Ky Ramazan ka ardhur si kurrë më parë për myslimanët në Azi, pasi xhamitë që normalisht duhet të ishin të mbushura plot me njerëz, janë të shkreta në këto kohë. Në disa vende madje janë të mbyllura, për shkak se qeveritë kanë zbatuar masat për të parandaluar Covid-19.

Në xhaminë kryesore Istiqlal të Indonezisë, më e madhja në Azinë Juglindore, thirrja në mbrëmje në Maghab ishte që njerëzit të luten nëpër shtëpi. Xhamia ishte e boshatisur, në kontrast të thellë me atë që ka ndodhur një vit më parë, kur këto ambjente ishin mbushur plot me njerëz, raporton Reuters.

Indonezia, shteti ku ka më shumë myslimanë në botë, ka konfirmuar 8882 raste me koronavirus dhe të paktën 743 njerëz kanë ndërruar jetë për shkak të Covid-19. Në Dhaka, kryeqyteti i Bangladeshit, portat e Xhamisë së Kryetarit Mohamed Hanif Jame u bllokuan.

Në qytetin pakistanez të Karaçit, policia patrulloi jashtë Faizan-e-Madina, një nga xhamitë më të mëdha të qytetit, për të ndaluar mbledhjen e adhuruesve dhe askush nuk po e kryente Taraëeeh, një lutje speciale gjatë Ramazanit. Pakistani ka raportuar 11 mijë të infektuar me koronavirus dhe 237 të vdekur.

Edhe në Indi një lutje u bë në një oborr të shkretë. Vitin e kaluar, adhuruesit u derdhën në tarracën e zbukuruar para xhamisë së tullave të kuqe të shekullit të 17-të. India ka raportuar 26 496 raste me koronavirus dhe 824 vdekje. Ekspertët e shëndetit kanë paralajmëruar se përhapja e shpejtë e koronavirusit në pjesë të varfëra, me popullsi të dendur të Azisë së Jugut, ku është përqendruar një e pesta e popullsisë së botës, mund të mposhtë lehtë sistemin e dobët të shëndetit publik.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb