Ish deputeti demokrat Bardh Spahia i ftuar në studion e emisionit “Real Story” në “News 24” tha se opozita e bashkuar ka dalë që në fillime me tezat se koronavirusi është një rrezik shumë i madh e se për të duhen marrë masa të menjëhershme.

Spahia u shpreh se pavarësisht se opozita e bashkuar pati bërë të tilla deklarime, Rama nisi që të tallej në fillime, derisa gjendja në vend u agravua.

“PD ka ngritur shqetësimet dhe alarmin për domosdoshmërinë e marrjes të masave konkrete në përputhje me domosdoshmërinë që kërkonte situata dhe për fat të keq kemi ndeshur në keqadashjen e qeverisë. Është e pafalshme që strukturat e shtetit, në një rast të tillë kur rrezikohet jeta e qytetarëve, nuk kanë reaguar menjëherë. Masat duhet të ishin në mënyrë të menjëhershme për të garantuar sigurinë publike.

Ne kemi nisur denoncimet tona në fillim të janarit dhe më pas në shkurt. Denoncimet tona kanë qenë me qëllimin e vetëm që të garantojmë shëndetin e qytetarëve. Sic ka denoncuar PD, ky ishte  një rrezik shumë i madh. Ndërsa ne thamë se ishte një rrezik i madh, Rama tallej publikisht pa të keq. Rama në fillime tha se Shqipëria nuk rrezikohet e se është grip i thjeshtë e vetëm kur thamë ne dolën edhe rastet e tjera e situata u bë më e rrezikshme. Koronavirusi ka qenë në Shqipëri që në janar”, tha Spahia.

Bardh Spahia nënvizoi se qeveria duhet të merrte masa të menjëhershme, por se vonoi me to.

“Duheshin marrë masa më të shpejta. Për mjekët duheshin garantuar maskat, duheshin garantuar të gjitha mjetet që mjekët të jenë të mbrojtur, që në fillime duhet të merreshin këto masa. Duhet të ishin marrë masa për pritjen e pacientëve të parë me koronavirus. Duhet të ishin marrë masa për garantimin e stokut të ilacave që duheshin për këtë situatë. Në fillime kishte ca projekte që humbën ku nuk dihet sesi kanë humbur. Cdo gjë e kanë bërë pasi kemi folur ne. Kështu vepruan edhe me respiratorët”, u shpreh Spahia.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb