Një 34-vjeçar shqiptar, është gjetur i vdekur në Itali. Ai është identifikuar si Avenir Hysaj, i cili ishte shpallur i zhdukur nga familjarët në 21 shkurt të këtij viti.

Hysaj, punonte murator dhe banonte në zonën e Bra. Sipas mediave të huaja, ai është gjetur i pajetë në një pyll jo shumë larg qytetit dhe vdekja e tij është ende misterioze për ta.

Ndërkohë ekspertët mjekësorë janë duke zhvilluar autopsinë në trupin e pajetë të tij, për të mësuar shkakun e vërtetë të vdekjes. Policia, ka rindërtuar të gjithë ngjarjen.

Të dielën e 21 shkurtit, Hysaj, së bashku me prindërit kishte shkuar në një market për të blerë disa ushqime, por teksa ato i la brenda në dyqan, i riu u largua dhe nuk u kthye më.

Fill pas zhdukjes, familjarët e Hysajt u drejtuan programit televiziv Raitre dhe bënë thirrje qytetarëve që të ndihmonin në dhënien e informacioneve nëse e kishin parë atë.

Shkaqet e vdekjes së tij janë ende mister, pasi sipas policisë nuk dihet nëse është vrarë, ka vrarë veten apo ka vdekur aksidentalisht. Hetimet janë duke u zhvilluar nga Karabinierët, drejtuar nga Prokuroria Publike, të cilët ruajnë me rreptësi konfidencialitetin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb