Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden u bëri thirrje amerikanëve të mos përfshihen nga paniku dhe të vaksinohen ose të bëjnë dozat përforcuese, gjatë një konferencë shtypi ku foli për përgatitjet e administratës lidhur me variantin e ri të COVID-19, Omicron.

“Ky variant është shkak për shqetësim, jo një shkak për panik,” tha Biden në komentet tij në Shtëpinë e Bardhë pas një takimi me ekipin e tij për COVID-19.

Ai u bëri jehonë komenteve të ekspertëve se gjasat janë që do të zbulohen raste me Omicron në Shtetet e Bashkuara.

“Herët a vonë do të shohim raste të këtij varianti të ri këtu në Shtetet e Bashkuara,” tha presidenti Biden.

Shtëpia e Bardhë po punon me kompanitë e vaksinave Pfizer, Moderna dhe Johnson & Johnson për të zhvilluar plane emergjence, nëse është e nevojshme, për të trajtuar variantin e ri, tha ai.

Zoti Biden u bëri thirrje amerikanëve të mbajnë maska në ambjentet e brendshme dhe në vende publike.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur masa kufizuese për udhëtimet nga vendet e Afrikës jugore por zoti Biden tha se kufizimet u vendosën për t’i dhënë vendit kohë në mënyrë që të vaksinohen sa më shumë njerëz.

Komentet e tij ishin në të njëjtën linjë me ato të Dr. Anthony Faucit, këshilltarit kryesor mjekësor të Presidentit.

“Kjo kohë duhet përdorur për të plotësuar mangësitë, duke mësuar më shumë për virusin, duke mësuar se si reagon ndaj antitrupave të krijuara nga vaksinat. Mbi të gjitha kjo kohë duhet përdorur për të përshpejtuar vaksinimin dhe dozat përforcuese. Këto do ta ndihmojnë për të rritur gatishmërinë”, tha Dr. Fauci në një intervistë të dielën.

Dr. Fauci, tha se Shtetet e Bashkuara nuk kishin gjasa të vendosnin kufizime të mëtejshme.

Konferenca e shtypit erdhi ndërsa më shumë vende, përfshirë Kanadanë kanë identifikuar raste me Omicron dhe ndërsa ekspertët në gjithë botën po përpiqen të kuptojnë se çdo të thotë ky variant i ri për pandeminë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: