Të premten në mbrëmje nis java e dytë e Kategorisë Superiore, që do hapet me sfidën Dinamo-Laçi në orën 19:45 në Elbasan Arena. Në konferencën për shtyp para kësaj ndeshjeje, trajneri i Dinamos Bledi Shkëmbi, nuk i kurseu fjalët e mira për Laçin…

“Laçi është një kundërshtar i vështirë, por ne jemi Dinamo dhe për emrin e madh që kemi duhet të luajmë për maksimumin. Kam besim se do ta kalojmë me sukses edhe këtë ndeshje.

Pavarësisht se nga Laçi janë larguar disa lojtarë dhe ka ardhur një trajneri i ri, egoja dhe dëshira për të bërë mirë është arma e tyre më e fortë. Emrat ndryshojnë por Laçi është po ai ekip i fortë që mund t’i hapë probleme çdo ekipi”.

Fitorja 0-2 në ndeshjen debutuese ndaj Kastriotit ishte një sinjal se Dinamo e kohëve të arta po rikthehet, edhe pse Shkëmbi nuk mund të bëjë dot parashikime se kur do të shihet në fushë Dinamo e vërtetë.

“Për të parë Dinamon më të mirë duhet ende kohë dhe nuk mund ta përcaktoj se kur do shihni fytyrën tonë të vërtetë. Gjithsesi jam i bindur që ekipi do të vijë në rritje.

Do të më pëlqente të luanim në Tiranë pasi do të kishim më shumë tifozë në stadium, por mundësitë këto janë dhe Elbasan Arena është një fushë me një tapet të shkëlqyer që i përshtatet cilësive tona si ekip.”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb