Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka theksuar edhe një herë se në Munih, kanë marrë mesazhe të qarta se Kosova duhet të rrisë përgjegjësinë që sa më parë të arrihet marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi, me theks të veçantë, që kjo të përfundojë me njohje reciproke.

Thaçi theksoi se duhet ruajtur partneriteti me SHBA-në e BE-në, gjithashtu, thotë se duhet shfrytëzuar ky moment që Kosova të marrë mbështetjen për liberalizimin e vizave e anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

“Të gjitha mesazhet nga të gjithë liderët botërorë që ishin prezent në Munih, në raport me Kosovën, ishin që të ruhet ky partneritet i Kosovës me BE-në, NATO-n e në veçanti me SHBA-në. Ky partneritet ruhet vetëm duke u sjellë në mënyrë të përgjegjshme, të ndërtojmë demokraci qytetare, të thellojmë reformat e të sillemi në mënyrë korrekte me të gjithë fqinjët. Jam i inkurajuar nga ajo që dëgjuam për Kosovën këtu në takime me të gjitha personalitetet, edhe atyre që janë në proces të njohjes së pavarësisë së Kosovës”, tha Thaçi në një prononcim për televizionin publik.

Sa i përket kërkesës që marrëveshja Kosovë – Serbi të arrihet sa më shpejtë, Thaçi tha se Kosova është e bekuar që ka rifokusim të SHBA-së e kryesisht të Donald Trumpit, Mike Pompeot e Richard Grenellit.

“Me të gjithë që kam diskutuar në Munih, kërkohet të rritet përgjegjësia jonë për mundësinë që si spektri politik, ashtu edhe institucionet të punojnë ngushtë me SHBA-në, që të arrijmë deri te finalizimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi, që nënkupton njohje reciproke”, tha ai, duke shtuar se “ky shans duhet të shfrytëzohet e të mos humbet.

“Nëse e shfrytëzojmë do të fitojmë dekadat e zhvillimit ekonomik, nëse nuk e shfrytëzojmë do të mbesim prapa, të lënduar e të izoluar prej Bashkësisë Ndërkombëtare, pa ndonjë përfitim në rrafshin ekonomik, politik, diplomatik e as të njohjeve të reja e as anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, u shpreh Thaçi.

Thaçi theksoi se do të udhëtojë për në Bruksel, prej Munihut, ku nesër do të mbahet takimi i parë i liderëve të Bashkimit Evropian me liderë të Ballkanit Perëndimor.

“Aty do të jetë e përfaqësuar edhe Kosova, do të diskutohet për hapat e mëtutjeshëm, qoftë për liberalizim e vizave, por edhe mundësitë e bashkëpunimit më të thuktë me të gjithë”, u shpreh Thaçi.

Në fund, Thaçi, theksoi se rrugëtimi i Kosovës duhet të jetë koordinimi me SHBA-në e Bashkimin Evropian.

“Duhet të ndodhë liberalizimi i vizave dhe në asnjë rrethanë të mos humbet mundësia për anëtarësim në INTERPOL ose UNESCO. Pa koordinimin me Washingtonin e Brukselin, Kosova rrezikon seriozisht procesin e liberalizimit të vizave e anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, përfundoi Thaçi.

/Koha.Net

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb