrimtari Dritëro Agolli u nderua edhe me një titull. Shefki Hysa nga “Misioni Diplomatik Paqe dhe Zhvillim” tha se i jepet titulli pas vdekjes, “Misionar i paqes” dhe “Golden Ambasador” nga institucione të akredituara nga Kombet e Bashkuara.

Në emër të familjes, që nuk ndodhej në Tiranë, certifikata u tërhoq nga aktorja Marjana Kondi. “Është vërtetë moment emocionues se kur kam qenë e vogël, i kam dhuruar lule atij dhe Shefqet Musarajt”, tha aktorja. Veprën e tij letrare e vlerësoi edhe Fatos Klosi. Trashëgimia letrare e filmike e Agollit, nëse lëmë mënjanë atë politike, mbetet ende sot në duart e publikut. Si testament, vargjet e tij japin mesazhin që la pas.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb