Shqipëria ka mbetur përfundimisht mundësia e vetme për Loret Sadiku në rast se ky i fundit dëshiron të përfaqësojë një Kombëtare.

Historia e futbollistit 27-vjeçar është disi e ngatërruar, por ajo që ka rëndësi është se FIFA nuk e lejon atë të përfaqësoje as Kosovën edhe as Suedinë.

Menaxheri i përfaqësueses suedeze, Stefan Pettersson, ka theksuar se FIFA i ka kthyer përgjigje negative Federatës, me arsyetimin se Sadiku ka bërë kërkesë një herë për ndryshim të përfaqësueses.

Sadiku ishte larguar nga ekipi U-21 i Suedisë për t’u paraqitur për ekipin A të Shqipërisë, por nuk luajti në asnjë ndeshje me kuqezinjtë. Mbrojtësi preferoi më pas t’i bashkohej Kosovës, duke u aktivizuar në miqësoret jo zyrtare, por kur “Dardanët” u pranuan në FIFA, ai nuk u lejua të ishte pjesë e formacionit që atëherë drejtohej nga Bunjaku, pasi kishte ndryshuar një herë kombëtaren (La Suedinë për Shqipërinë).

Në këtë situatë, 27-vjeçari bëri përpjekjet e fundit për t’u lejuar të kthehej te Suedia, por përgjigjja e FIFA-s ishte negative. Kjo do të thotë se Loret Sadiku ka vetëm një mundësi, të përfaqësojë Shqipërinë, sigurisht kjo edhe nëse Federata Shqiptare e Futbollit dhe trajneri e vlerësojnë se ndihma e tij nevojitet te kuqezinjtë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb