Kryeministri Edi Rama ka postuar videon e një vajze të infektuar me koronavirus, e cila tregon gjendjen në të cilën ndodhet.

Vajza ka një mesazh për të gjithë shqiptarët, duke thënë se askush nuk duhet ta marrë me shaka situatën dhe se këtë e thotë dikush që po vuan pasojat.

“Për ta nisur me një ton pak më pozitiv këtë video, duhet ta keni parë tashmë në lajme që numri i të infektuarave ka kapërcyer nga 64 në 70 ditën e djeshme dhe kjo më ka dhënë mundësinë që të jem e infektuara numër 69. Edhe me këtë besoj se e kuptoni se rezultatet më kanë dalë pozitive për virusin, po lajmërimi publikisht i kësaj gjëje nuk është qëllimi i videos. Këtë video e nisa sepse vazhdoj të shoh postime pafund, ku di unë, me shkeljen e të drejtave në lidhje me karantinimin, që nuk po i marrin parasysh pasojat psikologjike të të qëndruarit brenda dhe shph njerëz që vazhdojnë jetën normalisht dhe lëvizin, sidomos në lagjen time që dihet tashmë që janë dy të infektuar zyrtarë e kushedi se sa të tjerë. Pasoja psikologjike të të qëndruarit brenda në shtëpi, sidomos kur je i shëndetshëm, më besoni që janë komplet të papërfillshme krahasuar me pasojat që lë momenti kur një familjar që ta merr ambulanca dhe me të cilin do të kesh kontakte vetëm telefonike për kushedi sa kohë. Dhe përveç kësaj me pasojat që do të kesh kur të vijnë të të bëjnë analizën dhe të të trajtojnë si mbetje kimike, pasi fundja në këtë pike ke thuajse të njëjtën rrezikshmëri për të tjerët. Nuk kemi pasur kontakte me njerëz të infektuar, të ardhur nga jashtë apo me ata që kishin simptoma dhe nuk e di se si e kemi marrë. Kjo do të thotë se nuk kanë rrezik potencial vetëm ata që vijnë nga jashtë, por shumë e shumë të tjerë. Ky virus nuk është shaka, po jua thotë dikush që po vuan pasojat, dikush që ka dikë të shtruar në spital, dikush që është karantinuar në shtëpi me zero kontakt njerëzor. Nuk po e hiperbolizoj kur them se kjo nuk është një luftë personale e gjithsecilit prej nesh, por e gjithë njerëzimit. Ne na duhet vetëm të rrimë në shtëpi dhe të mos u bëhemi barrë këtyre mjekëve dhe ekspertëve që po bëjnë çmos për kurimin. Të mos jemi si ata persona që e kanë marrë nga pakujdesia e tyre apo e dikujt tjetër. Duke shpresuar që kjo video t’jua bëjë situatën pak më reale, sepse shumë prej jush më keni patur në rrjetet sociale dhe godet ndryshe kur është dikush që njeh. Ju lutemi qëndroni në shtëpi dhe bëni kujdes. Bëni kujdes jo vetëm për familjarët por edhe për të tjerët në rrugë sepse këtu bëhet fjalë për përgjegjësi edhe për jetën e tjetrit,”- shprehet vajza në video.

Ndërsa kreu i qeverisë Edi Rama e ka inkurajuar vajzën dhe i ka kërkuar të bëjë durim, pasi do ia dalë. Rama i premton po ashtu se do ta takojë, por pasi të përfundojë kjo luftë.

“#tinukdojeshkurrëvetëm❤ Ti zemër do ia dalësh padiskutim dhe unë jam me ty, të gjithë ne jemi me ty, deri kur të shërohesh plotësisht! Por ti meriton edhe një falenderim të megjithëzemërt, për fjalët e thjeshta, të vërteta, të ndjera, që ke ndarë me të gjithë ne, sot kur të gjithë kanë nevojë të dëgjojnë dhe disa prej nesh, kanë akoma nevojë të kuptojnë që jemi në një luftë botërore për jetën, jo në një lojë kukamçefthi, ku kemi të drejtën të mërzitemi e të ankohemi pse po e kufizojmë skajshmërisht lirinë tonë! Ti nuk ke nevojë për kurajo, sepse dalja jote publikisht tregon se kurajon e ke të jashtëzakonshme, kështu që unë nuk mund të të jap kurajo ty, po dua të të falenderoj për kurajon që ti më dhe mua me fuqinë magnetike të brishtësisë tënde. Përqafime nga larg dhe me patjetër do të takohemi kur të mbarojë lufta. Edi,”- shkruan Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb