LUSHNJË

Policia e Lushnjës ka goditur një rast të tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Policia ka zbuluar në fshatin Krutje brenda një ndërtese, një ambient të përshtatur si laborator, që shërbente për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet ngrohjes me llamba. Një 40-vjeçar është arrestuar si autor dhe dy punonjës të OSHEE, ndërsa janë shpallur në kërkim tre persona të tjerë.

Në vijim të kontrolleve të pandërprera dhe punës për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, në bazë të informacioneve të marra më parë në rrugë policore, nga Komisariati i Policisë Lushnjë në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit antikanabis të koduar “Krutja”.

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi Mario Çela, 40 vjeç, banues në Lushnje, si dhe u shpallën në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve Ervin Rista, 45 vjeç, banues në Tiranë, Lirim Serdani, 54 vjeç dhe Igli Borova, 27 vjeç, banues në Fier.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë përshtatur ambientin e një ndërtese në pronësi të shtetasit E. R., me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.

Gjithashtu, u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shpërdorim detyre” shtetasit Mestan Zoto, 64 vjeç, banues në fshatin Ardenicë dhe Vilsi Liçi, 23 vjeç, banues në fshatin Gorre.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Të dy këta shtetas, punonjës të kompanisë OSHEE, në kundërshtim me ligjin nuk kanë përmbushur detyrën, (duke mos kontrolluar linjën elektrike, si dhe matësin e energjisë elektrike).

Gjatë operacionit shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale pajisjet elektrike që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike dhe fidanë të dyshuar narkotikë kanabis, të kultivuar në kushte laboratorike.

Gjithashtu gjatë kontrollit të banesës së shtetasit L. S., u gjetën dhe u sekuestruan disa fishekë luftarak dhe pajisje që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike në kushte laboratorike.

Materialet për veprime të mëtejshme do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Shpërdorim detyre”, “Vjedhja e energjisë elektrike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb