Barcelona arriti të fitojë me vështirësi në transfertë ndaj Valladolidit dhe kështu ruajti ecurinë e rezultateve pozitive në këtë fillim sezoni. Katalanasit fituan me rezultat minimal 1-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e dytë në La Liga. Pjesa e parë e ndeshjes i takoi në tërësi Barcelonës, të cilët rrezikuan shumë herë, por goli iu mohua nga portieri Jordi Masip. Rastet më të mira në këtë pjesë ishin ai i Luis Suarez (33′), Philippe Coutinho (35′) dhe Lionel Messi (43′), por asnjëri nuk arriti t’i ndryshojë shifrat. Në pjesën e dytë, katalanasit vazhduan me lojë të mirë dhe raste, por edhe vendasit patën disa raste për gol. Goli i parë dhe i vetëm i takimit u shënua në minutën e 57-të nga Ousmane Dembele, i cili zhbllokoi rezultatin pas asistit të Sergi Robertos. Valladolidi pati rast të mirë për të barazuar rezultatin në minutën e 77-të me anë të Kekos, por Marc Andre Ter-Stegen ia mohoi golin. Deri në fund të ndeshjes edhe përkundër disa rasteve tjera dhe një goli të shënuar, por të anuluar nga VAR-i, rezultati mbeti i pandryshuar dhe Barcelona mori tre pikët e radhës me një fitore minimale 1-0. Pas kësaj fitore, Barça e sheh veten në vendin e parë me 6 pikë, ndërsa Valladolidi në vendin e 13-të me një pikë. Në ndeshjen e radhës, katalanasit e presin Huescan në Camp Nou, ndërsa Valladolidi udhëton drejt Getafes. (o.k/BalkanWeb)

https://www.youtube.com/watch?v=yt9LQ759Jjo

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb