TIRANE- Gazeta ‘Panorama’ shkruan sot se, Prokuroria e Krimeve të Rënda është duke hetuar në lidhje me pasuritë që disponojnë nëntë personat e arrestuar gjate sekuestrimit te laboratorit ne Xibrake me akuzën e trafikimit të kokainës.
Pas hetimit në emër të secilit prej të arrestuarve, organi i akuzës ka kërkuar të dhëna edhe për rrethin e tyre fisnor e familjar. Sipas burimeve të hetimit, mësohet se në Prokurori kanë mbërritur të dhënat e para nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave në Ministrinë e Financave.
Sipas këtyre të dhënave, mësohet se janë verifikuar pasuritë që disponojnë 13 familjarë të Ermal Hoxhës, nipit të diktatorit Enver Hoxha, i cili u arrestua gjatë aksionit antidrogë. Nga verifikimet e kryera mësohet se 13 anëtarët e familjes së Ermal Hoxhës dhe të afërmit e tij, nuk disponojnë shuma monetare në bankat e nivelit të dytë. Shuma më e madhe që është gjetur në emër të këtyre personave mësohet se ka qenë një depozitë bankare në vlerën e 300 mijë lekëve të rinj.
Shuma më e vogël e gjetur në llogaritë e 13 personave mësohet se ka qenë 20 mijë lekë të rinj. Sipas hetimit, shumat në fjalë nuk justifikojnë ndonjë dyshim apo lidhje me veprimtarinë e Ermal Hoxhës apo transferim pasurie nga ana e tij te të afërmit.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: