Laçi do të ketë një ndeshje të vështirë të shtunën në mbrëmje, në impiantin e ri “Kukësi Arena”. Trajneri Shpëtim Duro pohoi se përtej atmosferës së zjarrtë që pritet në Kukës, ndeshja në fushë do të jetë diçka tjetër dhe ekipi i tij do të bëjë më të mirën.

“Të gjitha ndeshjet janë të vështira në këto momente, Kukësi është te pjesa e sipërme e klasifikimit dhe ka entuziazëm pasi për herë të parë pas shumë kohësh luhet në Kukës. Edhe për ne është kënaqësi se inagurohet një stadium modern, është ndeshje e vështirë por është pozitive të luajmë në atë ambient dhe stadium. Por, loja është diçka tjetër nga festa e stadiumit”.

Vendi i dytë – “Lufta është e hapur deri në fund, do të shikojmë javë pas jave. Pas ndeshjes me Kukësin do të shikohet rezultati, por lufta për vendin e dytë do të vazhdojë deri në fund. Kupa është një arritje e madhe dhe kemi shkuar në finale, por duhet të përqendrohemi te kampionati. E rëndësishme është të arrijmë objektivin nga kampionati, që edhe në Kupë të jemi të qetë”.

Nëse nuk do të ishe larguar në fillimin e sezonit– “E kam thënë se Laçi do të ishte për titull kur u largova, nuk e imagjinoja të kisha diferencë me Tiranën, nuk ka diferenca për organikën. Më ka ngelur pishman se do të ishim si në sezonin e kaluar, por edhe më mirë. Por jemi mirë nëse arrijmë vendin e dytë, do të ishte e rëndësishme dhe pozitive.

Sezoni i kaluar ishte rezultat historik, hera e parë që luftonte për titull dhe skuadra më e mirë shqiptare në kompeticionet europiane. Është vlerësim nga drejtuesit rikthimi im, do të ishte shumë pozitive që bashkëpunimi të mos ndërpritej në këtë sezon, tani jemi përqendruar te fundi i këtij sezoni”, u shpreh Duro.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb