TIRANË

Një prej organizatorëve të protestës, aktivist i shoqërisë civile Adriatik Lapaj deklaroi para protestuesve se ky është sheshi i nderit, jo i turpit. Sipas tij, kur qytetarët bashkohen, fitojnë.

Lapaj ka përsëritur dhe kërkesat e qytetarëve për qeverinë. Në paketën e propozuar përfshihen pezullimi i taksave për qarkullimin në mënyrë që të ulet çmimi i naftës.

“Ky është sheshi i nderit, nuk është shteti i turpit. Kjo është një protestë e njerëzve të lirë, një protestë për dinjitetin, për nënat dhe baballarët e këtij vendi. Është një protestë për fëmijët tanë që të mos ikin nga ky vend. Ky shesh, këta qytetarë kanë arritur për herë të parë të bashkojnë vullnetet, duke ndalur çmimin e rritjes së naftit, duke i detyruar ta ulin.

Kur qytetarët bëhen bashkë ata fitojnë, ju fitoni. Fitorja më e madhe e kësaj proteste nuk janë çmimet e karburantit, është krijimi i vetëdijes qytetare.
Nga ky shesh po përsëris kërkesat që ne i kemi bërë.

Kërkesat zyrtare të protestuesve:
A. Masa për uljen e barrës fiskale dhe përcaktimit të marzhit të fitimit për përballimin e krizës dhe garantimin e qëndrueshmërisë së çmimeve:
1. Marrje e masave në formë të alternuar si: pezullim i taksës së qarkullimit dhe i taksës së karbonit, me qëllim afrimin e çmimit të karburantit me vendet e rajonit.
2. Zerim i përkohshëm i TVSH-së produkteve të shportës (dhe ulja në masën 10% në vijim) dhe mbikëqyrje e periodike rigoroze e tregut për reflektimin përkatës në çmime.
3. Përcaktimi i përkohshëm i marzhit të fitimit në sektorin e hidrokarbureve dhe transparencë me publikun.
B. Masa për mirëfunksionim e tregut dhe në mbështetje të fondit për përballimin e krizës:
4. Pezullim i përkohshëm i a) Koncesionit të Markimit, b) Koncesionit të Skanimit dhe c) Koncesionit të Kontrollit të Pompave (bazuar në klauzolën “force major” në kontratën përkatëse dhe në mbrojtje të interesave publike), si dhe hetim e mbikëqyrje në vijimësi e operatoreve ekonomike te importit dhe tregtimit me shumice që ndikojnë arbitrarisht në rritjen e çmimit të naftës, me qëllim pezullimin e përkohshëm apo anulimin e tyre në favor të interesit publik.
5. Mbikëqyrje dhe raportim periodik tremujor ne Kuvendin e Shqipërisë nga Autoriteti i Konkurrencës së të gjithë përqendrimeve në treg dhe transparencë e plotë e zinxhirit të vlerës për të gjithë operatorët ekonomike sektoriale që vitin e mëparshëm kanë zotëruar/zotërojnë mbi 25% të vlerës në sektorin përkatës, nga institucionet përgjegjëse.
6. Rishikim i buxhetit te shtetit për vitin 2022 për shkurtimin e shpenzimeve operative dhe të luksit të administratës shtetërore.
7. Krijim me prioritet në kohë i një kompanie publike që të konkurrojë në tregun privat të naftës dhe burime parësore të energjisë me perspektivë investimin në prodhim.
C. Masa mbështetëse dhe subvencionime:
Përcaktimi dhe publikimi i përvitshëm i minimumit jetik si baze për mbështetjen financiare të shtresave në nevojë, personave me aftësi të kufizuar dhe atyre që trajtohen me ndihmë ekonomike. Rekomandohet barazimi i pensioneve të pjesshme me minimumin jetik.
Zgjerim i skemës së kompensimit dhe mbështetjes së fermerëve.
Përmbledhje në Pika:
Heqje e taksës së qarkullimit dhe pezullim i alternuar i barrës fiskale mbi çmimin e karburantit.
Pezullim i TVSH-së për produktet e shportës bazë
Përcaktimi dhe ngrirja e përkohshme e marzhit të fitimit në sektorin e hidrokarbureve dhe transparencë me publikun.
Zgjerim i skemës së kompensimit dhe mbështetjes së fermerëve.
Paketë reale ndihme për pensionistët, invalidët dhe familjet me ndihmë ekonomike deri tejkalimin e krizës dhe përcaktim i minimumit jetik.
Hetim e mbikëqyrje e koncesioneve dhe shpenzimeve që ndikojnë në buxhetin e shtetit, si dhe e operatorëve që mund të ndikojnë arbitrarisht në rritjen e çmimeve”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: