Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Lushnjë në turin e tij të falënderimit për zgjedhjet e 14 majit. Rama tha se e di se ka shumë gjëra që nuk shkojnë dhe me këtë drejtësinë e re dhe që do donim të shkonim ndryshe në drejtim, por kjo që po ndodh sot, nuk ka ndodhur kurrë më parë.

“Nuk na falet të mos bëjmë gjithçka. Kam shumë besim që gjërat do vazhdojmë të bëhen gjithmonë e më mirë. Por duhet të kemi durim.

Ka momente që duhet të shtrëngojmë dhe dhëmbët kur shikojmë njerëz që papritur e pa kujtuar që besimin tuaj dhe mbështetjen tonë të përbashkët e abuzojnë dhe na bëjnë të gjithëve të skuqemi kur i shohim. Por duhet të jemi shumë krenar që i kemi dhënë këtij vendi mundësinë të bëjë drejtësinë duke u sjellë ashpër me të fuqishmit. Nuk ka ndodhur kurrë në këtë vend që njerëz të fuqishëm të shkojnë para drejtësisë.

Ne nuk mund të bëjmë dot në vitet që kemi në dispozicion atë që nuk u bë në 500 vjet. Por mund të bëjmë më shumë pikërisht që fëmijët tanë të mos paguajnë kostot e së keqes në pushtet siç paguajnë të rejat dhe të rinjtë kostot e faktit që reformat që ne nisëm nuk u nisën kur duhet të niseshin. E kemi filluar këtë rrugë nga një pikë kur gjysma nuk paguanin dritat. Sot nuk krahasohemi me atje ku ishim. Ne duhet të shohim të ardhmen dhe të vrapojmë drejt së ardhmes të gjithë së bashku. Nëse ka arsye për të besuar jeni ju”, tha Rama.

Duke iu referuar opozitës ai shtoi se ata nuk dinë se çfarë ndodh të jesh anëtar i PS-së dhe të jesh i papunë dhe të punosh më mirë për këtë parti se një që është në punë, teksa iu drejtua me një mesazh militantëve.

“Më mirë që nuk e kuptojnë. Mund të ndodhë që ndërkohë që ju keni bërë gjithçka të gjendeni përballë dikujt që s’ka bërë sa ju dhe i është dhënë mundësia të jetë në një karrige. Mund t’ju ndodhë të shikoni se si një tjetër pikërisht se ka marrë një karrige, arrin të ulë në karrige dhe krushqinë e tij dhe nuk gjen vend për ju. Por mos lejoni kurrë që çfarë do nga këto që ndodhin të cenojë krenarinë për atë që ju jepni për PS-në e cila po ndryshon Shqipërinë. Nuk do ta ndryshonim dot Shqipërinë pa secilin prej jush. Kurrë asnjëherë mos e lini një dru të shtrembët, apo 2, apo 3, apo 4 , se ky është pyll i madh ky i joni dhe drutë e shtrembër nuk mungojnë që t’ju shtrembërojë pamjen për atë që kjo parti bën për vendin.

Ka momente që jua sjellim në majë të hundës, por në fund të ditës përsëri falë jush ne vazhdojmë të bëjmë atë që mundemi për këtë vend. Desha t’ju shoh dhe tua them në sy, shumë faleminderit. Dua t’i bëj një falënderim grave dhe vajzave të Lushnjës dhe Divjakës. Fakti që jemi partia që votohet më shumë nga gratë se nga burrat, tregon që jemi në rrugë shumë të mbarë. I falënderoj gratë se kanë pasur një rol shumë të madh në votim, ashtu siç falënderoj dhe gratë e atyre demokratëve që nuk kanë dalë në votim”, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: